Po sot do përkujtohet 103 vjetori i Kongresit të Parë Bektashian mbajtur në teqene e Prishtës si dhe 76-vjetori i pushkatimit të klerikëve, baba Ali Tomorri e Shefqet Gllava gjoja si ‘bashkëpunëtorë të anglo-amerikanëve’

28
Sigal

 

Kryegjyshi Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj: Baba Ali Tomorri dhe baba Shefqet Gllava-Mahmutaj, për kontributin që kanë dhënë, do kujtohen në vazhdimësi nga miliona bektashinj në mbarë botën.

Dede Edmond Brahimaj: “14 janari është një ditë e shënuar, pasi përkujtojmë ikjen nga kjo jetë në mënyrë barbare, të dy klerikëve të njohur, baba Ali Tomorri e Shefqet Gllava-Mahmutaj. Këta klerikë, ja kushtuan jetën e tyre bektashizmit. Baba Ali Tomorri ishte një klerik, intelektual, gazetar i njohur dhe atdhetar që luftoi me armë në dorë kundër pushtuesve, por që pati një fat të dhimbshëm, arrestimin e pushkatimin në vitin 1948. Po ashtu dhe baba Shefqet Gllava-Mahmutaj. Për kontributin që kanë dhënë, këta klerikë kujtohen sot e do të kujtohen në vazhdimësi nga miliona bektashinj në mbarë botën…”

Më 14 janar të këtij viti, shënon 75-vjetorin e pushkatimit të klerikëve bektashinj, baba AliTomorri dhe baba Shefqet Gllava. Kjo ngjarje përkujtohet në mjediset e Selisë së Shenjtë Bektashiane, në teqetë ku kanë punuar e jetuar këta klerikë të njohur si dhe në gjithë komunitetet bektashiane. “14 janari është një ditë e shënuar, pasi përkujtojmë ikjen nga kjo jetë në mënyrë barbare, të dy klerikëve të njohur, baba Ali Tomorri e Shefqet Gllava-Mahmutaj. Këta klerikë, ja kushtuan jetën e tyre bektashizmit. Baba Ali Tomorri ishte një klerik, intelektual, gazetar i njohur dhe atdhetar që luftoi me armë në dorë kundër pushtuesve, por që pati një fat të dhimbshëm, arrestimin e pushkatimin në vitin 1948. Po ashtu dhe baba ShefqetGllava-Mahmutaj. Për kontributin që kanë dhënë, këta klerikë kujtohen sot e do të kujtohen në vazhdimësi nga miliona bektashinj në mbarë botën. Ata ishin atdhetarë, shërbëtorë të Hakut, që dhanë bekim e shpresë tek besimtarët, tek afirmimi i tyre në dashurinë e pakufishme për Krijuesin…”-pohon Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.

Kleriku baba Ali Tomorri

Baba Ali Tomorri ishte nga fshati Shalës i Tepelenës. Ai është njohur edhe me emrat baba Ali Kulmaku, baba Ali Prishta, Varf Ali Prishta, atë Ali Tomori, varf Ali Tepelena apo Ali Gjirokastra). Këta emra i ka marrë sipas vendeve ku kanë shërbyer si bektashi. Ai, ka qenë ndër klerikët bektashi më të arsimuar për kohën. Pasi mbaroi shkollën fillore në fshat, vijoi mësimet në gjimnazin “Zosimea” të Janinës. Ka dhënë ndihmesë të madhe në periodiket e komunitetit bektashian si “Reforma” dhe “Djersa”. Baba Aliu kish marrë dorë nga baba Shabani i teqesë së Prishtës dhe më pas, po aty, u vesh dervish. Ai është i njohur si kronikan, poet dhe përkthyes. Ka përshkruar në mënyrë shembullore, ngjarjet dhe masakrat që bënë grekët në zonën e Skraparit, Tomorricës dhe Beratit gjatë pushtimit të Shqipërisë Jugore në vitin 1914. Kronikat që mbajnë në fund për autor Varf Aliun e Taronini janë të pashembullta. Atëherë ishte vetëm 20 vjeç. Pas djegies së teqesë së Prishtës, varf Aliu, bashkë me baba Shabanin, baba Ahmet Koshtanin dhe disa dervishë të tjerë u arratisën nga Shqipëria dhe u vendosën në teqenë e Kajros, te baba Lutfiu. Aty qëndruan derisa u largua rreziku i pushtuesve grekë. Baba Shabani vdiq dhe u varros në Kajro, ndërsa të tjerët u kthyen në Shqipëri. Qendra për varf Ali Tomorrin ishte Prishta, teqeja ku ai kish bërë betimin si bektashi,. Kjo është arsyeja që shumë shkrime të shkruara nga ai, nënshkruhen varf Ali Prishta apo Taronini. Si njeri i kompletuar (ai zotëronte gjuhën turke, arabe dhe frënge), ka luajtur një rol të veçantë në organizimin e Kongresit të Parë Bektashian që u mbajt në Prishtë. Baba Ali Tomori (Prishta), si krijues, gazetar e shkrimtar, ishte i njohur edhe në rrethet letrare të vendit. Madje pas Çlirimit, në vitin 1946, me rastin e krijimit të Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, u zgjodh anëtar i Kryesisë së Lidhjes.

Pas Kongresit të Prishtës, varf Ali Tomorri u dekretua baba, titull i cili iu dha nga baba AhmetTurhani. Që nga kjo kohë u ngarkua të kryesonte teqenë e Tomorit. Në kohën kur u mblodh Kongresi i Prishtës, ai nxori një fletore të mbiquajtur “Reforma”. Vepra të tjera të baba Ali Tomorit janë “Histori Bektashiane”, “Literatura e Bektashinjve”, “Bektashinjtë e Shqipërisë” – një libër në prozë dhe vjersha, “Nefese dhe Gazele bektashiane”, “Flamurit të Shqipërisë”, poezi etj. Shumë nga krijimet e baba Ali Tomorrit u botuan në gazetat e kohës. Baba Ali Tomori ka qenë gjithashtu promotori i Kongresit të Dytë Bektashian, i cili u mblodh në teqenë e baba Sulejmanit, në Gjirokastër. Ai mori pjesë drejtpërdrejt me armë në dorë, për të luftuar krah për krah me bashkatdhetarët kundër nazi-fashizmit. Mbledhja e Komitetit Qarkor për Beratin, e mbledhur në datat 2 – 3 të muajit gusht të vitit 1943, e zgjodhi baba Ali Tomorrin (Prishta) anëtar të Shtabit të Ushtrisë të Qarkut të Beratit, ku midis të tjerëve, bënin pjesë dhe figura të shquara të Luftës Nacionalçlirimtare, si: ZylyftarVeleshnja, Kahreman Ylli, Gjin Marku, MestanUjaniku etj.

Më 14 janar të vitit 1948, u akuzua si “spiun” i anglezëve, ai u pushkatua. Fjala e tij e fundit para pushkatimit ka qenë: “Ruani dorëshkrimet e mia. Rroftë Shqipëria !”

Baba Shefqet Gllava

Baba Shefqeti (Shefqet Mahmuti-Gllava) u lind në vitin 1885 në fshatin Gllavë e Madhe të Tepelenës. Ai vinte nga një familje e njohur atdhetare dhe me lidhje të hershme me besimin bektashian. Në vitin 1906, kur nuk kishte mbushur ende 11 vjeç, nisi të shkojë në shkollë në Turballi. Në vitin 1913, Shefqeti kthehet në vendlindje, në fshatin e tij në Gllavë, por tashmë i veshur me petkun e klerikut bektashian. Spontanisht, klerikut të ri të sapokthyer në vendlindje, nga ku u largua fëmijë, i bëhet një pritje dinjitoze. Për 19 vite shërbeu në fshatin e tij në Gllavë dhe ishte baba për gjithë zonën. Këtu, baba Shefqeti fiton një simpati të madhe në gjithë zonën. Në vitin 1928, baba Shefqeti u transferua në Koshtan. Në Koshtan, i dhënë shpirtërisht e fizikisht bektashizmit, ai u gjendej pranë të varfërve, hallexhinjve, njerëzve pa përjashtim, në zgjidhjen e problemeve që kishin dhe forcimin e besimit tek Zoti. Gjatë shërbimit të gjatë si klerik bektashian, ai administronte njëkohësisht një pasuri shumë të madhe që e vuri në shërbim të teqesë dhe besimtarëve. Në dhjetor të vitit 1948, baba Shefqeti u arrestua për agjitacion e propagandë kundër pushtetit të kohës. Pas një gjykimi, dhe pse shumë dëshmi ishin pro tij, ai u dënua me pushkatim dhe më 14 janar të vitit 1948, u ekzekutua. U varros diku në Gjirokastër (në vendin ku u ndërtua NSHN-ja, e nuk i janë gjetur eshtrat). Pasojat e pushkatimit të tij, i vuajti familja. Vëllezërive iu hoqën triskat e frontit, ndërsa nga familja e të afërmit, asnjë nga fëmijët nuk iu shkolluan.