Abdurrahim Ashiku: Kur ndërtohej HEC-i i Ulzës dhe “Rruga e Dritës” mes presioneve dhe provokimeve të bandave

184

Sipas kujtimeve të Hajri Hoxhës, kuadër i njohur i Dibrës dhe i vendit

KUR NDËRTOHEJ HIDROCENTRALI  I  ULZËS

Si përfundoi në Korrik të vitit 1952 mes presioneve dhe provokimeve  të bandave “Rruga e Dritës”

Nga Abdurahim Ashiku

Hajri Hoxha, i njohur publikisht veçanërisht si drejtues i shtabit për eliminimin  e pasojave të tërmetit të 30 nëntorit 1967, autor i librit “Edhe tërmetet mposhten”, dritë dielli e një populli të tërë në një betejë që nuk ishte parë kurrë, solidaritet i madh shqiptar për të përballuar brenda një muaji të egër dimëror fatkeqësinë natyrore, vjen sot për lexuesin me një “Rrëfim drite”, të një rruge dhe të një lumi që u shndërrua në dritën e parë të madhe të një vendi që përjetonte bishtukun e pishës e të kandilit.
Ajo që të befason në rrëfimin e tij është kujtesa e kthjellët, e jashtëzakonshme për një njeri që tash po i afrohet shekullit.
Shikoni nëpërmjet rrëfimit të tij për të parën vepër hidroenergjetike, hidrocentralin e Ulzës, njerëzit e thjeshtë, njerëz të punës e të përkushtimit në ekstrem, emër për emër, në funksione e detyra, në punë e në kohë të lirë…
Kaq emra njerëzish është rrallë, në mos e pamundur, të gjesh në disa faqe kujtimesh.
Dhe pyes: Si i ka mbajtur dhe i mban mend?
Dhe përgjigjem:Burimi vjen nga dashuria për ta, nga respekti për veprën e tyre të jashtëzakonshme në një kohë të jashtëzakonshme…

Lexim të mbarë e respekt për ata që i dhanë Atdheut vepra të tilla të mëdha… Pas martesës me Resmijen në 20 Korrik 1951, më thirrën në Komitetin Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë. Hyra në zyrën e një prej udhëheqësve të shquar të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare e të Partisë , të të thjeshtit e masovikut Hysni Kapo. Aty gjeta një ndër shokët e fëmijërisë në Zerqan që në vitin 1937 si dhe shokun e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare të Dibrës Rahman Hankun.

“Partia, Hajri, më tha ka vendosur me që ka filluar ndërtimi i “Rrugës së Dritës” dhe i hidrocentralit të Ulzës mbi lumin e Matit, të krijohet përveç Drejtorisë që e drejton shoku Rahman, edhe Komiteti i Partisë dhe ju të emëroheni Sekretar i parë i Partisë në këto vepra. Do punoni së bashku me Rahmanin, dy dibranë, shokë të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare.  Rahmani është ndër kuadrot ndërtues.”
“Me shokun Hajri, tha Rahmani, njihemi që në fëmijëri, në Zerqan ku familjarisht kanë jetuar në fshatin tim”

Dolëm së bashku me Rahmanin e pasi pushuam e pimë nga një kafe në lokalin “Vollga”, hipëm në një veturë “Skoda” e mbuluar me mushama me shofer Arifin dhe u nisëm e mbërritëm në kantierin e parë të ndërmarrjes së ndërtimit porsa të kalosh Urën e Zogut, në Skuraj. U prezantuam e u takuam me punëtorët fillestarë të ndërtimit të rrugës dhe me teknikët e inxhinierët  mes tyre me kryeinxhinierin Hysni Dino, një ndër partizanët e Çetës së Lumës. Në bisedë e sipër Rahmani u tregon pjesëmarrësve për vendimin e KQPPSH për krijimin e Komitetit të Partisë në këtë vepër me mua si Sekretar i parë i Partisë.

Pasdite nisemi së bashku me Rahmanin për në Dibër. Ai u ndal tek prindërit në Zerqan kurse unë po me makinën e tij udhëtova për në Peshkopi. Shkova në shtëpi. U takova me vëllain, Nënën dhe kunatën e Resmijes – Mirveten.

Menjëherë më pyetën: “Hë si shkove në Tiranë, pse të kishin thirrur?”
I drejtohem Nënës: “E lamë Peshkopinë Nënë, më kanë caktuar për të punuar në ndërtimin e “Rrugës së Dritës” dhe hidrocentralin e Ulzës, ku drejtor i Ndërmarrjes është Rahman Hanku dhe unë sekretar partie.”

Të nesërmen si zakonisht pimë kafet në klubin sportiv, takohemi me shokët Jashar, Hysen e Njazi (ata e dinin se u kishte thënë shoku Jashar). Më uruan me sinqeritet.
Pas ca ditëve, pasi i bëmë dorëzimet në 26 Korrik 1951, pasi u ndava me shokët e punës, u nisa, mbërrita dhe fillova punë në Skuraj në një dhomë tek baraka e drejtorisë.

Pas dy ditëve më lajmërojnë për një takim te shoku Hysni Kapo, ku gjej shokët Nexhip Vishën, Gani Omurin, Bero Spahiun. Vetëm Beron nuk i njihja.
Takohemi dhe Hysniu më thotë: “Hajri, këta do të jenë shokët e punës me ty. Nexhipi Sekretar i dytë i Partisë, Beroja me Seksionin e Propagandës e Ganua me çështjet organizative.”
Troket dera e zyrës dhe hyn Azem Kërxhalliu që e njihja që në Kukës kur isha në Brigadën e 18-të Sulmuese, ndërsa ai u rreshtua në Brigadën partizane të 24-t Sulmuese të Kukësit, dhe në këto vite pas çlirimit punonte me rininë në Kukës kurse unë në Dibër. Shoku Hysni na thotë: “Azemin do ta keni Sekretar të Parë të Rinisë. Në Komitet do të keni edhe kuksianin pjesëtar iLuftës Antifashiste Nacional Çlirimtare shokun Gani Omuri, që do të merret me çështjet organizative të Partisë. Tani ju uroj punë të mbarë e shëndet.”

Të gjithë u paraqitëm në Kantierin e parë në Skuraj që sapo kishte filluar hapja e “Rrugës së Dritës”. U takuam me shokët: Drejtorin e Ndërmarrjes dhe kryeinxhinierin Rahman Hanku dhe Hysni Dinen. U njohëm me planin e ndërtimit të kësaj rruge drejt Ulzës ku do të ndërtohej diga e hidrocentralit të dytë pas atij të Selitës në malin e Dajtit, sigurisht shumë i vogël në krahasim me ata që do të ndërtoheshin në rrjedhën e lumit të Matit: të atij të Ulzës e të Shkopetit. Do të ndërtoheshin kantiere si ato të Ferr-Shkopetit, Shkopetit, Kodrës-Ulzë e Ulzë.
Po në Ulzë si do të çoheshin materialet e ndërtimit të barakave?
U gjet mënyra. Shoku Rahman, Hysni, tekniku Ethem dhe unë vajtëm në fshatin Perlat të Rrëshenit që është mu në mes të rrugës automobilistike, morëm edhe Kryetarin e Këshillit të fshatit, dy-tre fshatarë. Ata na tregonin rrugën këmbësore që zbriste për në Ulzë në mes të pyllit të dushqeve. Ata në bazë të relievit që panë, bënë skicën e projektit që do të hapej rrugë automobilistike deri në Ulzë e kodrinën mbi të. Për 4-5 ditë kjo rrugë u hap me ruspë të traktorit “Stalinec” dhe menjëherë filloi transportimi me kamionët “Zis” i qindra metro kubbinarëve, dërrasave, eternit, gozhdë etj. nga Perlati, të cilat shkarkoheshin në atë fushë të bukur të Ulzës të cilën e përshkonte mes për mes lumi i Matit. E njëjta punë bëhej për transportimin e këtyre materialeve edhe nëpërmjet lumit Mat nga Skuraj drejt sektorëve “C”e Shkopetit. Po me traktorin tjetër të ndërmarrjes me shoferin dhe traktoristët shembullorë, natë e ditë, që më kujtohen emrat e tyre: Hasanin, Skënderin e Palin (fatkeqësisht nuk më kujtohen mbiemrat e tyre të nderuar).

Filloi ndërtimi i barakave në sektorët “C”, “D”, “A”, dhe në Ulzë për strehimin e vullnetarëve, për ambientet, mensat, zyrat e drejtorisë e të kantiereve, për Komitetin e Partisë, të organizatës së rinisë si dhe për 18 specialistët inxhinierë e teknikë sovjetikë që do të vinin për ndërtimin e hidrocentralit të Ulzës.

Të gjitha këto ndërtime barakash bëheshin me materiale që sillte drejtoria duke shfrytëzuar edhe mjaft materiale –shtylla dushku që i prisnim rreth e qark kantiereve.

Të gjitha këto ambiente ndërtoheshin duke i suvatuar nga brenda me baltë përzier me kashtë thekre dhe me mbulesa eterniti:Është e paharruar puna e papërtueshme e mjeshtërve të shquar Gollobordas si: Kadriut, Trajçes, Besimit e shumë të tjerëve që për 15 ditë  5 kantieret ishin të ndërtuara duke i pajisur me ndriçim elektrik si brenda ambienteve po ashtu dhe jashtë rrugëve të kantiereve ku u shquan elektricistët: Ramizi, Gjoni, Sefedini e të tjerë.

Kështu, me këtë gatishmëri, kishte filluar që në shkurt të vitit 1951 puna e parë tek kthesa e Urës së Zogut që vazhdoi me ritme nga të gjitha kantieret. Hapja e rrugës përfundoi në Korrik 1952 nga Skuraj-Bushkash të Burrelit dhe që pas vitit 1954 vazhdoi ndërtimi i mëtejshëm nga Bushkashi – Burrel.

Sot, kur kaloj e përshkoj këtë rrugë të Dritës, kujtoj me nostalgji gjithë atë punë që bënë vullnetarisht 30 mijë të rinj e të reja, studentë të shkollave të mesme, apo universitarë e fshatarë, kujtoj që në muajt korrik-gusht ky numër vullnetarësh arrinte në 12-13 mijë të rinj e të reja nga Shkodra, Kopliku, Puka, Mirdita, Tropoja, Kukësi, Lezha, Dibra, Mati, Kruja, Tirana, Durrësi, Elbasani, Librazhdi, Korça, Pogradeci, Kolonja, Leskoviku, Lushnja, Fieri, Berati, Skrapari, Vlora, Tepelena, Përmeti, Saranda, Gjirokastra dhe nga zona shumë të thella e malore, nga Vermoshi, Konispoli, Dropulli, Sllova, Lura, Martaneshi, Gramshi, Dukagjini etj.

Kujtoj punën e këtyre të rinjve e të rejave natë e ditë edhe në kohë shiu apo vape me ato mjete për hapjen e trasesë me kazma, lopata, tokmakë druri si gjyle hekuri për ngjeshjen e dheut, karrocat e dorës, çekiçët e barominat për hapjen e vendeve ku do të viheshin minat për çarjen e shkëmbinjve nga “Luanët e Maleve” të Sali Vatës, Shaban Xhemës, të minatorëve të tjerë shembullorë si Kadri Metollari, Sabri Shini, Baftjar Mera e të tjerëve që duke punuar ditë e natë hapën për një kohë të shkurtër dy tunele: të parin në hyrje të Shkopetit rreth 4-5 metra dhe të dytin në të dalë të Shkopetit mbi 30-35 metra të gjatë.

Një hap revolucionar u bë nga organet e Partisë dhe ato të Rinisë e të Gruas në disa rrethe për punën bindëse me familjet fshatare për të organizuar organizatat e të rejave për në këtë aksion kombëtar, në “Rrugën e Dritës”, siç ishin zonat e thella të rretheve Mirditë, Tropojë, Dibër, Sarandë. Si gjithë brigadat e tjera edhe këto brigada të të rejave ishin shembullore si në punë po ashtu edhe në marrëdhëniet me brigadat e tjera e ndër to për të gjithë kujtoj komandanten e të rejave të Tropojës, malësoren Aishe, atë të Dibrës Adivije Lazrin e nënat partizane Sibe Gjurën, Behije Berexhën, atë të Mirditës me komandante Prena Pepën e Vitore Gjoni, atë të Sarandës me komandante Melto Mani…Nuk mund të harroj përcjelljen e këtyre brigadave pas 2-3 muajsh në rrethet e tyre, mikpritjen që u bëri populli e në mes tyre prindërve të të rejave ku në Sarandë i shoqëroi drejtori Rahman Hanku, kryeinxhinieri Hysni Dino dhe unë në Tropojë; në Mirditë – Rrëshen Sekretari i dytë i Komitetit të Partisë Nexhip Visha e unë, në Dibër (Peshkopi) Rahman e Gani Omuri.

Kujtoj punën afro tre vjeçare të Komitetit të Partisë e atij të Rinisë, të anëtarëve të tyre:

Nexhipin, Beron, Ganiun, Azemin e të mbi 300 anëtarëve të Partisë së Punës të Shqipërisë që bënin pjesë në mbi 20 organizata bazë partie në çdo kantier të ndërtimeve dhe kudo shquhej puna e tyre, e kuadrove drejtuese si e kryeinxhinierit një ndër partizanët e Çetës së Lumës Hysni Dinos, e inxhinierëve Emin Mysliu, Miso Veshit, Bardhyl Pepjes, Ali Mullajt, e teknikut Ethem Muka, Ndue Gjeta, Shaban Destani, Nezir Molla apo pionierët më të rinj që punonin bri skuadrave të “Luanëve të Maleve” në hapjen e tuneleve shkëmborë të rrugës, të Halil Katana nga Tropoja, Dine Kaca nga Dibra, nga Kukësi e që sot që shkruaj këto kujtime ata u rritën me zhvillimin e Atdheut tonë, duke punuar në sektorë të ndryshëm në ushtri apo terren dhe të dalë në pension mbrojnë me përkushtim luftën kundër okupatorëve dhe punën e rinisë për ndërtimin e Shqipërisë dhe bile shkruajnë siç është përkushtimi si shkrimtar i shokut Halil.

Po kështu, për drejtimin dhe gjithë furnizimin e mirëmbajtjen e kantiereve u ngrit një degë (drejtori e veçantë) që u krijuan baraka tregtie me artikuj për nevojat e vullnetarëve e punëtorëve, me prodhime frutash dhe nga qendra e prodhimit të ëmbëlsirave, që u ngrit në Ulëz ku punuan pa u lodhur drejtorët Murat Mema nga Tirana e Shaban Sadja nga Dibra.

Një kujdes të veçantë iu kushtua edhe organizimit të aktiviteteve kulturore duke vendosur qendra zëri në çdo kantier; organizoheshin, siç quheshin, mbrëmje vallëzimi në barakën e veçantë ku gërshetoheshin njohjet me artin reciprok të krahinave dhe është për t’u përmendur që në asnjë rast nuk na u krijuan shqetësime, sepse ishte një marrëdhënie vëllazërore e moralshme.

Në këto aktivitete kishim edhe ndihmën e grupeve artistike të rretheve, veçanërisht të estradave të Shkodrës, Krujës, Tiranës, Durrësit, Elbasanit, Vlorës e veçanërisht të Ansamblit të Këngëve e Valleve të Shqipërisë, që vinin herë pas here duke dhënë shfaqje nëpër kantiere. Në gjithë këtë organizim të aktiviteteve kulturore shquhej puna e përgjegjësit të agjitacionit shokut Bera Spahiu dhe e Selman Vaqarit që merrej vetëm me këtë punë, i njohur së bashku me Met Myftiun krijuesit e organizatës së “Debatikut” që u bë tmerr për okupatorët fashisto-nazistë në vendin tonë.

Gjithashtu një kujdes i veçantë iu kushtua higjienës dhe shërbimit shëndetësor. Kështu në çdo kantier u krijuan qendra infermierie ku disa infermierë vinin vullnetar me brigadat, të pajisur me mjete mjekësore. Këto qendra furnizoheshin me disa barna (ilaçe) të urgjencave si: jodio, alkool, serum, fasho e të tjera nga drejtoria. Bënim herë pas here spërkatje në ambientet e barakave të fjetjes, mensave, dhe një punë e përditshme bëhej nga vetë vullnetarët në pastrimin ditor të tyre.

E kam në mungesë në kujtimet e mia të përmend emra të kësaj pune higjieno-sanitare. Por me gjithë këto shërbime që bëheshin, kujtoj, që në muajt maj-qershor të vitit 1952 na u shfaq në të gjitha kantieret mësymja e pleshtave të pyjeve, një insekt i mërzitshëm, por menjëherë, pasi u bë problem në Qeveri, menjëherë u mobilizua Ministria e Shëndetësisë ku me këto 5-6 ekipe shëndetësore erdhi vetë Ministri, i paharruari Medar Shtylla, dhe për afro një javë u bë herë pas here spërkatja me pesticide duke e zhdukur këtë insekt.

Në përgjithësi, me masat e marra nga Drejtoria, për sigurimin në punë nuk patëm aksidente me përjashtim të dy rasteve në këto 3-4 vite. Ishte ajo në hapjen e tunelit të parë, në hyrje të Shkopetit, ku duke kontrolluar punën tekniku Ethem Muka nga Saranda, por me banim në Tiranë, bie një gur nga mbeturinat e shkëmbit dhe vdes në vend. Në përkujtim të tij, që atëherë edhe sot në atë vend është një pllakë me emrin e tij. Po ashtu kujtoj me dhimbje aksidentin në punë në Sektorin “A” mbi kodrën e Ulzës, të punëtorëve vullnetarë Shaban Destanit dhe Nezir Mollës nga fshatrat e Burrelit e të Gjon Gjinit nga fshati mbi Shkopet. Gjithashtu një ngjarje shumë e dhimbshme na ndodhi nga bubullima, kur po binte shi, ra një rrufe në sektorin nën fshatin Bushkash ku punonte Brigada e të rinjve gjimnazistë të Shkodrës. Na u vranë të rinjtë Ali Laçi nga Shkodra e Safet Spahiu nga fshati Bicaj i Kukësit. Mbas ceremonisë së përcjelljes në Fushë-Ulzë të tyre me disa të rinj e të reja të kësaj brigade, kufomat i dërguam në qytet e fshatine tyre, duke bërë ceremoninë mortore, ku në Shkodër shkoi Rahmani kurse në Bicaj shkova unë me Gani Omurin. E kujtoj qëndresën patriotike të familjeve të këtyre dy të rinjve shembullorë.

Siç përmenda më sipër, që si në hapjen e “Rrugës së Dritës” e punimet për ndërtimin e digës së hidrocentralit ka pas vështirësitë, por me punën e kuadrove inxhiniero-teknikë e veçanërisht të minatorëve e të rinisë heroike janë përballuar dhe realizuar. Nuk mund të ri pa përmendur, në mes të disave, dy prej këtyre.

E para. Shtrohej problemi që për hapjen dhe përfundimin në afat të rrugës, dilte si pengesë hapja e dy tuneleve të Shkopetit sepse me punën heroike që bënin me dorë, me baromina e plasje minash nuk arrihej afati. U mblodhëm në Sektorin e Shkopetit, ata të drejtorisë, minatorët dhe disa punëtorë.

Pasi u fol për këtë problem, kryeinxhinieri, Hysniu, shtroi mendimin që të sillnim motokompresorin, por e kemi pengesën nga ujërat e lumit Mat. Si Sali Vata, traktoristi i stalinecit, Hasani, thotë: “Po vjen e do e sjellim motokompresorin; po të mbështillet motori i “stalinecit” me mushama që të mos i laget motori, ai motor vjen në Shkopet”. Dhe kështu u bë. U kontrollua mirë gjendja e traktorit, u gjet mushamaja e si Hasani, Rahmani, Hysniu, “Luanët e Maleve”, pasi u bë gati çdo gjë, në rimorkion që do të tërhiqte traktori një ditë të bukur, “stalineci” që tërhiqte rimorkion me traktoristin Hasan përshkoi rrugën nëpër lumë duke zgjedhur vende-vende dhe ata e ne e ndiqnim anës lumit. Pas tre orësh rrugë Hasani me atë traktor solli në brinjë të shkëmbit të parë të Shkopetit motokompresorin. Rifilloi puna nga “Luanët e Maleve” që me duart e tyre e mbanin dhe shponin me vështirësi, me mjetin, vrimat dhe tani në oraret e caktuara gjëmonte Shkopeti. Për afro një javë u hap tuneli i parë i hyrjes në Shkopet. Më pas filloi puna, pas hapjes së rrugës anës shkëmbit, ku do të ndërtohej diga e hidrocentralit të Shkopetit, sipas projektit vazhdoi puna për hapjen e tunelit të dytë me rreth afro 1000 metra gjatësi dhe pas hapjes së dy tuneleve dhe ndërtimit të tri urave, në Korrik të vitit 1952 përfundoi ndërtimi krejtësisht i Rrugës së Dritës. Tashti vazhdoi puna për ndërtimin e digës së hidrocentralit të Ulzës.

E dyta. Në muajin Mars të vitit 1953, si pasojë e reshjeve të vazhdueshme të shiut, solli vërshimin e lumit të Matit që rrezikonte të prishte të gjithë punët fillestare për ndërtimin e digës së hidrocentralit si: prishjen e armaturave e pjesërisht të betonuara, punimet e shkarkimeve përbri digës që ndërtohej etj. Alarmi u dha një natë, kur rojet dhe disa punëtorë që punonin, lajmëruan vërshimin e ujërave. U ngritën, siç i thonë fjalës, “i madh e i vogël”, gjithë punëtorët, karpentierët, brigadat e rinisë të Sektorit “A” e po ashtu, drejtuesit e drejtorisë: Rahmani, Hysniu, Emin Mysliu e të tjerë si dhe inxhinierët, teknikët e specialistët sovjetikë që punonin për zbatimin e projektit të ndërtimit të digës. U punua tërë natën duke u futur në rrjedhën e ujit të lumit që vinte valë-valë e me tërbim, duke bërë çmos për devijimin e ujit për shpëtimin e armaturave e pjesërisht të fillimit të digës, duke hedhur thasë të mbushur me gurë, trarë etj, që u bë e mundur për të devijuar ujërat e lumit në shtratin e hapur apostafat duke punuar mbi 7-8 orë. Kështu shpëtoi gjithë ajo punë që ishte bërë deri atëherë me materiale dhe vlera të mëdha monetare.

Kujtoj në veçanti se sipas marrëveshjes ndërmjet Qeverisë sonë dhe asaj Sovjetike për ndërtimin e hidrocentralit të Ulzës, erdhën dhe punuan së bashku me specialistët tanë edhe 16 inxhinierë e teknikë sovjetikë, të kryesuar nga kryeinxhinieri Proçukani, një burrë rreth të pesëdhjetave e shumë energjik. Edhe ata banonin në barakën që u ndërtua për ta në Ulzë. Ata punonin gjithë javën dhe ndonjëherë shkonin vetëm të shtunave dhe të dielave. Me gjithë punën që bëhej për ndërtimin e digës ishin dhe zbatonin projektin në bashkëpunim me inxhinierët, teknikët e punëtorët tanë. Pra, sipas marrëveshjes edhe gjithë pajisjet teknike e materiale  që duheshin për ndërtimin e hidrocentralit të Ulzës e pas tij atij të Shkopetit erdhën nga Bashkimi Sovjetik, nga populli sovjetik.

Në ndërtimin e “Rrugës së Dritës” dhe hidrocentralin e Ulzës krahas gjithë asaj pune duhej të ishim të vëmendshëm ndaj veprimeve që mund të bënin për të penguar ndërtimin e kësaj vepre, sepse edhe në veprat e tjera ka pasur raste të sabotonin këto aksione. Kështu, edhe për ndërtimin e kësaj vepre ishin hapur lloj-lloj shpifjesh, sidomos me ardhjen e brigadave të të rejave nga Veriu, se në ato të reja çfarë nuk “do të ndodhë”, apo “ato që kanë shkuar në “Rrugën e Dritës” janë im…” etj.

-Nesër do lexoni:

– Për ndërtimin e “Rrugës së Dritës” dhe hidrocentralin e Ulzës masa të rrepta sigurie

– Në vitet 1952-1953 kanë marrë kontakt me vullnetarët, Hysni Kapo, Adil Çarçani, Abdyl Këllezi, Rita Marko

– Ardhja në Ulzës për vizitë në 13 Shtator 1952 e Sekretarit të Parë të Partisë së Punës të Shqipërisë, e shokut Enver Hoxha.