Dr. Ina Zhupa: Parku i Butrintit do kthehet në shesh ndërtimi

Deputetja e opozitës Ina Zhupa, nga Parku Kombëtar i Butrintit, ka denoncuar sipas saj ndryshimin e ligjit për zonat e mbrojtura. Sipas deputetes demokrate, ky ligj do të zhdukë zonat e mbrojtura do t’i kthejë ata në shesh ndërtimi. Zhupa tha me tej se në Parkun Kombëtar të Butrintit me një vendim të Këshillit të Ministrave për rishikimin e zonave të mbrojtura, janë hequr 800 hektar, të cilat tani po ndërtohen resorte. “12 deputet, bedela të Edi Ramës, kanë propozuar ndryshimin e ligjit për zonat e mbrojtura duke kërkuar që në zonat e mbrojtura të lejohet me ligj tashmë veprimtari ekonomike dhe veprimtari ndërtimore. Duke i hapur rrugë njëherë e mirë shkatërrimit të këtyre zonave të mbrojtura për të ndërtuar në to resorte, hotele, kazino, biznese dhe gjithçka që ju intereson klientëve të pushtetit. Ligji nuk vendos limite, ai i kthen zonat e mbrojtura të gjitha në zona ku mund të zhvillohen ndërtime dhe veprimtari ekonomike. Dëmi do të jetë i pa rikuperueshëm në gjithë Shqipërinë. Do të jetë një dëm i jashtëzakonshëm, që shkatërron mjedisin, florën, faunën, trashëgiminë tonë historike, mjedisore, kulturore, peisaizhin e bukurinë tonë natyrore. Por edhe një dëm i parikuperueshëm që i ndodh qytetarëve që do t`i dëmtohen mushkëritë e tyre duke shkatërruar mjedisin e këtij vendi. Ambiciet e nevojat e oligarkëve janë të mëdhaja pasi që tanimë janë ezauruar të gjitha hapësirat urbane dhe do të kalojnë në hapësirat e zonave të mbrojtura. Ky ligj nuk bën asgjë tjeter veçse i kthen zonat e mbrojtura në zona të mbrojtura vetëm në letër, sepse në realitet do të mund të shkatërrohen. Do të jetë një dëm i jashtëzakonshëm për Shqipërinë, për vendin tonë, për shëndetin tonë dhe do ta kthejë Shqipërinë në një kantier të madh betoni dhe do të zhdukë përfundimisht çdo gjë të zonave të mbrojtura në Shqipëri.”- tha Zhupa.

Sigal