Ministrja Shahini: Pezullojmë mësimin edhe nesër, familjet duhet të qëndrojnë bashkë

496
Sigal

Ministrja e Arsimit Besa Shahini ka njoftuar se edhe dita e nesërme, 27 nëntor do të jetë pushim për të gjitha shkollat, kopshtet dhe çerdhet e vendit.

Përmes një statusi në ‘Facebook’, Shahini bën me dije se ekipet po vijojnë me evidentimin e dëmeve materiale dhe hartimin e planit të masave për shkollat e dëmtuara.

Më tej, e tronditur Shahini shpreh ngushëllimet ndaj të gjitha familjeve që kanë humbur njerëzit e tyre të dashur.

Statusi i plotë:

Jam e tronditur nga humbja e jetëve dhe lëndimet trupore që kanë pësuar qytetarët si pasojë e tërmetit, siç besoj është edhe e gjithë Shqipëria.

Ndaj kemi vendosur që të pezullojmë mësimin në të gjitha shkollat, kopshtet dhe çerdhet e vendit (përfshirë jo-publiket) edhe ditën e nesërme (datë 27 Nëntor, 2019) në mënyrë që familjet të qëndrojnë së bashku dhe ta përballojnë situatën duke u solidarizuar me ata që u prekën më së shumti nga kjo tragjedi.

Bëj me dije se ekipet tona po vijojnë ndërkohë me evidentimin e dëmeve materiale dhe hartimin e planit të masave për shkollat e dëmtuara.

Gjej rastin të përcjell ngushëllimet më të sinqerta ndaj të gjitha familjeve që kanë humbur njerëzit e tyre të dashur, si dhe t’i uroj shërim sa më të shpejtë të gjithë të lënduarve!