Heshtja e organeve të specializuara të hetimit ndaj korrupsionit

329
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Shqipëria në të gjitha raportet e institucioneve ndërkombëtare, të DASH, OKB, FMN, etj, vlerësohet si një nga vendet më të korruptuara dhe parajsa e pastrimit të parave të pista, që vijnë nga aktivitetet e krimit të organizuar  dhe korrupsionit, të cilat, investohen në pasuritë e patundshme dhe në ndërtim. E megjithatë, institucionet kushtetuese, shtetërore dhe të drejtësisë deri tani, nuk e kanë bërë punën siç duhet në zbatimin e ligjit, për të vënë para drejtësisë zyrtarët e korruptuar dhe ata që pastrojnë paratë e pista.

Inceneratorët

Prej më shumë se një viti, pranë prokurorisë janë dorëzuar disa kallëzime në seri, për atë që konsiderohet “afera e inceneratorëve”. Të kallëzuarit kryesorë në këtë çështje janë kryeministri Edi Rama,  ministri Arben Ahmetaj, deputetët Lefter Koka e Alqi Bllako, sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Ëngjëll Agaçi dhe një dyzinë zyrtarësh të tjerë më të ulët. Deri tani, nga proruroria, ende nuk ka asnjë sinjal për hetimin e këtij rasti.

Teatri

Gjykata Kushtetuese shpalli së fundmi vendimin që shfuqizoi të gjithë paketën ligjore, e cila u konkludua me rrëzimin e dhunshëm të godinës së Teatrit Kombëtar dhe që i hapi rrugën një projekti të dyshuar korruptiv kullash private. Por, para se të arrihej në këtë vendim të Kushtetueses, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka dorëzuar disa kallëzime radhazi në Prokurorinë Speciale, duke filluar prej vitit 2020. Deri më tani, nuk rezulton, të paktën publikisht, të jetë lëvizur gishti nga prokurorët special, për të konstatuar abuzimin me pushtetin, nga drejtuesit më të lartë qeveritarë e të bashkisë së Tiranës, në atë që konsiderohet me të drejtë “afera e Teatrit”.

Tenderat sekretë

Prokurorët  hoqën dorë, një e nga një, nga hetimet për “tenderat sekretë” të pandemisë Covid-19, të shoqëruar me dyshime të forta për abuzim, klientelizëm e korrupsion. SPAK-u shpalli kompetencën për pjesën më të madhe të këtyre kallëzimeve, duke “amnistuar” në këtë mënyrë zyrtarët e lartë dhe rastet ia përcolli prokurorisë së Tiranës, për të vijuar hetime mbi persona të nivelit të ulët të administratës.

Porto Romano

Prokurorët po vijojnë prej një viti e gjysëm, të mbajnë në duar hetimin mbi tenderin 15 milionë euro, për mbylljen e landfillit të Porto Romanos, në Durrës.

Kullat

Në janar 2021, prokuroria  u detyrua të niste një hetim penal për kullat në Tiranë, pas presionit publik, i cili u njoh nga përgjimet e anti-mafias italiane se ‘Ndrangheta’ kishte shtrirë tentakulat e saj në lejet e ndërtimit në kryeqytetin shqiptar. Ai hetim, ashtu siç nisi -pra me sforco -ashtu edhe po trajtohet. Për më shumë se 6 muaj, pragun e prokurorisë nuk e ka kaluar asnjë zyrtar i përfshirë në lejet e ndërtimit të kullave shumë katëshe në Tiranë. Deri më tani, sukseset e prokurorisë, nëse mund të quhen të tilla, janë arrestimi i prokurorit të Sarandës, Sali Hasa, për korrupsion, arrestimi i prokurorit të Kukësit, Edmond Karriqi, për korrupsion si edhe arrestimi i gjyqtares së Krujës, Enkelejda Hoxha.