Muharrem Kamani: Përmeti në 107-vjetorin e Policisë së Shtetit

1081
Sigal

Policia e shtetit u krijua 41 ditë pas shpalljes së pavarësisë ku vendin e kanë drejtuar 85 qeveri e 32 kryeministra ku 2 kryeministra kanë qenë nga Përmeti

 

NOA

Në paraditen e dt 13 Janar 2020 në ambientet e komisariatit të policisë Përmet u festua 107- vjetori i policisë së shtetit. Në këtë festë të bukur simbolike morën pjesë punonjës të policisë, ish-punonjës të policisë në lirim dhe në pension, dhe qytetarë të Përmetit. Nderuan me pjesëmarrjen e tyre Kryetarja e Bashkisë Përmet Znj. Alma Hoxha, Kryetari i Bashkisë Këlcyrë Z.Klement Ndoni, Nënkryetari i Këshillit të Qarkut Gjirokastër Hodjan Selmani, Nënprefekti i Përmetit Z.Edvin Tuçi, kryetarët e partive politike në rreth, drejtuesit kryesorë të institucioneve dhe përfaqësues të shoqatave atdhetare kulturore.

Çaste solemne, ekzekutohet himni kombëtar dhe insp. Erion Konini bën ngritjen simbolike të flamurit.

N/komisar Ilir Bilbili jep komandën efektivit: “Eja në radhë, gatitu, nderimi në qendër për flamur!” e i paraqit forcën shefit të komisariatit të policisë Përmet, K/komisar Petrit Gjokaza.

Pjesëmarrësit në këtë festë i përshëndeti dhe i uroi shefi i komisariatit të policisë Përmet K/komisar Petrit Gjokaza, i cili midis të tjerash tha: “Si sot , 107- vjet më parë, pak javë pas shpalljes së pavarësisë kombëtare, qeveria e Vlorës vendosi për here të pare në historinë e Shqipërisë krijimin e shërbimit të policisë shqiptare, duke i ngarkuar përgjegjësi të mëdha në mbrojtje të rendit, sigurisë publike dhe shtetit të ri shqiptar. Kam nderin dhe kënaqësinë që në këtë përvjetor të themelimit të policisë shqiptare të përshëndes të gjithë punonjësit e policisë kudo ku janë dhe shërbejnë si dhe familjarët e tyre. Përgjatë dekadave të kaluara nga krijimi e deri më sot shërbimi policor shqiptar ka përshkruar një rrugë të gjatë plot peripeci e pengesa të panumërta të cilat kanë qenë dhe janë të lidhura ngushtë, por edhe të ndërvarura nga historia e zhvillimit të vetë shtetit dhe shoqërisë shqiptare. Përvjetori i 107-të i krijimit e gjen policinë e shtetit me një sërë arritjesh në drejtimi të realizimit të detyrave institucionale, rritjes së besimit të publikut si dhe një perspektivë të qartë për të ardhmen e sigurt drejt integrimit evropian. Të nderuar të pranishëm në këtë ceremoni, më lejoni, që t’ju uroj edhe njëherë gëzuar festën e policisë! Suksese, shëndet e lumturi në familjen ruaj! Ju faleminderit!”

Në emër të Institucionit të Prefektit të Qarkut Gjirokastër dhe personalisht të Prefektit Astrit Aliaj përshëndeti Nënprefekti i Përmetit, Edvin Tuçi i cili midis të tjerash tha: “Sot është një ditë e veçantë, pasi 107 vjet më pare u krijua një nga organizmat më të rëndësishme në mbarëvajtjen e shoqërisë dhe të shtetit ligjor, policia. Krijimi i policisë ishte një domosdoshmëri pasi një shoqëri që të jetojë dhe punojë normalisht ka nevojë për rregull dhe siguri. Përgjatë 107 viteve policia ndryshoi hap pas hapi formë dhe përmbajtjen e saj, duke iu nënshtruar kërkesave të kohës, por misioni dhe detyra e saj mbetën të njëjtë. Dhe për të arritur deri këtu është dashur sakrifica më sublime e qindra dëshmorëve të policisë ndër vite, të cilët dhanë jetën e tyre për të luftuar krimin, për të siguruar jetën, shëndetin dhe mirëqenien e mbarë shoqërisë sonë shqiptare. Në emër të institucionit të Prefektit të Qarkut dhe në emrin tim personal në këtë ditë të shënuar për ju, dëshiroj të falënderoj gjithsecilin prej jush për përkushtimin dhe përballjen në luftën kundër krimit dhe gjetjen dhe vendosjen përpara drejtësisë së autorëve të krimit! Megjithatë, do të kërkoja nga drejtuesit por edhe nga të gjithë ju punonjës të policisë që në të ardhmen puna juaj të fokusohet më shumë në parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë në të gjitha format që ajo shfaqet. Të nderuar punonjës të policisë, të pranishëm në këtë ceremoni festive, por edhe ata që janë në detyrë, veteranë të policisë e familjarë të dëshmorëve më lejoni t’ju uroj të gjithëve gëzuar festën dhe sa më shumë suksese! Faleminderit!”

Historiani Kastriot Bezati

Historiani Kastriot Bezati uroi festën dhe punonjësit e policisë në emër të SHAK “Përmeti” e të KV ku midis të tjerash tha: “Policia e shtetit u krijua 41 ditë pas shpalljes së pavarësisë në harkun kohor që nga shpallja e pavarësisë vendin e kanë drejtuar 85 qeveri e 32 kryeministra ku 2 kryeministra kanë qenë nga Përmeti, Turhan Përmeti e Mehdi Frashëri, 4 Ministra të Brendshëm kanë qenë përmetarë: M. Frashëri , S. Stefani, B. Yzeiri e P. Teta. Por në Përmet më 27 Maj 1944 Haxhi Lleshi mori detyrën e Ministrit të Brendshëm. Puna e policisë së shtetit është vlerësuar lart, ajo ka dhe dëshmorët e saj, Përmeti ka 10 dëshmorë policie, nderim dhe respekt për ta! Policia e shtetit në vitin 2002 është dekoruar nga President i Republikës me Urdhrin “Gjergj Kastriot Skënderbeu”, në vitin 2012 me Urdhrin e “Flamurit Kombëtar.” Për nder të pjesëmarrësve komisariati i policisë shtroi një koktejl ku i uroi shefi i komisariatit, i cili piu disa dolli, për punonjësit e policisë, pjesëmarrësit, dëshmorët e saj dhe për punonjësit e policisë të ndarë nga jeta kohët e fundit. Znj. Alma Hoxha i uroi në emër të Bashkisë Përmet dhe falënderoi që përkujtuat babain tim ish-polic. Ndjej shumë emocione se jam rritur qysh e vogël mes punonjësve të policisë dhe dha mesazhe për punonjësit e policisë për të rritur profesionalizmin në shërbim të komunitetit dhe premtoi për një bashkëpunim në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit. Festa mes bashkëbisedimit, dollive dhe kujtimeve me fotografi kaloi gëzueshëm.