“Zgjedhjet u blenë me paratë e drogës dhe korrupsionit”

70
Drejtuesi i partisë “Zgjidhja”, Koço Kokëdhima, kritikon votimet parlamentare dhe shprehet se PS dhe PD do të qeverisin bashkë
Koço Kokëdhima, drejtues i partisë “Zgjidhja”, kritikoi zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit, duke i cilësuar, të manipuluara. Në një intervistë për “News 24”, Kokëdhima tha se, numri i shtuar i deputetëve për PS-në ka ardhur nga blerja e votës. 

Si e pritët rezultatin e zgjedhjeve të 25 qershorit?
“25 qershori shënoi zgjedhje pa asnjë progres. Ishin zgjedhjet më të këqija se zgjedhjet e shkuara, me standarde më të ulëta se zgjedhjet e shkuara dhe ajo provoi edhe njëherë se ne kishin shumë të drejtë për t’i refuzuar, duke qenë zgjedhje pa standarde, duke qenë zgjedhje që nuk sollën ndonjë gjë të re, duke qenë zgjedhje që do të konfirmonin listat e kryetarëve, nuk do të prodhonin deputetë nga populli, as për popullin dhe as të popullit dhe duke qenë zgjedhje që administroheshin nga Partia Demokratike dhe Partia Socialiste, siç kanë administruar të gjitha zgjedhjet e shkuara. Duke qenë zgjedhje që do të zgjasnin thjesht agoninë dhe jetën e kësaj kaste, ZGJIDHJA vendosi që t’i bojkotojë këto zgjedhje dhe të ftonte edhe popullin që të bojkotonte”.

Në fund të procesit të numërimit të votave, 74 mandate për qeverinë aktuale, për z. Rama. Çfarë peshe ka kjo për z. Rama, pra a ishin në pritshmëritë tuaja këto rezultate?
“Sigurisht që z. Rama mund të ndihet më komfort, por mund të ndihet edhe keq nga ky ekzagjerim i numrit të deputetëve sepse, si asnjëherë tjetër më parë, në zgjedhje luajtën rolin e tyre blerjet e votave. Asnjëherë më parë nuk janë përdorur masivisht si këtë radhë paratë dhe kjo nuk ishte një gjë e pa paralajmëruar dhe një gjë e papritur për opinionin publik. Edhe pse me 74 mandate, më lejoni të them atë ndjesinë time dhe besimin tim, që Partia Socialiste nuk do të qeverisë dot e vetme”.

Pse?
“Unë mendoj se një shumicë e tij duket se prodhon një stabilitet të madh, por në fakt është një stabilitet i rremë. Këto zgjedhje nuk i kanë shëruar plagët e Shqipërisë, as plagët e zgjedhjeve, as plagët e korrupsionit, as plagët e qeverisjes, vetëm sa i kanë mbuluar ato. Si të tilla unë nuk pres që këto zgjedhje të prodhojnë stabilitet në qeveri, as për ligje. Përligjja e qeverisjes do të ishte e plotë me zgjedhje të pakontestuara, me zgjedhje me standarde, me zgjedhje që nuk i bëjnë partitë, me zgjedhje që nuk duan para, as para të korrupsionit, as para të hashashit e as para të tjera të pista. Kështu që këto janë zgjedhje të kontestuara. Këto janë zgjedhje të anatemuara dhe e vërteta e këtyre zgjedhjeve është krejt e mohuar. I pranon, s’i pranon lidershipi i kësaj apo asaj partie, kjo për ne nuk ka ndonjë rëndësi. Prandaj, edhe pse janë zgjedhje të shitura, besoj që duke i ditur këto të vërteta që thashë dhe duke e ditur se, sikur ai stabilitet që prodhojnë këto zgjedhje është i rremë, mendoj që shumica që do të qeverisë do të bazohet me një bashkëpunim mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike”.

Mund të jeni më konkret në lidhje me këtë, e keni fjalën edhe për marrëveshjen që është bërë më 18 maj, apo jo, ka diçka pas kësaj marrëveshje…?
“Marrëveshja e 18 majit, mendoj se nuk i shërbeu vendit dhe zgjedhjeve, nuk i përmirësoi standardet e zgjedhjeve. Ajo sigurisht që ishte një marrëveshje e detyruar për opozitën, sepse opozita u izolua në rezistencën e vet në çadër, u izolua nga aleatët e brendshëm të Partisë Socialiste, u izolua edhe nga faktori ndërkombëtar dhe rrezikonte seriozisht që të kishte një fund shumë të keq nëse nuk do të merrte pjesë në zgjedhje. Nga kjo pikëpamje ajo ishte një marrëveshje e detyruar për opozitën. Por kjo marrëveshje nuk i ndihmoi zgjedhjet e lira dhe ndihmoi vetëm Partinë Socialiste dhe Partinë Demokratike. Kjo është e vërteta e asaj marrëveshjeje. Ajo marrëveshje, mendoj që do ishte absurde sikur të ishte thjesht për ato 6 ministrat teknikë. Ajo, besoj, ka një arsye më serioze si marrëveshje dhe besoj që po qe se nuk ka një arsye më serioze, ajo është një marrëveshje qesharake. Nëse ka një arsye serioze, kjo do të jetë vetëm një bashkëqeverisje në emër të reformave të mëdha të Shqipërisë”.

Pra kjo është arsyeja për të vazhduar…?
“Unë kështu mendoj, që shumica e Partisë Socialiste nuk është e legjitimuar për të qeverisur vetëm, sepse i ka marrë votat me një proces zgjedhor pa standarde dhe të infektuara nga paratë e drogës dhe korrupsionit, dhe si e tillë, në këtë kontekst që po diskutojmë, besoj shumë që në themel të qeverisjes së ardhshme do të jetë bashkëpunimi mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Dhe sigurisht që nuk mund të bëjmë paragjykime, por shfaqim pikëpamje”.

Por mund të themi se këto janë zgjedhje të gjithëpranuara; qoftë nga Partia Demokratike, qoftë edhe nga Lëvizja Socialiste për Integrim, pavarësisht denoncimeve për blerje votash, por jo për ta penguar Ramën për të bërë qeverinë e tij vetëm.

“Atëherë le ta shikojmë sesi do ta bëjë qeverisjen vetëm. Edhe atëherë do ju them që ju kishit të drejtë dhe unë nuk kisha të drejtë. Dhe për ndryshe do të thoni ju që unë kisha të drejtë”.

Tepsia ende është nëse do të fusin duart në tepsi të tjerët apo jo. Tani është momenti që z. Rama thekson apo të gjithë mbështetësit e Ramës thonë se tani tepsia është e gjitha për Partinë Socialiste dhe për të krijuar një kabinet qeveritar Rama. Ju keni ndonjë ide se si do të jetë?
“Tepsia, kazani, legeni, timoni dhe të gjithë këto, në të vërtetë janë një mbulesë e faktit që alternativat politike nuk kishin programe dhe vizion për Shqipëri. Dhe këto thjesht e banalizuan dhe i shërbejnë thjesht manipulimit të zgjedhësve, por jo rritjes cilësore dhe standardeve të zgjedhjeve. Unë nuk mendoj se këto zgjedhje do të prodhojnë një qeverisje më të mirë. Unë mendoj se këto zgjedhje do të prodhojnë qeverisjen më të korruptuar në historinë e Shqipërisë”.

Ju mendoni një bashkëpunim mes PS-së dhe PD-së për të realizuar reformat, apo mendoni një koalicion PS-PD?
“Unë mendoj që ato do të qeverisin bashkë”.

Koalicion?
“Po, sigurisht, kështu mendoj unë”.

Si e shihni opozitën në parlamentin e ri?
“Nuk do të bëj predikime për opozitën, nuk do përgjigjem as për LSI-në apo për një tjetër, por do të them që Zgjidhja do jetë në opozitë dhe do bëjë një opozitë shumë cilësore. Unë e shpjegova se si e shoh Partinë Demokratike në 2 vitet e ardhshme, ndërsa për partitë e opozitës nuk dua që të bëj komente, por dua t’ia lë kohës”.