Dorëheqja, Thaçi jep leksion

481

Dorëheqja,
Thaçi jep leksion

 

 

Nga
Vangjush SARO

 

Mendoj se z. Menduh Thaçi dha këto ditë një leksion
për politikën mbarëshqiptare, posaçërisht do të thosha për atë shqiptare, me
një gjest që nuk është praktikë për këto vise. Ky politikan, me apo pa motive
të tjera, tregoi se humbja është pjesë e lojës e, në një rast të tillë, duhet
të ikësh. Z. Thaçi na kujtoi një akt, një precedent, që nuk është aspak i
pëlqyer në politikë, duke tërhequr kështu vëmendjen e qytetarëve në tre shtete
ku jetojnë shqiptarët, përkatësisht në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoni. Me
gjestin e tij të dorëheqjes, z. Menduh Thaçi tregoi se edhe në këto hapësira,
disi konservatore e të prapambetura politikisht, mund të përdoren apo aplikohen
parime demokratike, thellësisht perëndimore, kur pasi nuk i shkojnë mirë punët
dhe kur nuk arrin objektivat, një parti a një forcë e caktuar politike kërkon
ndryshim. Dhe këtë ndryshim, e afron më së pari vetë lideri, ai që ka
udhëhequr, për fat të keq, pa rezultatet e duhura. Në tekstin e pabujë, me të
cilin iu drejtohet të gjithëve, Thaçi deklaron se sapo ka dorëzuar “dorëheqjen
e parevokueshme nga posti i Kryetarit të Partisë Demokratike Shqiptare,
Këshillit Drejtues të PDSH-së. Partinë Demokratike Shqiptare do ta drejtojë në
mënyrë kolektive Këshilli Drejtues deri në Kongresin e jashtëzakonshëm, data e
mbajtjes e të cilit do të caktohet nga Kuvendi Qendrorë i Partisë. Koordinator
i aktiviteteve u emërua Sekretari i Përgjithshëm z. Azem Sadiku, ndërsa unë
mbetem ushtar i bindur i Partisë Demokratike Shqiptare.” Qoftë edhe duke parë
këtë tekst, në reshta apo nëpër reshta, lexohet qartë ndjeshmëria e këtij
politikani ndaj humbjes në zgjedhjet e fundit në Maqedoni, ndjehet po ashtu
përgjegjësia për atë që partia, të cilën ai e drejton prej disa kohësh, nuk
arriti frytet e dëshiruara. Duhet përsëritur se nuk ka pasur e nuk ka gjeste të
tilla në politikën shqiptare, veçmas në atë që zhvillohet e punon (mos e
teprova me fjalën “punon”?) brenda kufijve administrativë të Republikës së
Shqipërisë. Për hir të së vërtetës, ka ndodhur kjo vetëm me Fatos Nanon, madje
disa herë. Ndoshta në ndonjë rast, ai ka qenë i detyruar të dorëhiqet, të
tërhiqet; por të mos ia hamë hakun, disa herë e ka bërë këtë gjest me vetëdije,
edhe pse nuk e kanë detyruar e mund të vazhdonte të manovronte, më shqip, të
merrte e të jepte me Partinë, me lobet, me individët, për të mbetur edhe më tej
në pushtet e në udhëheqje të asaj force politike. Politikanët e tjerë
shqiptarë, pothuaj si ata të para viteve ‘90, nuk i kanë për gjë dekadat,
vazhdojnë të qëndrojnë në krye të partive të tyre, edhe pse kanë kaluar disa
herë “tallaze” të tilla si ato që kaloi Partia Demokratike Shqiptare dhe z.
Menduh Thaçi në këto zgjedhje të fundit, të pasuksesshme për ta. Në Shqipëri,
Sali Berisha, Skënder Gjinushi, Fatmir Mediu, etj., si kryetarë partish, por
edhe politikanë të tjerë tejet të konsumuar, si Gramoz Ruçi, Nard Ndoka, nuk
kanë gjetur dot asnjëherë çastin kur mund të tërhiqeshin, edhe pse në këtë
çerekshekulli forcat politike që ata kanë udhëhequr, kanë pasur jo pak disfata.
Ndonjëherë, “spektakolare”. Megjithatë, ata kanë mbetur në krye a në udhëheqje
të partive të tyre, me kokëfortësi, jashtë të gjitha parimeve, normave dhe, për
më tepër, premtimeve të bëra në vitin ‘91, kur thoshin se do të ndiqnin
përvojën e Perëndimit, do të ishin kryetarë vetëm për dy mandate, do të
respektonin rotacionin, e të tjera deklarata këso, tanimë të vjetëruara,
qesharake. 

Sigurisht, nuk se dëgjojnë fort mirë nga ajo anë
edhe politikanë si Edi Rama e Ilir Meta, sadoqë përpiqen të gjejnë justifikime,
por edhe pse ka njëlloj qetësie dhe formaliteti 
në jetën e forumeve që do të duhej t’i kishin thirrur ata në një garë të
re politike. Megjithatë, mosha e tyre, ndoshta edhe disa arritje, kanë krijuar
kushte të tilla që iu kanë mbijetuar rregullave, më mirë thyerjes së
rregullave. Është mbase e vështirë, pse jo naive, të kërkosh nga partitë
politike shqiptare ndjekjen e parimeve perëndimore në mënyrën më të mirë të
mundshme. Klanet në pushtet apo në kërkim të pushtetit, e gjejnë mënyrën për të
mbajtur ato ekuilibre që iu duhen. Pranimi i rregullave dhe parimeve
demokratike, është jo vetëm një detyrim në kushtet e pluralizmit të ëndërruar
për një shekull, por edhe një domosdoshmëri për vetë situatën e rënduar
politike në vend. Shpesh, politikanët e mosdorëhequr, mbajnë anën e të
prapambeturve në partitë e tyre, madje udhëheqin ende me një egoizëm të pashoq,
si në rastin e z. Berisha.  Duke folur
për “klimën” e keqe të ditëve të sotme, profesori i njohur amerikan Xhejms Gustave Speth, thotë:Problemet kryesore janë egoizmi,
babëzia dhe apatia. Për t’i përballuar ato, na duhet një transformim shpirtëror
dhe kulturor.” Pikërisht ato që ky filozof i quan “probleme”, karakterizojnë më
së bukuri jetën politike shqiptare, madje edhe karrierën e politikanëve
shqiptarë që u cekën më lart. Sot, edhe në Shqipëri, janë në diskutim
alternativat për përmirësimin e jetës politike, për demokratizimin vendit, tek
e fundit, edhe ato për ngritjen e mirëqenies së qytetarëve. Këto alternativa,
janë në akord me nevojën për të hequr qafe mungesën e rregullave, bashkë me
ndarjen nga çdo politikan Uriah Hip, për të kufizuar kështu sa më tepër
pikërisht egoizmin, babëzinë dhe apatinë. Në këtë kuptim, gjesti i z. Thaçi –
që në vështrimin tim nuk ka qenë ndonjë aksident në politikë, sikur janë të
tillë shumë politikanë të tjerë shqiptarë, me më shumë fat apo kokëmushkë – në
këtë kuptim, pra, gjesti i z. Thaçi është një zhvillim i mbarë, një leksion.

Sigal