“Miss Summer Word 2018” do të zgjedhë më të bukurën e Botës, më 19 Maj

3633
Sigal

Albana Çakshiri producentja e një prej eventeve më të mëdha në Shqipëri “Miss Summer Word”, në një intervistë për Gazetën “ Telegraf” shprehet se ky është edicioni i tretë brenda tre viteve. Finalja do të mbahet, më 19 Maj në skenën e Kavajës ku marrin pjesë 20 konkurrente.

 -Zonja Albana, sa e mundshme ishte që “MISS SUMMER WORD 2018” të organizohet në Shqipëri?

– “Miss Summer World” një patentë ndërkombëtare bukurie tashmë është ngjizur bukur me Shqipërinë si një vend që jo vetëm mikpret më të bukurat e Botës, por është vend organizator dhe ne si pronarë të patentës gjithashtu jemi shqiptarë. Kjo do të thotë se është një produksion “Made in Albania”. Kjo do të thotë se Shqipëria është potencial edhe në art ndaj dhe “Miss Summer World 2018” do të jetë një nga eventet elitare të bukurisë në botë për shumë kohë.

– Çfarë është “Miss Summer Word” dhe rëndësia që ka në krahasim me konkurset analoge të bukurisë?

– Ky kompeticion në thelb ka vlerat dhe bukurinë fizike të kombinuar me sharmin dhe personalitetin e çdo konkurrenteje. Sigurisht në botë ka shumë gara bukurie të natyrave të ndryshme, por unë do të thosha se ky event që tashmë është në vitin e tij të tretë ka identitetin dhe filozofinë e tij që e bën unik nga të tjerët. Ne synojmë së pari që nëpërmjet ambasadoreve të bukurisë në botë të promovojmë vlerat e turizmit shqiptar dhe të Shqipërisë turistike. Por përveç kësaj sjellim sharmin dhe elegancën e bukurisë botërore në një vend që shquhet për veçantinë e sharmit femëror.

– Cilat janë kriteret për pjesëmarrje në këtë Konkurs Bukurie?

– Për sa i përket kritereve natyrisht që janë disa. Së pari, vajzat duhet te jenë pjesë e garave në shtetet nga vijnë apo dhe konkurrente në gara ndërkombëtare. Padyshim kriteri i moshës, gjatësia por dhe karakteri personal janë bazike për sa i përket rregullores për të qenë pjesë e eventit. Ndërkaq produksioni emëron Drejtoret Kombëtarë të çdo shteti për të bërë selektimin e vajzave dhe përzgjedhjen e asaj që përfaqëson shtetin përkatës. Natyrisht për të arritur deri në garë duhet mjaft punë qe gjithçka në fund të jetë një ngjarje artistike e paharruar.

– Cila e përfaqëson Shqipërinë?

– Këtë vit Shqipërinë e përfaqëson Meri Murrizi 18-vjeçarja nga Elbasani që vjen me disa eksperienca në fushën e modelingut dhe vetëm pak kohë më parë është kthyer nga India ku ka firmosur një kontratë të rëndësishme.

– Konkurrueset që kanë mbërritur në Shqipëri çfarë përshtypje shprehin për vendin Tonë?

-Vajzat konkurrentë të “Miss Summer World 2018” janë të befasuara pozitivisht nga Shqipëria jo vetëm nga bukuritë natyrore, por edhe nga mikpritja e shqiptarëve. Gjithashtu admirojnë pafundësisht kuzhinën tonë dhe gatimet e shijshme tërësisht shqiptare, që do të thotë se këto bukuroshe janë duke u ndierë nga pak shqiptare gjatë këtyre ditëve të qëndrimit këtu.

– Cili mund të jetë motivi që një vajzë të marrë pjesë në këtë eveniment bukurie?

– Motivet janë disa, por më kryesori është si se një titull në një eveniment botëror të hap shumë dyer. Por nga ana tjetër njohjet dhe miqësitë e reja të krijuara gjatë ditëve të qëndrimit janë edhe më speciale.

– Cilat janë kriteret e Vlerësimit?

– Juria ndërkombëtare vlerëson me anë të sistemit të pikëve vajzat për çdo performancë skenike. Qëndrimi skenik, raporti me kamerën apo aparatin fotografik, përmasat trupore që janë thelbësore janë disa nga pikat ku mbështetet juria në gjykimin e saj. Pikët e mara nga çdo anëtar jurie përllogariten dhe në bazë të shumatores së pikëve shpallet më e mira.

– Cila është Juria?

– Juria ndërkombëtare është e përbërë nga emra të njohur në fushën e eventeve të bukurisë në botë, modelingut, njerëz që vijnë pra drejtpërdrejt nga bota e spektaklit. Por pjesë e jurisë ndërkombëtare janë edhe disa personalitete nga Shqipëria. Është Fatos Çerenishti një nga sipërmarrësit më të suksesshëm në fushën e turizmit në vendin tonë, që ka mikpritur konkurrentet e eventit në kompleksin e mirënjohur “FAFA”. Pjesë e gjykimit është dhe një nga botuesit më të suksesshëm në Shqipëri Ëngjëll Musai, Artur Porpollogu etj.

– Sa mund të ndihmojë pjesëmarrja në këto konkurse në të ardhmen e një vajze?

– Çdo event bukurie, përveçse është një eksperiencë më shumë për gjithsecilën prej pjesëmarrësve në këto kompeticione. Jeta e tyre ndryshon pasi shumë prej këtyre garueseve janë pjesë e pasarelave të modës, imazh i brand-eve më të njohura në botë pa harruar pjesën e kinematografisë ku gjithmonë janë shumë të preferuara. Femra e bukur është gjithmonë në qendër të vëmendjes, pasi bukuria nuk është vetëm status por dhe mënyrë jetese në kohët moderne. Një miss është përherë e admiruar dhe e lakmuar, por ngacmime në kontekstin negativ janë shumë të pakta.

– A ka zili, smirë dhe “intriga” midis vajzave ndaj njëra-tjetrës për të (për)fituar një vend më të mirë?

– Edhe zilia, apo smira janë pjesë e karakterit njerëzor. Por ajo që unë sjell nga eksperienca ime është fakti që këto konkurrente kërkojnë te japin më të mirën në skenë, duke pasur ambicie për të qenë fituese. Kur vjen momenti i kurorëzimit gjithsecila e dëshiron kurorën, çka më duket krejt e natyrshme.

– Sa është vlera materiale që përfitojnë fitueset?

– Në eventin tonë nuk ka vlerë monetare, pasi një titull botëror është shumë më tepër se ana materiale. Ne ju japim mundësi vajzave të jenë pjesë e kompanive të njohura në fushata publicitare ku kontratat me këto kompani janë në shifra shumë të larta.

– Femrat në konkurse bukurie, ngacmohen më shumë për famën? Për karrierën profesionale?

– Profesionet që lidhen me modelingun, kinematografitë gjithmonë preferojnë imazhet e bukura dhe kjo shërben si trampolinë për të kapur suksesin.

– Në “Miss Summer Word”, cilat karakteristika fizike dhe të Personalitetit të femrave vlerësohen më shumë?

– Ashtu si e theksuam dhe më sipër karakteristikat që çmohen më tepër janë përmasat fizike, gjatësia dhe performanca skenike. Nga ana tjetër karakteri është shumë i rëndësishëm për një vajzë që të fitojë trofeun e fitimtares.

Cili është dallimi midis një femre të bukur nga një femër simpatike?

– Pyetja është interesante, por përgjigja është pak e vështirë, pasi bukuria është çështje shijeje dhe nuk ka vijë ndarëse midis të bukurës dhe simpatikes.

Çfarë nuk duhet të bëjë një konkurrente, në momentin e demonstrimit të saj?

– E rëndësishme është që një vajzë kur shfaqet në skenë të mos kapet nga euforia, e cila është shkatërrimtare për këdo në skenë.