Rajna Kovaçi/ Familja Shqiptare në kolaps të plotë dhe e traumatizuar

163

Rreth një javë më parë ndodhën ngjarje tragjike, por edhe sot… Burra që vrasin gratë në sy të fëmijëve, e më pas vrasin veten, vjehrra, nuse që helmojnë e dhunojnë njëra tjetrën, nëna që i luten fëmijëve të largohen nga Shqipëria, se këtu nuk ka të ardhme. Më keq nuk ka! Sinqerisht, prisja një reagim shoqëror të madh, por si gjithmonë, asgjë. Ende mbetet aktuale thënia popullore ballkanase, por që e përdorim edhe ne shqiptarët: “Çudia më e madhe nuk zgjat më shumë se 3 ditë”, por këto ndodhi as tri ditë nuk zgjasin, u fashitën nga tragjeditë e tjera të paralajmëruara e të pa lajmëruara. Nuk dua ta besoj, por më duket e vërtetë se na ka humbur ndjeshmëria- dhembshuria?! A është e vërtetë që shoqëria shqiptare nuk po e kupton se kriza më e madhe që po kalojmë ne sot është “ dalja jashtë funksionit dhe traumatizimi i familjes”?

Të dhënat zyrtare janë të frikshme, ato tregojnë qartë se familja po zvogëlohet nga njëra anë dhe, nga ana tjetër, ka shfaqur prirjen e shpërbërjes-prishjes. Numri i anëtarëve të familjes ka arritur në 4 apo nën 4 persona. Pra, shpesh çifteve nuk u pëlqen të kenë fëmijë. Në të njëjtën kohë, rritja e trishtueshme –marramendëse e ndarjeve për disa muaj është dyfishuar frikshëm, ku divorcet bëhen shkak dhe nxisin dhunën dhe krimet në familje. Këto nuk janë vetëm të dhëna që tregojnë tronditjen e rëndë të marrëdhënieve sociale mes njerëzve në shoqërinë e sotme shqiptare. Por tregojnë për gjendjen e rëndë shpirtërore, psikike, mendore të marrëdhënieve të çifteve të sotme. Në përgjithësi familjet e ditëve tona janë një çati e pasigurt, ku mungon stabiliteti për gratë dhe vajzat shqiptare. Është e trishtueshme, por është kthyer në një mjedis ku ato përballen me dhunën më tepër se në çdo vend tjetër. Një krisje të rëndë kanë pësuar dhe marrëdhëniet mes brezave, prindër-fëmijë dhe me moshën e tretë. Familja, që tek ne historikisht me ulje ngritjet e saj, ku ekzistonte lufta e klasave, biografitë e mira apo të këqija, përbënte bazën e marrëdhënieve të shoqërisë sonë, ka zëvendësuar shpesh edhe rolin e vetë shtetit. Familja duhet të ishte shembull për shoqërinë në përgjithësi, dhe një busull drejtimi për brezin e ri, por ajo e ka humbur dhe po e humb rolin e vet, duke e shndërruar shoqërinë tonë në një shoqëri plot kontradikta. Sot me dhimbje mund të themi, se deri në njëfarë mënyre familja-ka qenë, por sot po e humb krejtësisht rolin e vet. Edhe për faktin e rëndësishëm, se familje sot konsiderohet familja e vogël nukleare, e ngushtë, duke harruar “familjet e mëdha”, ku janë tezet, dajat, hallat, xhajallarët, kushërinjtë e farë fisi në përgjithësi, të cilët, pavarësisht se sociologjia i trajtojnë si pjesë e familjes, tashmë i kemi hequr nga parajsa familjare dhe i takojmë vetëm me raste. Me sa duket, fatkeqësisht, familja shqiptare nuk është më. Kjo traumë ka kohë që po troket kërcënueshëm në dyert e shoqërisë shqiptare, duke e rrezikuar të ardhmen e saj. Familjen tonë tranzicioni e gjeti të papërgatitur, nuk ishte e aftë të përballonte pasojat që erdhën nga kalimi i shoqërisë sonë, nga një shoqëri e izoluar, së cilës iu mohua prona, feja, nga vendi më i varfër e më i prapambetur në Evropë, u bë një shoqëri e lirë. Duket qartë se terapinë e shok-ut, që sot mund ta quajmë krizë të rëndë, që kaloi e po kalon ekonomia shqiptare po godet rëndë edhe familjen. Tradicionalisht, familja shqiptare pas shumë goditjeve të rënda që pësoi në kohën e komunizmit, ka qenë institucioni që garantonte intimitetin, dashurinë dhe dhembshurinë ndaj individit, po gjithashtu edhe baza e jetës ekonomike, bazë e strukturës shoqërore, institucioni më i rëndësishëm edukativ, arsimor e kulturor. Kurse sot, dalja jashtë funksionit të familjes ka sjellë shkatërrimin e elementëve bazë më të rëndësishëm të jetës sociale të njeriut. Sot familja shqiptare vuan nga: Mungesa të thella në edukimin e fëmijëve e të rinjve, të cilëve iu mungon njohja kuptimplotë e lirisë dhe përgjegjësisë, pra sundon anarkia.

Përfshirja e anëtarëve të familjes në privatësinë e lidhjeve afektive (kjo është puna ime, mos ndërhy në jetën time private);

  1. Largimi i anëtarëve të familjes për shkak të emigrimit,
  2. Largimi i pjesshëm apo i të gjithë familjes nga atdheu,
  3. Largimi i fëmijëve nga prindërit për studime apo për emigrim,
  4. Ekzistenca e një lloj largësie artificiale me familjen (ku pjesa më e madhe e kohës kalohet jashtë familjes).
  5. Përdorimi i jetës së dyfishtë, ku imoraliteti ka zëvendësuar “pa frikën” ndaj moralit.

Krimi në familje është kthyer në një fenomen të frikshëm, dhe kjo gjë ka ndikim negativ jo vetëm në integritetin fizik, psikologjik, ekonomik dhe social të asaj pjese të familjes që është pjesa më e ndjeshme e shoqërisë (siç janë gratë, fëmijët dhe të moshuarit). Gjithashtu ndikon edhe në stabilitetin e familjes tradicionale, sepse shoqëria shqiptare ende nuk i ka instrumentet e domosdoshme për ta përballuar krizën e rëndë që ka pllakosur familjen. Statistikat zyrtare tregojnë se fenomeni i krimit në familje po rritet nga viti në vit. Burri që vret gruan, gruaja që vret burrin-shumë rrallë, babai përdhunues, vëllai që rreh motrën, fëmija që vret prindërit, vëllai vrasës, prindër që detyrojnë vajzën të prostituojë, nëna që lënë në rrugë foshnjën etj. Shumë e rëndësishme është edhe mënyra e pasqyrimit në masmedia e kronikës zezë, pa kriteret e standardet e duhura. Kjo mënyrë e rëndon akoma më shumë gjendjen shpirtërore si dhe psikikën e rënduar të njeriut të thjeshtë. Atmosfera jetësore i kthehet në makth. Nga këto ngjarje qytetari shqiptar është shumë i ngarkuar, i traumatizuar me presionet e streset e përditshme, si do të përballojë mbijetesën, këto ngarkesa të rënda emocionale janë shumë të tepërta. Nëse analizojmë pjesët gjeografikë të krimit në familje, do të konstatojmë se ai është shumë i gjerë. Nuk ka nivele të caktuara intelektuale si nga ngritje kulturore-arsimore-intelektuale, bazë – krahine, gjinie apo besimi fetar. Krimi ndodhet dhe është i përhapur gjithandej. Është shumë e vështirë të dallosh realitetet apo krimet urbane nga ruralet. Personat e këtyre ndodhive u përkasin zonave gjeografike dhe shtresave shoqërore nga më të ndryshmet. Ata janë në fshat, në qytet, me prirje të theksuar perverse ndaj gjinisë femërore e sidomos moshave të reja. Krimi shtrihet nëpër të gjithë territorin tonë, ku vihet re makabriteti i krimit të kryer. Mënyrat dhe teknikat e kryerjes krimeve në përgjithësi janë të pamëshirshme, të egra, dhe atë që shpreh vrasja e kryer është e jashtëzakonshme-përçudnuese. Është e vërtetë që krimi – dhuna e shfaq në çdo rast anën më të egër dhe brutale të qenies njerëzore. Nëse i analizon me kujdes dhe me vëmendjen e duhur teknikat dhe mënyrat e përdorura në kryerjen e tyre, nuk ke si të mos vëresh një urrejtje, egërsi pashpirtësi, brutalitet larg egërsisë dhe brutalitetit të zakonshëm. Ekspertët konstatojnë si shkaqe kryesore të këtij fenomeni si:

  • Gjendja ekonomike;
  • Ndjenja si xhelozia;
  • Konsumimin e alkoolit;
  • Bixhozi;
  • Papunësia;
  • Shkollimi i pamjaftueshëm;
  • Niveli i ulët kulturor;
  • Mosmarrëveshjet për pronat;
  • Bashkëjetesa pas zgjidhjes së martesës;
  • Mospërballimi i kushteve të vështira të jetesës.

Pra, shteti nuk ofron ndonjë mundësi për zgjidhjen apo për parandalimin e krimit, por në të kundërt, i ka dhënë liri të tepërta “kriminelëve”. Shoqëria, qytetarët e vendit tonë, e kanë shkatërruar dokumentin shoqëror që duhej të kishin mes tyre dhe institucioneve, rregullat e legjitimitetit të autoritetit të shtetit me individët. Studiuesit kanë dalë në përfundimin se shoqëria e sotme shqiptare, udhëhiqet nga instinktet emocionale dhe jo nga rregullat e ligjet e të jetuarit në shoqëri. Ne duhet të reagojmë për këto probleme si shumë shqetësuese, sepse ato janë rënduar dhe janë bërë akute e të pashërueshme. Nuk duhet më t’i kërkojmë shkaqet e së keqes jashtë nesh. Psikologë, sociologë thonë se këto fenomene nuk janë vetëm shqiptare, por botërore. Vërtet shoqëria perëndimore duket sikur e ka “vrarë familjen tradicionale”, por nuk është e vërtetë se edhe për ata familja është e shenjtë, por kanë institucione shtetërore të fuqishme e të përshtatshme në mënyrë që individi ta ketë të mundur ekzistencën edhe jashtë gjirit të familjes. Gjithë progresi i krijuar nga shoqëria perëndimore dhe qeveritë përkatëse në drejtim të sigurimeve shoqërore, përkujdesjes sociale dhe përkrahjes sociale të njerëzve në nevojë, ka për qëllim, plotësimin e zbrazëtisë së krijuar nga kriza e familjes: ka raste kur njeriu humb familjen, por shoqëria dhe shteti i gjendet pranë duke i krijuar kushte, për mos e lënë në mes të katër rrugëve. Kurse shteti dhe shoqëria shqiptare është ende larg krijimit të kushteve të tilla dhe kjo është arsyeja, pse kriza e familjes shqiptare bëhet edhe më e mprehtë e më e thellë. Çfarë bën shteti shqiptar për ta mbajtur të shëndetshme familjen shqiptare? Asgjë, e këtu është dhe shkaku kryesor i thellimit të krizave brenda familjes. Po të studiojmë politikat dhe qëndrimet e shtetit dhe shoqërisë shqiptare, rezulton se: Jemi shumë larg projekteve dhe politikave për mbrojtjen e familjes, për mbrojtjen e individit. Është e vërtetë që është krijuar një strukturë e posaçme për mbrojtjen e fëmijëve dhe viktimave të dhunës në familje; janë bërë përmirësime ligjore në këtë drejtim; janë kryer trajnime të vazhdueshme për punonjësit që janë të angazhuar drejtpërdrejt në parandalimin e dhunës në familje, por gjithçka vazhdon të mbetet si më parë. Pra pushteti lokal, autoritetet shtetërore, shërbimet sociale, shkollat, gjykatat, NGO-të e ndryshme dhe policia deri tani nuk kanë ndikuar në parandalimin e krimit në familje. Tashmë rezulton se dhuna në familje nuk mund të parandalohet nga forcat e rendit apo agjencitë e tjera, apo nga NGO të ndryshme. Por duhen marrë masa të njëpasnjëshme nga shumë institucione, pa harruar edhe ndihmën për dhunuesit sepse duhet të përmirësohen. Sidomos ndihma për fëmijët, që ushtrohet dhunë bashkë me nënat në familje, e që rrezikojnë të vazhdojnë të dhunojnë. Ky është një proces i tërë, i cili që nuk mund të zgjidhet me seminare e konferenca të zhvilluara në salla të mbyllura, apo me projekte stereotipe të cilat nuk kanë dhënë zgjidhje. Procesi i rimëkëmbjes shoqërisë shqiptare, është një proces që ecën paralelisht me proceset e tjera të zhvillimit ekonomik, social, kulturor, juridik e ligjor, të luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar e ordiner. Shteti dhe qeveria kanë detyrë të kujdesen për të krijuar e zbatuar projekte konkrete e afatgjata, ku të përfshihen shtresat në nevojë të shoqërisë, për punësim, edukim, strehim dhe integrimin e tyre në shoqëri. Ky është një proces që duhet bëhet si një betejë kundër një të keqe të madhe. Ku pikë së pari duhet të pranojmë realitetin objektiv se: Deri më sot, shteti shqiptar me gjithë organizmat politike shoqërorë ka dështuar për ta parandaluar fenomenin e “ dhunës në familje dhe të rrënimit të familjes”. Ky nuk duhet të jetë vetëm hapi i parë, por edhe një pikë kthesë e rëndësishme, një lëvizje që do të ngjallte shpresën, tashmë të humbur, për parandalimin e shkatërrimit të bërthamës së shoqërisë shqiptare, familjes. Familja perfekte nuk ekziston, por duhet të ekzistojë familja e zakonshme, ajo funksionalja. Duhet të ekzistojë klasa e mesme e shoqërisë, e cila është zhdukur. Për ta patur këtë familje duhen luftuar shkaqet që e çuan në këtë gjendje si:

  • injoranca,
  • varfëria,
  • padrejtësia,
  • pasiguria,
  • humbja e moralit shoqëror,
  • ndjeshmërisë,
  • nderimit e respektit për pjesëtarët e familjes.

Mënyra më e mirë për të parashikuar të ardhmen është të fillosh ta krijosh atë menjëherë. Duhet të rritet sensibilizimi i popullsisë. Familja dhe shoqëria jonë duhet të ofrojnë më shumë mbështetje për viktimat e dhunës familjare, sepse shumë nga këto raste vazhdojnë të qëndrojnë në lidhje abuzive, sepse s’kanë ku të shkojnë, apo për të ruajtur “nderin e familjes”. Duhet të ketë emisarë që të shkojnë nëpër të gjitha skajet e Shqipërisë për të folur për parandalimin e dhunës, por mos të harrojmë edhe gjakmarrjen si një plagë që ende nuk është shëruar. Programet e shkollës duhet të luajnë një rol të rëndësishëm në edukimin e brezit të ri. Mendoj që ndërhyrjet në rastet e dhunës në familje të bëhen njëherësh nga të gjitha agjencitë e institucionet e ngarkuara me ligj, si dhe të institucionalizohen procedurat ku të vendosin në qendër sigurinë e viktimave, të përmirësohet dhënia e llogarisë të kriminelëve për t’u dhënë dënimin e merituar. Duhet që familja, nga një faktor dëshpërimi të shndërrohet në një faktor shprese, lumturie. Duhet ta dimë mirë se nuk ka si familja ne duhet të përjetojmë vlerat e saj, ta ndjejmë rëndësinë e të pasurit familje. Kjo me siguri do të jetë një hap i rëndësishëm që do lehtësonte edhe një nga kërkesat e procedurave që Shqipëria t’i bashkohet sa më parë “familjes së madhe evropiane”, që mbetet një ëndërr dhe aspiratë e përhershme, për të cilën “po rraskapiten” dhe politikanët tanë. Në përfundim dua të risjell në kujtesën e të gjithëve fjalët e arta të Nënës tonë Terezë. “Ne nuk kemi nevojë për armë dhe bomba të sjellim paqe, ne kemi nevojë për dashuri dhe dhembshuri”.“Si të promovoni paqen në botë? Shko në shtëpi dhe duaj familjen tënde”.