Gjosha: Raporti i suksesshëm, përfshin reformën në drejtësi dhe ligjin e vettingut

479
Sot Shqipëria ka afatin e fundit për dorëzimin e kontributit të raportit vjetor për Shqipërinë që Komisioni Europian do të publikojë në Vjeshtë. A është përfunduar ky raport dhe përveç reformës në drejtësi me çfarë risie vjen ky kontribut?

Është një kontribut për të cilin ne kemi tashmë eksperiencë të vazhdueshëm për ta dërguar atë në formatin e kërkuar nga Bashkimi Europian. Këtë vit do të jetë për mendimin tim, një raport i suksesshëm dhe me plot risi sepse ky raport përveç udhërrëfyesit të 5 prioriteteve dhe përshkrimit me detaje të gjithë punës që ka bërë qeveria gjatë vitit të fundit do të ketë edhe reformën në drejtësi të miratuar, një reformë konsensuale që është përgëzuar nga të gjithë aktorët ndërkombëtarë dhe veçanërisht nga Bashkimi Europian si dhe ligjin e vettingut si ligji më i kërkuar nga BE, i cili jo vetë që i hap rrugën zbatimit të reformës, por gjithashtu mundëson skanimin e të gjithë atyre që në fakt duhet të bëjnë drejtësi në këtë vend, të cilët janë gjykatësit dhe prokurorët. Këto janë dy arritje madhore të këtij raporti që ne do të paraqesim pranë Komisionit Europian. Kanë qenë kushte për ecurinë e procesit të integrimit, por kushte themelore për një vend demokratik e mbi të gjitha kanë rëndësi për zhvillimin ekonomik të vendit këtë nuk duhet ta harrojmë për asnjë moment. 

Ju e keni cilësuar ligjin e vettingut, si kyç për hapjen e negociatave mes BE-së dhe Shqipërisë, ky ligj tashmë është miratuar. Mendoni se Shqipëria është gati ta hedhë këtë hap apo ka ndonjë pengesë tjetër? 

Shqipëria është gati t’i kërkojë tashmë Komisionit Europian hapjen e negociatave. Unë e kam thënë këtë me miratimin e reformës në drejtësi. Hapin e radhës e meritojnë shqiptarët, e meritojnë të gjithë aktorët politikë, të cilët me një konsensus të plotë i dhanë vendit një reformë historike që hap një etapë të re dhe e bën Shqipërinë një vend edhe më të besueshëm për ndërkombëtarët.

Hapja e negociatave është një fazë e rëndësishme e procesit, a jemi të përgatitur në nivel ekspertësh për të përmbushur detyrimet nga ky proces?
Si çdo proces tjetër edhe me çeljen e negociatave Shqipëria do të jetë në një komunikim të përditshëm dhe intensiv me Bashkimin Europian. Nëse vendet anëtare me mbledhjen e Këshillit në Dhjetor nëse do të vendosin për hapjen e negociatave, vendi do të kalojë në disa procese. Në fillim procesi i skanimit, ku do të shihet se cili nga kapitujt do të hapen të parët. Nga ana tjetër Ministria e Integrimit Europian, në bashkëpunim me institucionet e linjës dhe Komisionin Europian, po punon ngushtë për një dokument që do t’i shërbejë vendit për ngritjen e gjithë strukturave bazë ku ne do të mbështetemi për të negociuar për çdo kapitull. Bëhet fjalë për gjetjen e ekspertëve, bashkëpunimin me shoqërinë civile, kush do të jetë kryenegociatori, grupet negociuese për çdo sektor përkatës. Megjithatë ne jemi të bindur që negociatat do të hapen me dy kapitujt 23-24 që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me sistemin e drejtësisë, sigurisë, të drejtat e njeriut dhe në këtë kontekst ne kemi bërë disa hapa përpara, pasi me miratimin e reformës në drejtësi si dhe miratimi jo vetëm i ligjit të vettingut por edhe i 6 ligjeve të tjera do të bëjnë të mundur që Shqipëria të jetë e avancuar në plotësimin e detyrimeve që rrjedhin nga këto kapituj. 

Shumë vende brenda bashkimit Europian, janë skeptike për procesin e zgjerimit, Nëse ndodh hapja e negociatave me Bashkimin Europian, a ka një plan Shqipëria si t’i bindë këto vende?

Patjetër që Europa nuk ndodhet në momentin e vet më të mirë, sidomos pas asaj që ndodhi me Britaninë e Madhe, pra largimin e saj nga BE. Megjithatë ky është projekt që ka funksionuar ndër vite. Historia ka treguar që i ka bërë ballë krizave të ndryshme. Të jesh bashkë mendoj se i bën ballë më mirë këtyre problematikave, ndaj Bashkimi Europian duhet realisht të tregojë vazhdimësinë e këtij projekti dhe këtë mund ta tregojë vetëm nëpërmjet politikës së zgjerimit. Unë Shpresoj shumë që Shqipëria të jetë pjesë e Bashkimit Europian me hapin e radhës që është hapja e negociatave deri në anëtarësimin me të drejta të plota sepse për ne kjo është një rrugë e patjetërsueshme, është një rrugë pa kthim. I shërben shtetndërtimit të vendit për të cilin kemi kaq shumë nevojë , ngritjen e institucioneve bazë mirëfunksionimin e ekonomisë, ndaj ne shpresojmë që jo vetëm për Shqipërinë por edhe për gjithë rajonin Bashkimi Europian të krijojë një qasje mjaft pozitive, duke bërë pjesë vendet e Ballkanit Perëndimor të cilat do t’i shërbejnë vetë sigurisë së Europës. 

Pas reformës në drejtësi çfarë po ndodh me 4 prioritetet e tjera që vendit i janë lënë për t’u plotësuar nga Bashkimi Europian?

Prioritetet e tjera janë të ndjekura me shumë rigorozitet nga Ministria e Integrimit, por edhe institucionet e tjera që janë inplementuese të planit të veprimit për 5 prioritetet. Jemi treguar shumë të rreptë me afatet e plotësimit të çdo mase të përcaktuar në udhërrëfyes. Le të themi që me miratimin e reformës në drejtësi dhe me miratimin e 7 ligjeve shoqëruese, do të jetë plotësuar edhe pjesa më e madhe e udhërrëfyesit të 5 prioriteteve. Mos harrojmë që ky është një proces. Është në vazhdimësi. Çdo masë e vendosur në udhërrëfyes do të vazhdojë edhe me çeljen e negociatave,por reforma në drejtësi do t’i japë zgjidhje dy çështjeve kryesore të mbartura që janë të drejtat e njeriut dhe krimit të organizuar si dhe të drejtave të njeriut veçanërisht çështjeve të pronës, të kërkuara nga Komisioni Europian. 

Viti i ardhshëm është një vit elektoral, sa ndikon kjo në ngadalësimin e procesit të integrimit ?

Ne në asnjë moment nuk do të shpërqendrohemi nga puna jonë e përditshme. Procesi i integrimit është i pandalshëm, administrata shtetërore është plotësisht në funksion të këtij procesi, por edhe në funksion të zhvillimit të vendit. Viti që vjen nuk besoj se do të ketë interferencë në procesin e integrimit. Ne do të mbajmë ritmin , ndoshta edhe më shumë sesa ka qenë deri tani. 
Sigal