Bardhyl Berberi: Historia e Dr.Jorgonit me mjeken ruse të Leninit, Kazanova

49

Bardhyl Berberi

Pogradeci është
shtuar shumë nga 18 mijë banorwqë kishte në vitin 1990, sot numërohen vetëm në
qytet  mbi 55 mijë banorë  …. Kishte kohë që nuk e kisha parë dr.
Jorgonin  … Befas  një ditë në varrimin e një të afërmi e shoh
emrin e tij mbi një pllakë varri. Shtanga . Ja pse nuk e kam parë dr. Jorgonin,
thashë me vete.  Në moshën 95 vjeç
doktori i famshëm është ndarë nga jeta. Kisha qenë para disa kohësh në shtëpinë
e dr. Jorgonit ,atëherë kur ende nuk ishte ndarë nga jeta bashkëshortja e tij,
Viktoria. Pasi me ftoi për një kafe ….

Në katin e sipërm
të një ndërtese dy katëshe shtetërore, i humbur mes kujtimesh të largëta kohëve
të mjegulluara  dhe dëshira ende të
pashuara për t’u shërbyer njerëzve në profesionin e tij të mjekut ndonëse ka
hyrë në vitin e nëntëdhjetë e pesë  të
jetës së tij doktor Theodor Jorgoni,  hedh shikimin tutje mbi rrugën buzë liqenit të
mbushur me kalimtarë dhe fëmijë . Vështrimi i qetë dhe fytyra serioze ndonëse në
një moshë të madhe, gati shekullore me një kujtesë të jashtëzakonshme. Kujton
atë kohë, më 9 gusht të vitit 1958  kur
erdhi në Pogradec dhe ngeli “rob” i këtij qyteti, ndonëse  është një tiranas i vjetër shatë breza. Thotë
se ai është bërë pogradecar madje edhe ndjehet krenar, që këtij qyteti i ka
falur tërë pasionin dhe dijet e tija të fituara në Universitetin e Romës  ku ai është diplomuar në degën e pediatrisë
kirurgjikale .

Troket dera dhe në
kuadratin e saj shfaqet një grua me një foshnjë në dorë …-Doktor Jorgoni foshnjës
sime edhe pse i kam dhënë antibiotik nuk i bie temperatura! Urgjent bëji një
banjë, thotë doktori, më pas do të them unë se çfarë do t’i bëjmë! Gruaja është
fqinjë me doktorin dhe largohet me të shpejtë …

Vazhdojmë bisedën
me doktorin, i cili qëndroi në Itali deri në vitin 1942 dhe kthehet në atdhe
pas thirrjes së intelektualëve shqiptarë për të ndihmuar atdheun nga pushtimi
fashist  .Fillimisht punon në spitalin
ushtarak të Tiranës më pas në spitalin civil 
të Tiranës. Ai do ta quaj një fat të rrallë, që gjatë kohës që punoi si
mjek pediatër në spitalin pediatrik të Tiranës, do të punonte me një mjeke të
shquar ruse Kazanova, e cila për shumë vite kishte qenë mjeke personale e
Leninit. Profesoresha e famshme ruse Kazanova, tregon dr Jorgoni, ishte e
moshuar dhe kishte ardhur në Shqipëri për të ndihmuar mjekët shqiptarë menjëherë
pas çlirimit të Shqipërisë nga okupatorët fashistë . Ajo më ka mbajtur afër dhe
ky ka qenë një fat për mua. Dr Jorgoni kujton me imtësi një ngjarje. I vjen në
spitalin e Tiranës një djalë 6 vjeçar nga Dunica e Mokrës, mbaj mend që quhej
Çelnik, mbiemri nuk më kujtohet thotë ai. Dr Jorgoni kujton se ky djalë kishte
një sëmundje të rrallë, me bark të ënjtur. 
Së bashku e mjekuam për tre muaj duke aplikuar metoda nga më të fundit por
përmirësimi ishte i  pakët. Pas një muaj
mjekim doktoresha e famshme ruse Kazanova  nuk u dorëzua duke më thënë mua se  çfarë do t’i  bënim, mjekim pas mjekimi. Por dr Jorgoni
vazhdoi që t‘a ndjekë me këmbëngulje edhe për tre muaj të tjera dhe thotë, se iu
bënë dy metro gjatësi kartelat tek koka e krevatit, që pas çdo mjekimi mbante
shënime të hollësishme tregon. Dr Kazanova i lexonte çdo ditë shënimet e dr
Jorgonit dhe çuditej me këmbënguljen dhe pasionin e këtij mjeku të ri pasionant
.Pas tre muaj dr Jorgoni arrin që t‘i sjellë Çelnikut 6 vjeçar një përmirësim të
dukshëm. Por pa dyshim me kureshtjen e një mjeku e pyesja kur pinim kafe mbi
Leninin …të cilit ajo i kishte shërbyer për gati 10 vjet. Kazanova më tregonte
për pasionet e Leninit, për muzikën, shahun shëtitjet me biçikletë dhe ecjet e
gjata nëpër pyll krejt vetëm për gati një orë çdo ditë  me një pamje meditative …Mjekja e famshme
ruse tregon për verën e vitit 1918 në Taraskovë , atje ku bënte pushimet Lenini,
por atje kishte shumë mushkonja. Një mëngjes ngrihet i buhavitur Lenini dhe më
thotë mua, shiko se çfarë më kanë bërë mushkonjat,  më kanë grirë fare. Urdhëroi shoferin e tij,
Gilin se do të largoheshim urgjent që aty .U nisëm për në Barvihë,  një kodër e pyllëzuar afër lumit “Moska”. Gjatë
kohë që i mjekoja plagët e mushkonjave befas miu drejtua duke më thënë, më
trego diçka për jetën tënde  …Ishte shumë
i dashur. Mjekja e famshme ruse Kazanova me tregoi, se e mjekonte Leninin nga
një luhatje tensioni të shoqëruar me një aritmi në zemër …

Por jeta është e
çuditshme, thotë  dr Jorgoni  nga viti 1958, unë emërohem në Pogradec në atë
kohë kishte vetëm një mjek, ishte vetëm dr Misto Marko. Në qytetin turistik buzë
liqenit mortaliteti i fëmijëve ishte problem .Fëmijë të paushqyer mirë vdisnin
si mizat. Djaloshi nga Tirana plot pasion dhe ëndrra pothuajse e kalonte gjithë
ditën në spital. Madje edhe shtëpinë ku aktualisht banon dhe sot, ia dhanë pranë
spitalit të vjetër. Punonte nga 16 deri në 18 orë në ditë. Doktori kujton
dimrin e vitit 1963, kur nuk mund të shkonte ambulance në Mokër dhe ka udhëtuar
në këmbë mbi 6 orë, duke çarë dëborën dhe arriti të shpëtojë një foshnjë 6 javëshe.
Por shpesh herë dr Jorgoni fëmijëve të varfër ua blinte ilaçet nga rroga e tij.  Fillimisht i është ndarë nga jeta bashkëshortja
e dr Jorgonit, Vitoria. Ai tashmë ka mbetur krejt i vetmuar, dy djemtë e tij së
bashku me familjet janë në emigracion, në Kanada …Doktori psherëtin thellë “ e kisha
më tepër shoqe, se sa bashkëshorte …Më pas ai i përlotur thotë, se populli i
Pogradecit është një popull i mrekullueshëm, ata e kanë nderuar dr Jorgonin. Ai
nuk del asnjëherë të bëjë Pazar, sepse sapo del tek tregu i dalin të njohur dhe
mundohen që t’ia japin prodhimet pa lekë, gjë që është krejt e papranueshme për
këtë doktor. Mjekun dhe mësuesin, thotë dr Jorgoni, jashtë shtetit  e zgjedhin që në fillore, sepse mjeku dhe mësuesi
është një figurë shumë e nderuar. Zgjedhin fëmijë me personalitet, jo alabakë
siç ndodh rëndomë tek ne, kur shumë mjekë ndërtojnë nga dy tre vila dhe blejnë makina
të shtrenjta luksoze, me çfarë, shton ai, duke rrjepur këtë popull fukara, turp
por unë besoj, thotë ai, se ka një fuqi të mbinatyrshme që te godet atje ku nuk
e pret.

Në shtëpinë e dr.
Jorgonit të bie në sy një thjeshtësi e jashtëzakonshme të gjitha orenditë janë
të kohës së diktaturës. Nuk na del, thotë dr. Jorgoni.  Më mirë kështu thjeshtë dhe me nder. Pasuria
ime më e madhe, thotë ai, është ai respekt i njerëzve të thjeshtë, që kur kaloj
rrugës më flasin të gjithë me dashuri. Kjo besoj nuk është pak, thotë dr. Jorgoni.
Të dy djemtë e dr Jorgonit ndodhen në emigracion. Urimi djali  madh, babai i dy vajzave dhe një djali, Aleksandrit
që i ka bërë ata stërgjyshër, ndërkohë që edhe djali tjetër, Genci së bashku me
familjen ndodhen në Kanada. Kemi shkuar edhe ne në Kanada, thotë dr. Jorgoni, kemi
qëndruar disa muaj, por folenë e kemi këtu, në Pogradec. Dr Jorgoni është djali
i një tregtari që ka shumë prona në Tiranë, por asnjë nuk e ka marrë .

Për gjithë këtë
kontribut të jashtëzakonshëm të dr. Jorgoni, më 30 korrik 1984 dekorohet nga Presidiumi  i Kuvendit Popullor me titullin “Mjeshtër i
punës”.  Doktor Jorgonit ende i vijnë
njerëz me ndonjë sëmundje të rrallë dhe të gjithë i mirëpret. Një jetë e tërë
pa gjumë  në shërbim të njerëzve të thjeshtë
dhe kjo nuk është pak, thotë dr. Jorgoni. Shfletojmë një album dhe shohim foto
të dr. Jorgoni futbollist me skuadrën “Agimi” të Tiranës, madje edhe në Itali,
ai ka luajtur. Miq të tij të afërm kanë qenë përveç mjekëve të shquar Theodhosi
apo mjekja ruse Kazanova edhe artistët e skenës; Sandër Prosi dhe Prokop Mima …

Shikoj atë fytyrë
të ëmbël të dr. Jorgonit dhe më erdhi e gjallë e gjithë biseda me dr. Jorgonin.  U prefsh në paqe o njeriu i mirë që çdo
pogradecar të kujton me shumë respekt …