Abaz Hoxha: Malli për Tragjasin e luftës dhe të penës

162

Fshati më kujton fëmijërinë, patriotizmin, burrat e mençur dhe luftëtarë të pa epur për kulturën, dijen.

Malli për vendlindjen, Tragjasin madhështor të Luftës dhe Penës

 

Abaz Hoxha

 

Nuk të lenë rehat kujtimet e fëmijërisë, vendi ku ke lindur dhe ke hedhur hapat e para në jetë. Vendi ku ke marrë mësimet e para. Kujtimet të thërrasin që të rikthehesh atje të kujtosh ato vite të bukura. Të shohësh rrapet shekullore dhe dy çezmat pranë tyre, ku mblidheshin burrat e fshatit në kuvende dhe flisnin për hallet e kombit, ku vendosnin për ndihmën ekonomike që duhej t’u jepej nxënësve te shquar për të vazhduar shkollat më të larta brenda dhe jashtë Shqipërisë, ku ia thoshin këngëve labe patriotike dhe të dashurisë, ku në 4 dyqanet e fshatit shiteshin lloj-lloj artikujsh ushqimorë e shkollore e njëkohësisht edhe kafene ku kalonin kohën e lirë. Nuk mungonte në këto lokale edhe lojërat e bixhozit deri me lojën e pokerit si në Montekarlo, ku mblidheshin çetat patriotike dhe bënin planet e luftës kundër pushtuesve që nga prehistoria. Aty pranë çezmave me ujë te akullt që vinte nga gurra e Barçallasë, ishin dhe koritat me çimento ku gratë e fshatit lanin rrobat sikurse edhe koritat e çimentos ku pinin ujë kuajt e fshatit. Tek ato rrepe shkonim edhe ne të vegjlit dhe njiheshim me traditat patriotike nëpërmjet teksteve të këngëve ose rrëfimeve të moshuarve pjesëmarrës në beteja, atje u ushqyem me ndjenjat patriotike, atje u njohëm me armët e modeleve të ndryshme, atje na u rrit dashuria për Atdheun, prandaj edhe ne të vegjlit u përfshimë në luftë në shërbim të atdheut. Na kujtohet shkolla jonë ku morëm mësimet dhe u bëmë më të aftë për t’i shërbyer atdheut në sajë të edukatës dhe përkushtimit të arsimtarëve tanë të nderuar që nuk kursyen asgjë për t’i shërbyer jo vetëm arsimimit, por dhe u bënë shembull i patriotizmit, sepse vetë kishin marrë pjesë në të gjitha betejat kundër pushtuesve të huaj.

Kthimi në fshat

 

U ktheva në fshatin tim të bukur dikur, një perlë karshi gjirit të Vlorës, por që u dogj disa herë gjatë Luftës dhe sot është shndërruar në gërmadha. Vajta edhe te shkolla ku kreva 5 vjetët e parë, kujtime të bukura, por përbrenda kisha një dhimbje për atë qe ka ndodhur, që ky fshat, perlë, ky fshat qytet që në vitet tridhjetë kishte pothuajse të gjithë djemtë e vajzat të shkolluar në shkollat më të mira të Shqipërisë, një fshat që edhe në fillim te viteve ’1920 kishte mbi 1200 banorë, ku ishin kthyer shume emigrantë nga Sh.B.A dhe vendet të tjera dhe bashkë me gjuhën kishin sjellë edhe jetën e kulturuar të vendeve nga vinin. Fshati ku ne vitin 1913 kish dhënë mësim Avni Rustemi dhe mësuesi i parë që drejtoi shkollën shqipe. Më parë shkollën e drejtonin italianet dhe sundonte italishtja, me 4 klase ne vitin 1919-1920 ishte patrioti Tahir Hoxha. Shumë ngjarje mu kujtuan u mahnita pas bukurisë te maleve, kodrave pas panoramës madhështore përballë detit dhe gjirit të Vlorës edhe gërmadhat më dukeshin madhështore dhe mu kujtua jeta e gjalle dhe e vrullshme që ziente atje në ato vite të lavdishme të fëmijërisë time. Kujtime të paharruara dhe bëra edhe disa foto te rrapet shekullorë dhe dy çezmat e fshatit, përpara gërmadhave të shkollës ku mora mësimet e para dhe në kodrat e fshatit tonë dikur madhështor.

Tragjasi

 

Ky emër shumë i dashur për mua që më kujton fëmijërinë, patriotizmin, burrat e mençur dhe luftëtarë të pa epur për kulturën, dijen. Fshati ndoshta nga të rrallët që i kish futur djemtë e tij për të mësuar në të gjitha shkollat profesionale të Shqipërisë, në Tregtaren e Vlorës, Normalen e Elbasanit, Tekniken e Tiranës, Bujqësoren e Kavajës, Liceun e Korçës. Fshati që kur një nxënës shkëlqente në mësime mblidhesh i tëri në kuvend nën drejtimin e Pleqësisë dhe vendosnin bashkërisht se si duhej ta ndihmonin atë që të vazhdonte më tej studimet e mesme dhe të larta. Dhe i gjithë fshati, të varfër e të pasur, ndihmonin sipas mundësive dikush me një dele, dash ose qengj, dikush qethjen e parë të bagëtisë, dikush vedrën e parë të qumështit dhe këto shiteshin e grumbulloheshin për të paguar bursën e nxënësit.

Kështu u shkolluan djemtë e fshatit, u mbrujtën ata me solidaritetin e patriotizmin dhe kur fshati, Atdheu, Shqipëria i thirri ata u ngritën në këmbë dhe i dolën zot. U kthyen nga shkollat, Fejzo, Ago e Merjeme Gjomema, Tana, Qazim e Xhemil Çakërri, Lufter, Niko, Kujtim dhe Abaz Hoxha, Filat,Tefta, Leka dhe Hetem Muço, Memisha Stepa, Selim e Hasan Alimerko, Halim Ramohito e Avni Hakani, Shyqyri Alimerko dhe Abaz Fejzo, Gjovarf Bançi e Hajro Shyti, Donika Dulaj, e shumë të tjerë. U kthyen në Tragjas edhe djemtë e tjerë që punonin nëpër Shqipëri për të nxjerrë bukën e gojës Idai Bejo e Taborr Imami, Sali Ormëni, Tanush Shyti, Thanas Gaba e Bajram Gjata, Gjon Banushi e Berdo Asllani, Elmaz Muharrem Ymeri, Lilo Asllani e Azbi Mete e shumë të tjerë. U kthyen të gjithë si bletët pranë kosheres-Tragjas që ndonëse nuk jepte mjaltë ishte burim patriotizmi, rrezatonte dije e kulturë nëpërmjet bijve të tij që i përgatiti me vuajtje e sakrifica financiare por që ata ia shpërblyen duke iu ndodhur pranë në ditë të vështira dhe një pjesë e tyre, dhanë edhe jetën e tyre të re për atdheun.

Aty tek rrapet e Tragjasit dhe në kodrën pranë shkollës, ku ishin edhe lëmënjtë e fshatit, grumbulloheshin edhe kryengritësit e çetave të Alem Mehmetit, Hetem Totos ose të çetave partizane gjatë Luftës Nacionalçlirimtare. Aty u njoha për herë të parë në jetën time me pushkët e modeleve të ndryshme, të maliherëve, topçinjve e belçikëve, me mitralozat e parë “Breda” të zënë nga pushtuesit me automatikët që mbanin oficerët italiane, me pistoletat Nagant ose Bronvik e Berreta, me gjerdanët e fishekëve të luftëtarëve të lirisë etj. Atje tek rrapet e Tragjasit mëkohej patriotizmi i brezit të ri.

Pozicioni gjeografik

 

E vendosur përballë gjirit të Vlorës ku dukesh Karaburuni dhe ishulli i Sazanit dhe kaltërsia e detit Adriatik dhe nga ana tjetër në Lindje mali i Lungarës rreth 1300 metra që ngrihet pothuajse pingul mbi nivelin e detit sikurse dhe fusha e Katiut dhe në të majtë edhe Pashalimani/Orikumi/ nuk kish se si të mos të të mbushnin me krenari, nuk kish se si të mos të të të ushqenin një dashuri për këtë vend perlë në gjirin e Adriatikut. Vetë Tragjasi me pamjen e tij madhështore në faqen e malit që vështron nga gjiri i Vlorës, shtëpizat e bukura dykatëshe të ndërtuara me gur dhe qoshet e portat me gur të skalitur, me shkallët e gurta të ushqenin një dashuri për vendin tënd.

Ishin këto arsyet që këtë fshat unë nuk e harroj kurrë ndonëse kam jetuar atje vetëm 5-6 vjet të fëmijërisë sime, vitet e shkollës fillore por më kanë lënë mbresa të pashlyeshme, të cilat i kujtoj vazhdimisht me nostalgji.

Tek rrapet shekullore në qendër të fshatit ziente jeta si në një qytet të populluar. Gratë mbushnin ujë ose lanin rrobat në sofatë e ndërtuara apostafat me çimento pranë dy çezmave me ujët të ftohtë. Dikush u jepte ujë kafshëve në ulluqet me çimento. Në të katër dyqanet e fshatit vazhdonte të luhej pokeri si në Montekarlo. Partizanët mblidheshin e këndonin ose mësonin përdorimin e armëve shokëve të tyre më të rinj dhe banorëve të fshatit. Kodra pranë shkollës dhe xhamisë gumëzhinte nga lëvizjet, venin e vinin korrierët e Këshillit Antifashist që ishte zgjedhur pak kohë më parë dhe drejtohesh nga mësuesi dhe patrioti Tahir Hoxha. Mblidheshin diskutonin, përgatisnin planin e aksioneve. Ndërsa ne më të vegjlit nuk ndaheshim për asnjë çast nga këto veprimtari dhe veçanërisht nga partizanët që na tregonin përdorimin e armëve. Bënim shërbime të tjera të vogla si korrierë për t’u lidhur me lagjen e Thanasajve që ishte në krye të fshatit. Edhe ne ishim shkrirë në vrullin e ngjarjeve në shërbim të Luftës Çlirimtare dhe për çdo shërbim që kryenim e ndienim veten krenarë, më të rritur, më të pjekur dhe po bëheshim përherë e më të vetëdijshëm se edhe ne mund të ishim të dobishëm bile edhe të luftonim.

Në Tragjas zhvillohej një jetë aktive qytetare

Katër tregtore e pijetore në atë kohë nuk i kishin as qendrat e Nënprefekturave. Pranë këtyre tregtoreve ose tek rrapet mblidheshin e këndonin burrat e fshatit e rreth tyre si gjithmonë kureshtarë fëmijtë. Nëpërmjet këtyre këngëve polifonike labe, nëpërmjet të fyellit dhe cyles dyjare edukohesh brezi i ri për kultivimin e traditës, nëpërmjet të tekstit të këtyre këngëve njiheshin ata me ngjarjet shekullore, me historitë e luftërave për liri, me figurat e shquara të Tragjasit, krahinës dhe gjithë Shqipërisë. Ato ishin qendrat e kultivimit të patriotizmit që ndikuan shumë për ngritjen në luftë të përgjithshme të gjithë Tragjasasve në Luftën për çlirimin e vendit nga pushtuesit nazifashistë.

Jeta gjallërohej sidomos në periudhën e pushimeve verore kur vinin bijtë e tij që kishin studiuar nëpër shkollat më të njohura të vendit. Prej andej ata binin jo vetëm arsimin por edhe njohuritë për dijen, shkencën, kulturën shqiptare dhe botërore mbasi ato shkolla ishin ngritur me koncepte bashkëkohore binin përvojën amerikane dhe evropiane, induktonin tek nxënësit kulturën e tyre dhe nëpërmjet këtyre nxënësve induktohej edhe në rininë dhe gjithë popullsinë tjetër të Tragjasit. Të gjitha këto ndikonin në emancipimin dhe thyerjen e normave dhe zakoneve të vjetra që ende kishin rrënjë. Ata ndikuan në emancipimin e vajzave dhe të grave dhe përgjithësisht në emancipimin e mendimit. Këta studentë binin mendimin qytetar të vendeve ku kishin studiuar të Tiranës, Korçës, Shkodrës, Vlorës, të shkollës amerikane bujqësore të Kavajës, binin përvojën botërore në bujqësi, në blegtori, arsim etj. Ishin këto arsye të marra së bashku të cilat bënin që në Tragjas të bëhesh një jetë qytetare, e kulturuar.

Mësuesit e nderuar të shkollës së fshatit i edukonin nxënësit e tyre me normat qytetare të bashkëjetesës kolektive që të mos hidhnin për tokë mbeturinat, që të silleshin denjësisht me të moshuarit, të respektonin më të mëdhenjtë, të mos preknin pronën e tjetrit, të ishin të pastër dhe të visheshin thjeshtë e bukur sipas mundësive ekonomike që kishte Sicili. Këto e shndërruan Tragjasin në një vatër dije e kulture në një fshat-qytet, të cilin e kish zili gjithë krahina.

Ai ishte një fshat perlë, një fshat muze. Vetë fakti që unë i shkruaj këto kujtime me kaq dashuri pas një periudhe shumë të gjatë, pas afro 70 vjetëve do të thotë se sa shumë ka ndikuar në jetën time ajo periudhë relativisht e shkurtër që unë kam jetuar në Tragjas, sa shumë mbresa ka lënë tek unë periudha e shkollës fillore, prandaj….unë them se jam nga Tragjasi ndonëse siç tregova më lart kam lindur në Vlorë ku qëndrova sa u bëra 5 vjeç dhe jo në Tragjas.

Pranvera dhe vjeshta e vitit 1942

Vjeshta e vitit 1942 dhe pranvera e vitit 1943 ishin ditë të bujshme të mbushura me ngjarje të rëndësishme. Tek i gjithë populli i Tragjasit ishte krijuar një gjendje optimizmi, një atmosferë e nxehtë shpërthyese. I gjithë fshati ishte përfshirë në një angazhim të përgjithshëm për t’i dalë zot vendit të gatshëm për të bërë çdo sakrificë për mbrojtjen e interesave të kombit. Kjo frymë militante dhe patriotike bëri që të kishte një harmoni dhe bashkim të të gjithë popullit duke i harruar edhe ndonjë hasmëri e zënkat e vogla të dikurshme në emër të interesave të larta të kombit. Në fshat vinin pa ndërprerje luftëtarë të lirisë dhe “Çeta Plakë” e Vlorës që priteshin si heronj, organizoheshin biseda, takime dhe mbledhje me popullin për t’u bërë thirrje për t’u bashkuar me ta në Luftën e armatosur kundër pushtuesve fashistë dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Partizanët ishin bërë figurat më të dashura dhe priteshin me përzemërsi në çdo familje, si miqtë më të mirë dhe më të nderuar në çdo familje. Në “Çetën Plakë” të Vlorës ishin rreshtuar edhe shumë bij të nderuar të Tragjasit si Qazim Çakërri, Kastriot Muço, Xhemil Çakërri etj., që ishin dhe nga kuadrot drejtuese të tyre.

Populli e përqafoi pa hezitim thirrjen e Partisë Komuniste për t’u ngritur në Luftë se kjo thirrje ishte në thelbin e idealeve të tyre patriotike të shfaqura brez pas brezi, se ajo forcë politike në atë kohë ishte e vetmja forcë që u ngrit e para dhe dha shembullin në mbrojtje të atdheut të pushtuar. Ai e besoi këtë udhëheqje sepse bijtë më të mirë dhe më të devotshëm të saj dhanë të parët shembullin e heroizmit dhe të sakrificës, u përballën dhëmb për dhëmb me pushtuesin, u arrestuan, torturuan, u pushkatuan nga armiku por u ngritën edhe në luftë të armatosur dhe luftuan me trimëri duke sakrifikuar edhe jetën e tyre të re në emër të idealit për mbrojtjen e atdheut.

Ishte ky shembull i lartë i sakrificës që e lidhi popullin e Tragjasit me thirrjen e Partisë Komuniste prandaj e besuan, e ndoqën dhe u bashkuan me të në luftën e armatosur.

Rrapet e Tragjasit, sheshi para shkollës dhe rrapet e Izvorit në Rrëzën e Çirakut u bënë vendet e përhershme të mbledhjeve të popullit, ku flitej për Luftën, për rezistencën dilnin vullnetarët për t’u bashkuar me partizanët. Me këtë lëvizje të madhe patriotike u bashkuan të gjithë patriotët pa dallim origjine klasore, moshe, gjinie ose pikëpamjesh politike, u kthye në një lëvizje të madhe të bashkimit të gjithë popullit që nga njerëzit më të thjeshtë deri tek intelektualët, arsimtarët, veteranët e Luftës së Vlorës, të pasur e të varfër u bashkuan në një. I gjithë populli i Tragjasit tashmë e kishte përcaktuar definitivisht rrugën e tij. Ishte kjo rruga e Luftës së armatosur kundër pushtuesve pa marrë parasysh asnjë sakrificë.

Kjo lëvizje u shndërrua edhe në një lëvizje të gjerë emancipuese ku gratë dhe vajzat tragjasase dhanë një shembull të lartë emancipimi, dhe patriotizmi, u ngritën edhe ato duke u bashkuar tërësisht me bijtë, vëllezërit prindërit e tyre duke dhënë një ndihmesë të gjithanshme në shërbim të Luftës për shpëtimin e Atdheut nga zgjedha fashiste.

Dikur ishte e njohur dhe ishte kthyer në legjendë gruaja trime nga Dukati, Sado Koshena, tashmë nuk flitej më për një Sado, por për dhjetëra e qindra gra, nëna e vajza që dhanë shembullin e lartë të patriotizmit dhe të vetëmohimit. Ato jo vetëm që bënin veshje për luftëtarët e lirisë, jo vetëm që përgatisnin ushqimin, strehonin dhe u mjekonin plagët luftëtarëve të lirisë, i lanin dhe pastronin teshat, por morën edhe armët dhe u bashkuan me ta në mbrojtje të atdheut dhe dhanë shembullin e lartë të emancipimit dhe të heroizmit përkrah vëllezërve dhe prindërve të tyre.

Rinia e Tragjasit ishte e para që u vu në pararojë të luftëtarëve të lirisë ajo dha shembullin e lartë të sakrificës dhe vetëmohimit rrëmbeu armët dhe u bashkua me luftëtarët e lirisë duke u vënë edhe në drejtim të shumë çetave dhe batalioneve partizane ose çetave territoriale.

Në këtë lëvizje të rinisë u përfshinë edhe adoleshentët, të cilët dhanë një ndihmesë të rëndësishme në shërbim të Luftës dhe shumë prej tyre edhe, në kundërshtim me dëshirat e prindërve të tyre, morën armët dhe shkuan në male duke u përballur me sakrifica të panumërta në rrugët e vështira të luftës dhe duke i rënë kryq e tërthor Shqipërisë. Disa prej tyre dhanë edhe jetën e tyre që sapo kishte filluar në shërbim të Atdheut. Edhe rinia e Tragjasit krijoi organizatën e saj politike Bashkimin e Rinisë Antifashiste që ushtroi një veprimtari të gjerë propagandistike për të ngritur në luftë jo vetëm të rinjtë por edhe të gjithë popullin.

 

Krenar për dëshmorët dhe heronjtë

 

Tragjasi dhe gjithë Shqipëria është krenar për bijtë dhe bijat e tij të lavdishëm që dhanë jetën në altarin e lirisë Heronjtë e Popullit Kastriot dhe Maliq Muço, Heroinën e Popullit Zonja Çurre, Heroin Shyqyri Alimerko dëshmoret dhe dëshmorët Azbi Mete, Kujtim Hoxha, Lilo Asllani, Raime Stepa, Hanko Gjata, Donika Dulaj, Merjeme Gjomemo, Ago Gjomeme, Azem Troqe, Razi Ormëni, Tahir Dalani dhe shume vajza e djem të tjerë heronj të Luftës për çlirimin e Atdheut. Është një rast i rrallë që nga një fshat të bien në fushën e betejës 14 vajza e gra dhe gjithsej 43 dëshmorë. Lavdi te përjetshme kujtimit të tyre, lavdi të përjetshme gjithë popullit heroik të Tragjasit që në shekuj ka bërë sakrifica të panumërta në shërbim të Atdheut.