Naxhi Kasoruho: Emrat e rrugëve të Tiranës më kujtojnë historinë e vendit tim

514
MINOLTA DIGITAL CAMERA
Sigal

Emrat e rrugëve të Tiranës me kujtojnë historinë e vendit tim

Tirana 100 vjet kryeqytet

-Impresioni në ditët e pandemisë-

Nga Naxhi Kasoruho “Mjeshtër i Madh”

Ishte një mëngjes i ngrohtë fillim marsi i këtij viti kur po vija para godinës së Radiotelevizionit Shqiptar dhe po prisja të ndizej feneri jeshil i semaforit për të kaluar në anën tjetër të trotuarit në drejtim të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Për një moment ngrita kokën lart dhe pashë në krye të një shtylle hekuri dy tabela me emrat e Ismail Qemalit dhe Papa Gjon Palit të II-të. U hutova nga kjo tabelë dhe ndonëse semafori ndezi shenjën jeshile unë nuk lëviza nga vendi. Nuk di sa qëndrova pa lëvizur para asaj tabele por atë që përjetova në atë çast ishte një ndjeshmëri disi e veçantë, e çuditshme, befasuese, emocionuese, sublime, humane, frymëzuese, njerëzore, kernare që më emocioni dhe bëri që ta kujtoj gjatë e t’i kthehem atij momenti dhe në këto ditë të kësaj pendemie të stërgjatur. Po pse më bëri përshtypje ajo tabelë në atë kryqëzim rruge. Nuk di në është koiçidencë, rastësi apo e kishin menduar mirë ata që i kishin vendosur ato emra përbri njeri- tjetrit në kahe të kundërta në kryqëzimin e asaj rruge. Personalisht nuk besoj se organi kompetent që miraton emrat e rrugëve, shesheve dhe bulevardeve e ka menduar gjatë apo ka gjetur një argument se përse duhet të rinë në krah të njeri-tjetrit Ismail Qemali me  Papa Gjon Palin e II-të. Nuk besoj se Ismail Qemali e Papa Gjon Pali i II-të të kenë banuar apo të kenë pasur selitë e tyre në atë rrugë. Ismail Bej Vlora ky rilindas i madh, patriot e themelues i shtetit shqiptar, po qëndronte në krah të Papës së Vatikanit, udhëzuesi shpirtëror i Kristianizmit Botëror.

Rruga “Ismail Qemali” nis tek godina e Liceut Artistik dhe zbret poshtë deri tek bulevardi “Dëshmorët e Kombit”. Ismail Qemali , ky personalitet i shquar i kombit tonë ka trokitur në dyert e kancelarëve të Shteteve të Europës për të siguruar mbështetjen e tyre për pavarësinë e Shqipërisë. Këto momente populli i ka memorizuar në këngët e tij ku thuhet: “Cili je ti more burrë,/ Që na vjen nga Shqipëria,/ Unë jam Ismail Qemali,/Dua vatanet e mia./ Do t’i marr se s’është punë,/Eshtë e jona Shqipëria”.

Ndonëse rruga “Papa Gjon Pali i II-të” nis nga prapa godinës së “Piramidës” kalon para RTSH deri tek stadiumi “Qemal Stafa”.Çfarë i bashkoi këta dy personalitete të shquar që përfasojnë epoka, sisteme, kohë madje edhe përkatësi fetare të ndryshme të rinë pranë njeri-tjetrit. Kur themi se këta dy emra përfaqësojnë dy përkatësi fetare të ndryshme kuptojmë se tek ne bashkëjeta fetare nuk i ndan por i bashkon njerëzit. Bashkëjetesa fetare tek ne është fenomen e dukuri nga më të veçantat, njerëzoret, humanet ku jetojnë në harmoni, paqe, dashuri, respekt, mirësi midis tyre myslimanë e katolikë, ortodoksë e bektashinj.

Nisur nga befasia e kësaj tabele tashmë i shikoj me emocion dhe vëmendje të gjitha tabelat e rrugëve të Tiranës, që më kujtojnë historinë e vendit tim. Po sjell në këtë shkrim disa nga qindra emrat e rrugëve që janë në kryeqytetin tonë në këtë 100 vjetor duke i ndarë në 4 grupime të mëdha:

Rilindas

Tek sheshi pranë kullave binjake në anë të bulevardit “Dëshmorët e Kombit” janë vendosur bustet e tre vëllezrëve Frashëri: Abdyli, Naimi, Samiu. Vëllezërit Frashëri janë krenari e kombit tonë dhe përfaqësuesit më dinjitozë të shqiptarizmës.

Avdyl Frashëri organizatori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit mbetet figura simbol pas Skënderbeut, që mblodhi dhe bashkoi në një beslidhje të gjithë kombin prandaj edhe populli e ka memorizuar në këngët e tij ku thotë: “Kurvelesh e gegëri,/ Ç’u mblodhën në Ergjeri,/Ky Abdyl bej Frashëri,/Prishi një barë flori,/ Për të bërë  Shqipëri.”

Ndërsa Naimi që i këndoi me tërë pasionin e shpirtit Atdheut të tij mbetet figura kryesore e rilindasve tanë që ndonëse i mërguar nuk u lodh së shkruari për vendin ku thotë: “Shqipëri o nëna ime,/ Ndonëse jam i mërguar,/ Dashurinë tënde kurrë,/ Zemra s’ka për ta  harruar”. Madje Naimi tek vjersha “Qiriri” thotë: “Si qiri do të tretem,/ Për të mirën e Shqipërisë.”

Filozofi Sami Frashëri në librin “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e çdo të bëhet”, si memdimtar e vizionar e mendonte Atdheun në të ardhmen se do të kishte akademi dhe universitete. Rruga që fillon tek sheshi “Skënderbej” midis xhamës së Ethem Beut dhe Pallatit të Kulturës e që mbaron tek sheshi “Avni Rustemi” mban emrin e rilindasit të nderuar Luigj Gurakuqi bashkëpunëtorit të ngushtë të Ismail Qemalit në shpalljen e pavarësisë dhe anëtar në kabinetin e qeverisë që doli nga kjo pavarësi. Dihet fati tragjik i fundit të jetës së Luigj Gurakuqit, të cilën e ka përjetësuar në elegjinë Fan Noli: “Nëno moj mbaj zi për vllanë,/ Me tre plumba na i vranë, /Ne e vranë e na e shanë,/ Na i thanë tradhëtor./ Nëno moj ç’është për pjekur,/Syrgjyn gjallë e syrgjin vdekur,/ Ky vigan liberator.”

Rruga që të shpie tek Selia e Shenjtë “Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve” mban emrin e rilandasit të madh Bajo Topulli. Nuk di në është rastësi vendosja e emrit të Bajo Topullit kësaj rruge apo është menduar që emri i këtij bektashiu të nderuar nga topollarët fisnikë të Gjirokastrës, të na shoqërojë sa herë që duam të shkojmë në Kryegjyshatë. Bajo Topulli është personalitet i shquar në kombin tonë që zë një vend nderi në panteonin e njerëzve të shquar si patriot, luftëtar, intelektual e veprimtar i shquar.

Heronjtë dhe luftëtarët

Një monument madhështor i Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut i vendosur mbi një masiv shkëmbor, që mban emrin e tij. Skënderbeu ky hero legjendar që luftoi me trimëri të rrallë për 25 vjet nuk i lejoi hordhitë osmane të pushtonin vendin tonë. Ky monument më madhështori në hapsirën shqiptare është simbol i kryeqytetit, Tiranës dhe gjithë kombit. Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” nis tek lulishtja prapa monumentit të Skënderbeut dhe zbret poshtë deri tek sheshi “Nënë Tereza” para godinës madhështore të Universitetit të Tiranës. Ky bulevard është ndër më të bukurit dhe madhështorët jo vetëm në hapësirën shqiptare por edhe në rajon e më gjërë. Emri i tij “Dëshorët e Kombit” është kuptimplotë dhe përfaqëson gjithë heronjtë dhe dëshmorët e vendit tonë që dhanë jetën për çlirimin e Atdheut, që brezat pasardhës të jetojnë të lumtur dhe në liri.

Karshi pjesës anësore të selisë së Presidencës është një lulishte e vogël në qendër të së cilës është një pjedestal me bustin e Heroit të Popullit Qemal Stafa.. Ky djalë i ri revolucionar vizionar që u nda nga jeta në moshë shumë të re  i vrarë afër spitalit të Tiranës, do të bëhej simbol i kujtimit të dëshmorëve të vendit dhe data 5 Maj do të shpallej Dita e Dëshmorëve ku gjithë populli shkon në varreza dhe përulen në nderim të tyre.

Sa herë që ndodhem para bustit të Heroit të Popullit Avni Rustemi tek sheshi që mban emrin e tij tek tregu i ri, ndjej një emocion krenarie dhe më duket se dëgjoj krismën në Paris ku demokrati revolucionar shtiu mbi tradhëtarin e vendit Esat Pashë Toptanin dhe e shtriu përdhe para hotel “Kontinental” në Paris.  Avni Rustemi është një nga personalitetet dhe figurat e shquara të kombit tonë ku emri i tij është shkruar me gërma të arta në Panteonin e Lirisë. Bulevardi “Bajram Curri” është më i gjati në qytetin e Tiranës që fillon nga Marteniteti i ri “Koço Glozheni” dhe zbret poshtë në krah të lumit Lana deri tek ura “Vasil Shanto”. Sa herë që kaloj në këtë bulevard me këmbë apo me urbanin e unazës më vijnë në mendje vargjet e elegjisë së Fan S. Nolit kushtuar plakut të maleve, patriotit e luftëtarit Bajram Curri ku thotë: “O Bajram bajrak i gjallë,/ More nam me gjak në ballë,/Te një shpellë e Drogobisë,/ Yll i rralë i djalërisë./ As je vrarë e as po vritesh,/Legjendar ante po rritesh,/ Ditiramb i Dragobisë,/ Tmerr, panik i mizorisë.

ArtistëT

Rruga që niset nga sheshi “Avni Rustemi” dhe kalon midis shtëpive të vjetra tiranase dhe pallateve të reja mbrapa godinës së Ministrisë së Jashtme dhe INSAT-it dhe para Komisariatit Nr.1 të Policisë deri sa takohet me rrugën e unazës mbi “Brrylin” mban emrin e mbretëreshës së lirikës shqiptare Tefta Tashko Koço, “Artiste e Popullit”, “Nderi i Kombit”.

Sa herë që kaloj në atë rrugë dhe shikoj tabelën me emrin e Tefta Tashko Koços si padashje filloj të bëlbëzoj këngët e saj : “Kroi i fshatit tonë”, “Kur më vjen burri nga fshati” dhe sidomos ariet e operave të mirënjohura klasike botërore që ajo i interpretonte me nivel ekselent, me zërin e shndrritshëm të një sopranoje që është simbol dhe vlerë në kulturën tonë kombëtare.

Gjithashtu kujtoj filmin “Koncert në vitin 36” kushtuar Tefta Tashko Koços, që na vjen e gjallë me gjithë vlerat e saj, e bukur me zë brilant të tingëllueshëm e dashur dhe e respektuar me popullin e thjeshtë.

Rruga “Xhanfize Keko” nis tek sheshi “Shtraus” dhe vazhdon lart në drejtimin lindor në rrugën e “Porcelanit”. E shikoj me interes dhe e vlerësoj maksimalisht faktin që në qindra emrat e personazheve botërorë dhe të vendit tonë qëndrojnë me dinjitet edhe emrat e shumë grave si shprehje e respektit dhe vlerësimit që popujt kanë për to si forcë lëvizëse e shoqërisë. Një nga këto personalitete është edhe regjisoria e mirënjohur Xhanfise Keko simbol i femrës në kinematografinë shqiptare.

Emocionohem sa herë kaloj në këtë rrugë që mban emrin e kësaj gruaje të madhe me shpirt të gjërë njerëzor, që krijoi një familje fisnike por që fati e tronditi atë. Mjafton të kujtojmë disa nga filmat e saj për fëmijë si: “Taulanti kërkon një motër”, “Tomka dhe shokët e tij”, “Shtigje lufte” etj, për të kuptuar  gjenialitetin dhe kontributin për përparimin e kinematografisë tonë kombëtare për të cilën i jemi mirënjohës.

Mentor Xhemali erdhi në këngën shqiptare si një zë i veçantë, befasues, i ngrohtë e i kunbusueshëm që në kulturën e një kombi vjen një herë në 100 vjet. Emri i këtij artisti të madh e mban një rrugë në territorin afër pallatit me Shigjeta.  I diplomuar në konservatorin “Çajkovski” në Moskë për këngëtar lirik Mentor Xhemali ka një karierë të shkëlqyer në trashëgiminë tonë duke na lënë interpretime të jashtëzakonshme që kanë hyrë në fondin e arti të kulturës tonë kombëtare. Kur kujtojmë këngën “Për ty Atdhe” mendja na shkon tek Mentor Xhemali që këtë këngën hymn e prezantoi me zërin e tij të kumbueshëm që të emocionon kur e dëgjon: “Për ty Atdhe,/Më të bukurën këngën,/ Me fuqinë e kësaj zemre,/Do këndoj./ Për këto male,/ Për këto fusha të gjëra,/ Për këtë vend,/ Ku sot i lumtur jetoj.” Një rrugë e vogël që nis në krah të sheshit “Shtraus” aty tek Xhamllëku mban emrin e korifeut të skulpturës tonë kombëtare “Artistit të Popullit” “Nder i Kombit” Prof. Odis Paskalit, autor i shumë veprave të vendosura në sheshe e salla ekspozitash nga monumenti i Skënderbeut e deri tek Luftëtari fitimtar në muzeun e Vienës e vendosin Odise Paskalin në priedestalin e lartë të artistëve tanë kombëtarë Ne gjirokastritët i jemi mirënjohës simbolit të skulturës shqiptare Odise Paskalit për shtatoren e kapedan Çerçiz Topullit që e ka derdhur në bronx e që qëndron krenar në qendër të sheshit në qytetin e gurtë.

Personalitete nga bota

Sapo dal nga shtëpia hapin e parë e hedh në bulevardin që mban emrin e gruas simbol të Francës Zhan D’ark. Ky bulevard nis në anën tjetër të lumit Lana karshi Martenitetit të ri “Koço Glozheni” dhe zbret deri poshtë sa takohet me bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Me infrastrukturë moderne me pemë të larta plot gjelbërim, me shtyllat e dritave në formë fenerësh, me pallate të shumta, me stile të ndryshme arkitetktonike pranë tij, institucione të rëndësishme si: Ministria e Jashtme, gjimnazin “Ismail Qemali”, ish-ATSH, Ura e Tabakëve, selia e Partisë Demokratike, Katedralja Katolike deri tek ura e madhe në bulevard.

Në qëndër të Tiranës së Re është një shesh rrotullim ku në mes është vendosur piedestali me shtatoren e ish Presidentit të Amerikës Willson. Presidenti Willson ishte personalitet botëror që mbështeti shtetin shqiptar, të cilin pas Luftës së Parë Botërore fqinjët donin ta coptonin e të merrnin pjesë të trupit të tij.  Ishte gjithçka që ky president dhe shteti amerikan kanë bërë për vendin tonë. Ne i jemi mirënjohës dhe shikojmë te Amerika mikun e madh të Shqipërisë. Sheshi “Shtraus” është një hapsirë e gjërë si një ambient çlodhës për banorët e lagjes që pushojnë nën hijen e pemëve. Emri i Shtruasit që mban ky shesh ndodhet tek “Xhamlliku” është një personalitet i diplomacisë së Gjermanisë Perëndimore, që erdhi në Shqipëri para vitit 1990 për të nënshkruar një marrëveshje ku shteti gjerman do ta ndihmonte vendin tonë me fonde të konsiderueshme. Por kjo ndihmë dhe kjo marrëveshje nuk u pranua nga qeveria e asaj kohe dhe kështu humbëm një shans të mirë për të rritur mirëqenien dhe rimëkëmbur ekonominë e cila kish filluar tatëpjetën.

Një lulishte e vogël si pikë kryqëzimi aty tek Garda e Republikës ku takohen rrugët “Ibrahim Rugova” me atë të “Adem Jasharit” në qendër të saj mbi një piedestal qëndron busti i pianistit polak Frederik Shopen një figurë e madhe i muzikës klasike botërore. Vendosja e bustit të Shopenit pranë Universitetit të Arteve tregon lidhjen dhe vlerësimin që ka shkolla jonë për artistët botërorë, veprat e të cilëve janë pjesë e programit mësimor dhe veprimtarive koncertore. Këto emocione ndjej sa herë që kaloj në rrugët e Tiranës dhe më shoqërojnë emrat e shquar që më kujtojnë historinë e vendit tim.