Prof. Alqi Naqellari/ Nobelisti Stigliz: Ja pse FMN-ja ka dështuar në misionin e saj

910
Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore u krijuan në vitin 1944 në një konferencë në Bretton Ŵoods, New Hampshire, dhe tani e kanë bazën në Uashington, DC. FMN-ja është projektuar fillimisht për të nxitur bashkëpunimin ekonomik ndërkombëtar dhe për tu siguruar vendeve të saj anëtare kredi afatshkurtra në mënyrë që ato të mund të tregtonin me vendet e tjera për të arritur përmirësimin e bilancit të pagesave. Që nga kriza e borxheve të 1980, FMN-ja ka marrë rolin e shpëtimit të vendeve gjatë krizave financiare, të shkaktuara në pjesën më të madhe nga ana e spekulimeve të monedhës në ekonominë globale, me paketa të kredisë emergjente të lidhura me kushte të caktuara, shpesh të referuara si përshtatje strukturore të politikave. 

FMN-ja tashmë vepron si një peshkaqen i kredisë globale, duke ushtruar ndikim të madh mbi ekonomitë e më shumë se 60 vendeve në botë. Këto vende duhet të ndjekin politikat e FMN-së për të marrë kredi, ndihmë ndërkombëtare, dhe madje edhe lehtësimin e borxheve. Kështu, FMN-ja vendos se si vendet shumë debitore mund të shpenzojnë në arsim, në kujdesin shëndetësor dhe mbrojtjen e mjedisit. FMN-ja është një nga institucionet më të fuqishme në Tokë por që pak e dinë se si funksionon. Ekonomisti dhe fituesi i çmimit Nobel Joseph E. Stiglitz thotë se FMN-ja nuk ka arritur të realizojë misionin e saj për të siguruar stabilitetin ekonomik global. Ai identifikon arsyet e këtij dështimi me ndryshimet në misionin e FMN-së dhe të politikave ekonomike. Stiglitz argumenton se shumë nga problemet me fazën aktuale të globalizimit ekonomik mund të jetë hedhur në këmbët e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN). Në rolin e tij si Senior Vice President në Bankën Botërore, në fund të viteve 1990, Stiglitz ishte i ndërgjegjshëm për politikat dhe dështimet e FMN-së. Në librin e tij, “Globalizimi dhe Pakënaqësitë e tij”, Stiglitz parashtron një sërë argumentesh për FMN-në. Pse FMN-ja ka dështuar në misionin e saj për të siguruar stabilitetin ekonomik global. 

Tradhtia e misionit të saj fillestar

Ndërsa misioni fillestar i FMN-së është bazuar në supozimin se tregjet nuk bëjnë gjithmonë punë të përkryer, domethënë, ka pasur raste kur ndërhyrjet, sado të kufizuara, mund të jenë të nevojshme për të siguruar një qëndrueshmëri ekonomike globale. Stiglitz argumenton se kjo filozofi ka ndryshuar. Tani, thotë Stiglitz, FMN-ja vepron kryesisht në ideologjinë e paqëndrueshmërisë, se tregjet duhet të lihen të veprojnë vetë, dhe se asnjë drejtim apo ndërhyrje nuk është e nevojshme. Kjo, thotë Stiglitz, nuk është një tradhti nga idetë themelore të fillimit të FMN-së, por ajo është thjesht një ekonomi e keqe. Besimi themelor në arsyet e krijimit të FMN-së ishte se, në kohën e krizës, FMN-ja duhej të nxiste politikat ekspansioniste ekonomike fiskale dhe monetare, për shembull, të inkurajonte rritjen e shpenzimeve, të inkurajonte taksa më të ulëta, norma të ulëta të interesit, për të stimuluar ekonominë. Me pak fjalë, popullsia e një vendi do të kishte më shumë para në dispozicion dhe në këtë mënyrë do të rriste blerjet e saj duke stimuluar ekonominë. Tani, thotë Stiglitz, FMN-ja ka miratuar pikërisht një qëndrim të kundërt: duke siguruar fonde për vendet në zhvillim vetëm nëse ata do të zbatojnë politika të tilla si:frenimi dhe ulja e deficiteve, rritjen e taksave dhe rritja e normavetë interesit. Ndërsa qëllimi fillestar i FMN-së ishte të punonte sa të qe e mundur për të sjellë një vend në krizë sa më afër punësimit të plotë të fuqisë punëtore, por kjo ka ndryshuar kurs në mënyrë dramatike. Ndryshimi i kursit, sipas Stiglitz-it e bën në mënyrë kategorike “të qartë se FMN-ja ka dështuar në misionin e saj. “

Politikat e këqija ekonomike

Stiglitz argumenton se politikat e FMN-së jo vetëm që nuk funksionojnë, por shpesh i bëjnë gjërat më keq për vendet në krizë. Ai vë në dukje disa politika të drejtuara keq:

• Liberalizimi i tregut të kapitaleve. FMN-ja u bën presion vendeve që kërkojnë kredi te FMN-ja për të hapur tregjet e tyre të kapitalit për investimet e huaja. Në vend që të ndihmojë këtë çështje, kjo qasje shpesh herë i bën gjërat edhe më keq duke destabilizuar ekonominë e vendit, si dhe ekonominë globale. Investitorët mund të investojnë shuma të mëdha në një vend vetëm për ti tërhequr këto investime në një moment të caktuar, duke shkaktuar kriza akute ekonomike. 

• Amerikën Latine si model. Stiglitz thotë se shumë nga idetë e “Konsensusit të Ŵashington-it” janë bazuar në përvojën me Amerikës Latine. Rritja ekonomike në këto vende nuk është e qëndrueshme, qeveritë kishin lënë buxhetet të dilnin jashtë kontrollit, dhe politika monetare e lirë kishte çuar në hiper inflacion. Besimi i Konsensusit të Uashingtonit ishte se kjo kishte ndodhur si rezultat i ndërhyrjes së tepruar të qeverisë në ekonomi. Pra, në qoftë se ndërhyrja e qeverisë ka qenë problem, atëherë ndërhyrja e qeverisë duhet të kufizohet. Konsensusi i Ŵashington-it i ka shtyrë për politika të tilla si liberalizimi i tregut të kapitalit. Stiglitz vë në dukje se edhe në qoftë se kjo qasje ishte e përshtatshme për disa vende të Amerikës Latine, nuk ka kuptim për ta zbatuar këtë politikë verbërisht në vende të tjera, në situata shumë të ndryshme, ku kjo lloj politike mund ti bënte gjërat edhe më keq. 
• Pandjeshmëria për fuqinë e tregjeve lokale

Stiglitz thotë se politika e FMN-së për të detyruar liberalizimin e shpejtë të tregjeve jo vetëm që nuk ka funksionuar, por nuk ka ndjekur as mësimet e nxjerra nga historia. Ai vë në dukje rastet e SH. B. A. dhe të Japonisë. Të dyja vendet kishin politika të mbrojtjes së tregtisë në vend derisa industritë e tyre të ishin aq të forta sa të konkurronin në një treg global. Megjithatë, politikat e FMN-së për të detyruar liberalizimin e tregjeve në një vendet në zhvillim, ku industritë nuk ishin të forta nuk mund të shkaktonin shumë dëm. Industritë lokale nuk mund të konkurrojnë, dhe rritja e normave të interesit ka bërë që rritja e vendeve të punës praktikisht të jetë e pamundur. Stiglitz Thotë se “Liberalizim ka, por shumë shpesh nuk shoqërohet me rritjen e premtuar, por është shoqëruar me rritjen e mjerimit”. 

Tatim pa përfaqësim

Stiglitz vë në dukje se edhe pse FMN-ja është institucion publik, i financuar nga paratë e taksapaguesve nga e gjithë bota, nuk ka mbajtur përgjegjësi për interesat e këtyre tatimpaguesve. Ai e identifikon problemin e qeverisjes si një nga “faktorët themelor” kryesorë për problemet me FMN-në. 
Stiglitz thotë se FMN-ja i raporton ministrave të financave dhe bankave qendrore në mbarë botën që janë në shumë mënyra të izoluara nga shqetësimet e elektoratit të fundit të FMN-së: vegjëlisë globale. 

Stiglitz thekson se kontrolli i FMN-së është arritur me anë të një sërë marrëveshjesh të komplikuara të votimit, të bazuara në masë të madhe në ndikimin ekonomik të vendeve anëtare. Përveç kësaj, SHBA-ja ka fuqinë efektive të vetos mbi vendimet e FMN-së. 

Stiglitz thotë se FMN-ja (dhe më vonë, Banka Botërore kur ajo u reduktua në një “partner të vogël” me FMN-në) është nxitur nga vullneti kolektiv i G-7 (qeverive të shtatë vendeve më të zhvilluara industriale). Debati i hapur demokratik mbi politikat dhe procedurat e FMN-së do të kërcënonte ndikimin e këtyre gjigantëve industrial, e cila në mënyrë të qartë nuk do të ishte në interesin e tyre më të mirë. Pra, thonë Stiglitz, drejtuesit aktuale të politikës së FMN-së e shohin atë në interesin e tyre më të mirë për të shmangur llogaridhënien demokratike dhe dialogun. 

Sipas Stiglitz, FMN-ja është e dominuar jo vetëm nga vendet e pasura dhe të industrializuara, por, më ngushtë, nga interesat tregtare dhe financiare brenda këtyre vendeve. 

Stiglitz thotë se fakti që FMN-ja mbështetet në fondet publike, për të përcjellë interesat e një pakice të zgjedhur, pa zë efektiv në politikat e FMN-së është si “taksimit pa përfaqësim”. 
Këto janë disa nga mendimet e Nobelistit Joseph Stigliz, që janë aktuale edhe për ekonominë shqiptare, në këtë mënyrë shtrohet pyetja: Po në Shqipëri a ka dështuar FMN-ja?
Sigal