KE: Të besuarit e vettingut më të paguarit në Europë

155
Sigal

Këshilli i Europës zbardh të dhënat e pagave të drejtësisë shqiptare, ku gjyqsori shqiptar në krahasim me 47 vendet anëtare të KE paguhet 200% më shtrejtë. Po ky gjyqësor, në krahasim me pagat mesatare në Shqipëri, paguhet 4 herë më shumë ose 20 fishin e pensionistëve. Edhe pse kanë rroga të majme, sondazhi “Besimi në qeverisje” tregon se 83.7% e qytetarëve e perceptojnë korrupsionin të përhapur në të gjitha nivelet dhe se politika po ndërhynë në sistemin dhe Reformën e Drejtësisë

4 herë mbi mesataren, gjyqtarët dhe prokurorët e Shqipërisë më të paguarit në Europë

Gjyqtarët dhe prokurorët në Shqipëri janë më të paguarit në Europë në raport me rrogën mesatare të vendit. Të dhënat e një raporti të Këshillit të Europës tregojnë se një prokuror dhe gjyqtar në Shqipëri paguhet 4.1 herë më shumë se rroga mesatare e vendit, shkruan Euroneës Albania. Mes 47 vendeve anëtare të Këshillit, diferenca është dy herë më e lartë, ndërsa ka vende si Irlanda ku prokurorët dhe gjyqtarët paguhen më pak se rroga mesatare. Shqipëria ka shpenzuar më shumë se 41 milionë euro vetëm për reformën në drejtësi deri në vitin 2020. Shpenzimet janë rritur edhe pas miratimit të skemës së re për pagat e prokurorëve dhe gjyqtarëve në vitin 2019, që pothuajse dyfishoi pagat për ta. Megjithatë, kur vjen puna te performanca drejtësia në Shqipëri klasifikohet në disa tregues poshtë vendeve si Moldavia dhe Ukraina. Raporti i Këshillit të Europës tregon se koha mesatare që i duhet drejtësisë shqiptare për të zgjidhur një çështje administrative shkon nga 5 deri në 12 vite. Në Moldavi, për 2020 kjo kohë ishte 51 ditë, në Maqedoninë e Veriut 304 ditë dhe në Greqi 1107 ditë. Për Shqipërinë ka ndikuar edhe procesi i vettingut në zvarritjen e proceseve për shkak të mungesës së prokurorëve dhe gjyqtarëve. Raporti thotë se Shqipëria ka 8.3 gjyqtarë për 100 mijë banorë, ndërsa mesatarja e vendeve të Këshillit të Europës është mbi 43 gjyqtarë.

shumica e shqiptarëve ndjehen të pasigurtë në Shqipëri, ndërsa vlerësojnë se korrupsioni i nivelit të lartë vazhdon të jetë i gjithëpërhapur dhe se gjyqësori mbetet ende sistemi më i korruptuar

Sondazhi: Gjyqësori vazhdon të kryesojë listën e korrupsionit

Sondazhi ‘Besimi në qeverisje’ për vitin 2021 tregon se shumica e shqiptarëve ndjehen të pasigurtë në Shqipëri, ndërsa vlerësojnë se korrupsioni i nivelit të lartë vazhdon të jetë i gjithëpërhapur dhe se gjyqësori mbetet ende sistemi më i korruptuar. Një sondazh i publikuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim, IDM, i titulluar “Besimi në Qeverisje” për vitin 2021 tregon se shumica e shqiptarëve ndjehen të pasigurtë në jetën e tyre të përditshme, ndërsa 41% e të anketuarve dëshirojnë të largohen nga vendi. Arsyet kryesore të ndjenjës së pasigurisë, sipas sondazhit, janë kriminaliteti, padrejtësia, niveli i papunësisë, problemet me shëndetin si dhe fatkeqësitë natyrore.

-83.1% e shqiptarëve e perceptojnë korrupsionin e nivelit të ulët si të përhapur ose shumë të përhapur, ndërkohë që 83.7% e perceptojnë korrupsionin e madh apo të nivelit të lartë

Sondazhi i opinionit publik ‘Besimi në qeverisje’ është një ushtrim i përvitshëm që përdoret për të matur besimin e qytetarëve tek institucionet publike; si dhe çështje të tilla si transparenca dhe llogaridhënia institucionale; përhapja e korrupsionit në institucionet shtetërore; niveli i angazhimit të qytetarëve në politikëbërje; kënaqshmëria me ofrimin e shërbimeve publike dhe zbatimi i ligjeve dhe politikave jodiskriminuese. Sondazhi është realizuar gjatë periudhës kohore 6-21 nëntor 2021 dhe është fokusuar në pjesmarrës nga 61 bashki të Shqipërisë. Korrupsioni mbetet një ndër problemet madhore të Shqipërisë, ndërkohë që besimi i qytetarëve shqiptarë tek institucionet e ndjekjes penale vazhdon të mbetet i ulët. “83.1% e shqiptarëve e perceptojnë korrupsionin e nivelit të ulët si të përhapur ose shumë të përhapur, ndërkohë që 83.7% e perceptojnë korrupsionin e madh apo të nivelit të lartë me një përhapje të tillë,” thuhet në raport.

-Pesë institucionet që u renditën si më të korruptuarat në 2021 ishin gjyqësori, ndjekur nga institucionet e kujdesit shëndetësor, administrata publike, institucionet vendore dhe policia.

Pesë institucionet që u renditën si më të korruptuarat në 2021 ishin gjyqësori, ndjekur nga institucionet e kujdesit shëndetësor, administrata publike, institucionet vendore dhe policia. Lidhur me këtë fenomen duket se pjesa më e madhe e të anketuarve nuk kanë besim tek ndëshkimi apo ndjekja penale e korrupsionit prej organeve ligjzbatuese. “68.4% e qytetarëve nuk kishin besim te ndjekja penale e rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë, ndërkohë që 59.3% nuk kishin besim në ndjekjen efektive penale të rasteve të korrupsionit të nivelit të ulët,” shtohet më tej.

Më shumë se gjysma e të anketuarve i konsiderojnë qeverinë qendrore (57.4%) dhe bashkitë (58.2%) si jo transparente

Mungesa e transparencës është gjithashtu një nga problemet shqetësuese. “Më shumë se gjysma e të anketuarve i konsiderojnë qeverinë qendrore (57.4%) dhe bashkitë (58.2%) si jo transparente,” tregojnë rezultatet e sondazhit. Nga ana tjetër, qytetarët e anketuar shprehen më besimplotë tek organizatat ndërkombëtare në Shqipëri, sesa tek vetë institucionet vendase. Përkatësisht, 77% e të anketuarve besojnë se organizatat ndërkombëtare i kërkojnë llogari qeverisë më tepër se sa institucionet vendase. “Organizatat si NATO (73.2%), OKB (71.4%), dhe BE (71.3%) e ruajtën renditjen e tyre si institucionet më të besuara në Shqipëri,” shtohet në raport.

-72.2% raportuan se nuk kanë mjaftueshëm mundësi për të marrë pjesë në procesin e vendimmarrjes së institucioneve publike,

Shumica e të anketuarve (72.2%) raportuan se nuk kanë mjaftueshëm mundësi për të marrë pjesë në procesin e vendimmarrjes së institucioneve publike, por ata shohin si më efikasë për nxitjen e llogaridhënies në vend institucionin e KLSH-së, ndjekur nga Parlamenti dhe media.