Zgjedhjet në Dibër, Muharem Rama takime në Sllovë, Vleshë e Shumbat

174
Kandidati i mazhorancës për Bashkinë e Dibrës Muharem Rama zhvilloi takimet elektorale në njësinë administrative të Sllovës dhe fshatrat Vleshë e Shumbat. Ai shoqërohej nga deputeti socialist Sadri Abazi dhe kordinatori për Qarkun e Dibrës Damian Gjiknuri. 
Në fjalën e tij para qytetarëve të Sllovës, Rama tha se do të zgjidhet çështja e rrëshqitjeve në fshatin Dipjakë, do të ngrihen kanalet e ujërave vaditëse në Cernjevë e Shumbat ndërsa do të asfaltohen rrugët lidhëse të fshatrave me qytetin. Kandidati Rama premtoi edhe krijimin e një ujësjellësi për ujë të pijshëm ashtu sikurse subvencionimin e fermave bujqësore, frutore dhe blegtorisë. 
“Rrugën e Dipjakës do ta rehabilitojmë. Ju jeni një vend blegtoral e bujqësor, keni qenë të njohur për frutat tuaja të mrekullueshme ndaj do të krijojmë një qendër për grumbullimin e tyre. Do mund zbusim varfërinë dhe do ti japim një zhvillim ekonomik kësaj treve. Do të bëjmë investime për zhvillimin e infrastrukturës rrugore, do të realizojmë disa projekte për rikonstruksionin e shkollave e qendrave shëndetësore”, premtoi kandidati Muharem Rama. 
Pasi ftoi banorët e Dibrës të votojnë kandidatin Muharem Rama në 11 Shtator, deputeti socialist Sadri Abazi ju përgjigj edhe akuzave të opozitës ndaj tij. 
“E keni parë sa shumë më shan mua Saliu tani?! Ai e di se influeca ime në Dibër është shumë e madhe, ndaj më shan që t’ju mbushë mendjen dibranëve se Sadriu është burrë i keq dhe mos votoni Muharemin. Po çfarë lidhje ka kjo?! Unë e kam treguar me fakte dhe burrëri se para dibranëve jam burrë i mire, por para Saliut nuk mund të jem. Kudo që kam shkuar Saliun e kam mund, kjo është e gjitha. Do ta mund prap Saliun e ti them ‘O plak, rri atje në shpi, Zenin tat nuk e mbron dot ti. Fol sa të duash për Sadriun, për Edi Ramën, për Muharem Ramën, për Damian Gjiknurin e për Saimir Tahirin. Nuk e mbron dot Zenin. 25 vite e ke poshtëruar shqiptarin. Tani thotë është komunist Sadriu! More, kush është komunist, Saliu apo Sadriu?!”, u shpreh deputeti Sadri Abazi. 
Kordinatori i Kryesisë së PS për Qarkun Dibër Damian Gjiknuri u shpreh optimist për fitoren e Ramës në zgjedhjet e pjesshme të 11 Shtatorit. “Të gjitha sondazhet, të gjitha të dhënat na thonë se kandidatura e doktor Muharemit merr vota majtas e dhjathtas sepse mbi të gjitha është njeriu i duhur. E kanë sulmuar doktorin, javën e parë nxorën akuza me drogë e idotësi të tjera. Tani kanë filluar thonë do të blihet vota. Po a ka ofendim më të madh për popullin?! Kjo tregon se ata po vulosun humbjen dhe duan të ofendojnë të gjithë dibranët e ndershëm?!”, u shpreh Gjiknuri.