Tërshana:Çmimi i parë në Festivalin e 11, pasi Tonin Harapi me lidhi me ’litar’

1093
Sigal

 Rrëfim i “Mjeshtrit të Madh”, Tonin Tërshana, për fëmijërinë, suksesin në skenë dhe emigrimin

Tonin Tërshana përbën një rekord në skenën shqiptare pasi qysh në pjesëmarrjen, debutimin e parë në festivalin e 4 në RTSH ai zë vend të parë. Në këtë eveniment ai ishte vetëm 16 vjeç. Ka marr pjesë në mbi 20 festivale duke zënë 4 çmime të para duke u bërë një ndër këngëtarët me më shumë trofe në Festivale. Jeta e tij është e mbushur me shumë peripeci. Këngëtar në Turizmin e Shkodrës, në “Bar sahati” Tiranë e shumë lokale të kohës, derisa fillon në Estradën e Ushtarit në vitin 1968, ku vazhdoi deri në vitin 1993. Paratë e shtëpisë i fut tek piramidat, e në vitin 1997, shkon emigrant në Greqi.. Para disa kohësh Presidenti Bamir Topi i jep titullin e lartë “Mjeshtri i Madh”. Por ajo që duhet veçuar nga jeta e tij (në fillimet e vështira të rrugës së këngës) është fakti kur kompozitori i madh Tonin Arapi e mori në shtëpinë e tij dhe po e përgatiste për festival dhe duke qenë çapkën e lidhi me litar tek këmba e tavolinës për të mos bredhur rrugëve të Tiranës në kohën që jepte mësim. Në Festivalin aq shumë të diskutuar, pra në festivalin e 11 në vitin 1972 ai zë vend të parë… Peripecitë, vështirësitë dhe sukseset në rrugën e gjatë të këngës, Tërshana i rrëfen në intervistën e dhënë për ‘Telegraf’…

Flitet se ju keni një fëmijëri të veçantë, ku zëri, kënga u ka ndihmuar të përballoni jetën?

-Kam lindur në qytetin e bukur, qytetin e kulturës dhe të dijes, në qytetin ku liqeni të flladit nga mëngjesi në mbrëmje, kam lindur në atë qytet që ka kalanë me legjendën më të bukur në botë, pra kam lindur në Shkodër. Ishim një familje me shumë fëmijë ku fukarallëku mbizotëronte në çdo cep të shtëpisë. Qysh fëmijë gjeja mundësi nga më të ndryshmet për të nxjerrë bukën e gojës dhe për të ndihmuar nënën.

Kjo ishte shtysa që të provonit zërin?

-Ndoshta dhe kjo. Por di që unë këndoja kudo që isha, por seriozisht të kënduarit për të qenë në vëmendje, e kam nisur në vitin 1963. Në atë kohë në Shkodër kishte dy lokale ku këndohej, në Turizmin dhe në ‘ e Vjetër’. Sidomos, turizmi i Shkodrës ishte në qendër të vëmendjes. Unë se dija se këndoja aq bukur. Këndoja nëpër shtëpi, rrugëve ku më kishin dëgjuar shumë njerëz. Midis tyre më kishin dëgjuar dhe dy vëllezër kitaristë. Një ditë një nga vëllezërit, më thërret në shtëpi dhe më thotë që të shkoja të këndoja me me ‘ta në Turizmin e Shkodrës. Se besoja. Isha ende i vogël. Deri në atë kohë çfarë dëgjoja në radio unë mundohesha ti imitoja. Kam ditur edhe disa  këngë italiane. Shkodra ka qenë e lidhur shumë me muzikën italiane dhe në përgjithësi me kulturën e shtetit fqinj…

Lejoheshin këngët e huaja në atë kohë?

-Viti 1963 nuk ka qenë shumë i kontrolluar. Ishin vite që kishte ndikim ende muzika e huaj dhe problemet e shumta ekonomike e kishin lënë disi të lirë muzikën.

Çfarë këngësh interpretove në Turizmin e Shkodrës?

-Në fillim kam kënduar këngë italiane dhe jugosllave. Unë atëherë isha 14 vjeç dhe u prita shumë mirë.

Ju kujtohen mbresat e natës së parë?

-Sigurisht. Kisha pak ndrojtje por dhe emocion. Dihet që sajova ca rroba të pastra e të reja. Ishte veshje e pëlqyeshme. Bëra një dush që të dukesha i pastër. Që në fillim zëri më doli i plotë. Këndova 4-5 këngë atë natë dhe shumë njerëz u interesuan, u bënë kurioz. Një djalë i vogël që këndonte këngë të huaja dhe ku në Turizëm. Ishte diçka që  binte në sy për kohën. Pas asaj nate Drejtoria e Turizmit më mori në punë dhe më paguante 120 lekë në 15-ditësh. Më vonë fillova edhe me këngë shqiptare. Mosha nuk ishte shumë e justifikuar si këngëtar i mirëfilltë. Pas asaj dite edhe në shtëpi filluan të vinin të gjithë shokët të më dëgjonin. U bëra me shumë dashamirës. Zërin e kisha të pastër. Po më dukej çudi, më dukej shumë e lehtë të këndoja dhe mendoja se përse nuk këndojnë të gjithë? (qesh). Mu dukej e lehtë për vetë moshën që kisha dhe nuk e mendoja thellë se zëri është dhuratë e zotit.. Tani i kuptoj të gjitha…  

Si vazhdoi karriera juaj më tej?

-Pastaj, në shtator të vitit 1963 më  doli shkolla në Tiranë, shkolla  e kulturës. Më doli me gjysmë burse që ishte 90 lekë në muaj. Ishim një familje e varfër. Bëra dy vjet shkollë (ishim 6 fëmijë) por ishim në një gjendje ekonomike të vështirë. E lashë shkollën në vitin 1965. Fillova të këndoj përsëri në Shkodër dhe u futa në punë. Çdo ndërmarrje ka pasur estradë amatore dhe unë punoja në fabrikën e cigareve. Gëzim Kruja, Muharrem Nurja, ishin  aktor por kishte dhe shumë këngëtarë me emër në atë kohë që unë kam respekt të veçantë si Fatmira Buka, Marjeta Çuni etj.., që përbënin estardën e fabrikës së cigareve. Si fabrikë, bëmë një estradë të mirë. Në këtë periudhë unë njëkohësisht punoja mbrëmjeve dhe si këngëtar në Turizëm.

Si ike nga Shkodra e erdhe në Tiranë?

Në këtë kohë në Turizëm, njihem me një oficer nga Vlora që quhej Mersin Maksuti. Ai ishte një dashamirës i imi. Ishte vera e vitit 1965. Një ditë Mersini më thotë se kishte biseduar me ata të Estradës së Ushtarit që unë të punoja atje… Vij në Tiranë pa mbështetje fare. Shkova tek Estrada e Ushtarit, por ata kishin shkuar për të dhënë shfaqje jashtë Tirane. Aty gjeta një udhëheqës artistik që kishte qenë sëmurë dhe nuk kishte shkuar në turne. Ai kishte dhe në orkestrën e Bar Sahatit. Ishte në dijeni për mua. Më fton në darkë te Bar Sahati. Këndova pa ndrojtje. Atë natë u prita shumë mirë. Tek Banka Kombëtare ka qenë një ëmbëltore dhe një dyqan perimesh. Çdo natë unë shkoja e flija aty mes arkash. Nuk kisha asnjë lloj përkrahje dhe asnjë lloj mbështetje. Njihja vetëm ish-kujdestarin e konviktit të shkollës së kulturës kur isha në shkollë në Tiranë. Ai kishte katër fëmijë. U lidha me këta dhe më krijuan bazë për të ndenjur. Më përkrahu shumë kjo familja dhe tek ata kam ndenjur shumë kohë. U bëra si i lagjes. Bëhet fjalë për lagjen tek rruga Naim Frashëri. Atje u njoha me të gjithë. Në moshë të tillë kalova edhe shumë aventura…

Po me njerëzit e artit si u lidhët?

-Një natë tek Bar Sahati më thirrin në një tavolinë. Ishte gusht. Burrat në tavolinë më thanë që këndoja bukur. ‘-Do të provojmë njëherë në radio më thanë,- do vish nesër’. Për moshën unë nuk isha shumë koshient se çfarë po bëja. Shkova në Radio dhe aty njoha se kush ishin Tonin Arapi, Nikola Zoraqi etj…Pasi më prezantuan me ‘ta, më thanë këndo ndonjë këngë. Unë këndova një këngë të Tonin Arapit. Duke parë reagimet e tyre mendoj se ata u habitën. Edhe një këngë tjetër. Në shtator më thanë do të marrim tek anketa e parë e Radio Tiranës. Në atë vit filloi anketa për herë të parë. Këndova një këngë me titull “Gjeologët”. Unë tekstin dhe muzikën e mësova jo më shumë se dy orë… E incizova këngën në radio dhe të nesërmen do të dilte kënga tek anketa e parë që ishte ditë e diel. Në këtë anketë fitoi Vaçe Zela me “Kënga e gjyshes” të Agim Krajkës. Por dhe unë debutova me shumë sukses, u pëlqeva. Kam ndenjur dhe një javë në Tiranë dhe pastaj ika në Shkodër se fillova punë.

Kë këngëtar preferonit më shumë atë kohë?

-Kam pasur një simpati të veçantë për Qemal Kërtushën. Unë e kisha ëndërr të bëhesha si Qemal Kërtusha. Edhe këngët italiane më pëlqenin shumë.

A i mbajte lidhjet me Tiranën?

-Para se të ikja, më morën adresën ku jetoja. U futa përsëri në punë dhe u stabilizova mirë… Në Shkodër punova një vit. Më vjen një telegram në shtëpi që të paraqitem në Tiranë, pasi isha caktuar të merrja pjesë në festival. Ka qenë viti 1965. Ky ishte festivali i katërt në Radio. Paraqitem në radio dhe takohem me Tonin Arapin. Më sistemuan në hotel. Tonini ka punuar në mënyrë të jashtëzakonshme me mua. Më jepte udhëzime për çdo gjë. Ishte shumë i duruar. Ai ishte nën ethet e Festivalit, ndërsa unë si jepja dhe aq rëndësi. Isha vetëm 16 vjeç. Tonini më udhëzonte për mënyrën e të kënduarit, vokalin qëndrimin. Pasi e mësova këngën, m’u dukte vetja si i tepërt dhe unë ika në Shkodër. Tonini më kërkonte në Tiranë unë isha në Shkodër. Ishin ditët e përgatitjes.

Kur u ktheve prapë në Tiranë?

-Unë se dija rëndësinë, e u ktheva pas disa ditësh. Kur u ktheva, nuk kam fjetur më në hotel por më mori Tonin Arapi në shpi. Nuk më linte të dilja në rrugë. Shkonim në radio bashkë e ktheheshim në shtëpi bashkë. Ata më mbajtën sikur të isha fëmija i tyre. Madje njëherë kur Tonini shkoi për të dhënë mësim, më lidhi këmbën me litar tek këmba e tavolinës. Kur u çova u habita. E shoqja e tij qeshi dhe më tha se e ka bërë me shaka.

Pra, u ngjitët në skenën e Festivalit të katërt në radio Tirana?

-Po. Ishte Festivali i parë për mua. Fillova të kem emocion.  Në atë festival unë kisha tre këngë, “Qesh vogëlushi im”, këngën që fitova “Të dua o det” dhe një këngë tjetër.Kjo këngë u hoq dhe unë këndova dy këngë. Të dyja janë pritur shumë mirë. Me këngët kam dalë mbi 7 herë me duartrokitjet e spektatorit. “Të dua o det” fitoi çmim të parë. Pra ishte festivali i parë ku unë mora pjesë dhe fitova çmimin e parë në atë festival. Kënga ka qenë “Të dua o det” e kompozitorit Tonin Arapi. Marie Kraja ka thënë se doli një  gjigand i madh i këngës në moshë të vogël. Këtë ma kanë thënë se unë nuk e kam dëgjuar. Favori im ka qenë se unë kam qenë bashkëpunues i muzikantëve dhe kompozitorëve shumë të mirë si Kujtim Laro, Limoz Dizdarit, dhe këngëtarëve Fatmira Buka, Qemal Kërtusha e shumë të tjerë.

Cili është ndryshimi nga festivali në festival, këngët e atëherëshme me ato të sotmet?

-Unë dëgjoj shumë këngë por nuk më ngjit asnjëra në këto të sotmet. Në festivaet e mëparshëm të paktën 4-5 këngë mbeteshin dhe këndoheshin nga të gjithë edhe më mbrapa. Sot…..

Eshtë folur e flitet shumë shumë për Festivalin e 11-të?

Festivali i 11-të është zhvilluar në vitin 1972 dhe për mua mbetet një ndër Festivalet më të mirë. Një Festival me frymë tjetër. Unë kam kënduar një këngë të kompozitorit Pjetër Gaci.. Edhe në këtë festival, unë fitova çmimin e parë. Për mua ishte hera e tretë që fitoja çmimin e parë. Titulli i këngës ishte “Kur vjen pranvera”. Teksti ishte i Fatos Arapit. Çmimet  e para i kam marrë në festivalin e 4, 10 dhe 11-të. Ky Festival  përbënte një risi në mënyrën e ideimit të skenës, të skenarit të orkestrës. Një festival që përbënte një avancim pak më të madh  për muzikën shqiptare. Pas tij pati shumë diskutime. Pati shumë debate. Unë që fitova çmim të parë nuk pata asnjë problem. Se di pse. Por atëherë diskutohej edhe për diçka tjetër…

Për çfarë bëhet fjalë?

-Fjala ishte që fituesi i çmimit të parë të shkonte në festival Europian. Unë u përgatita për të shkuar në Festivalin Evropian që ishte në Gjermani në vitin 1973. Pra për një vit më vonë. E kupton se si  mund të shkohej në atë kohë në Festivalin Europian?

Si jepeshin çmimet në atë kohë në Festivale?

Kush ishte nga rrethet nuk vlerësohej shumë. Unë që isha nga rrethet, pikërisht rrethet mua nuk më dhanë pikë për çmim të parë. Pikë më shumë më ka dhënë Durrësi, Elbasani, Tirana. Nga rrethet e mëdha mora pikë më shumë. Rrethet më dhanë një të katërtën e pikëve. Tirana kishte 400 pikë për të dhënë. Pra aty ku kishte më shumë emancipim, mora dhe më shumë vlerësim.

Cila ishte pika më delikate e kritikës për ju bë Festivalit të 11?

-Festivali u dënua për tendencën e modernizimit. Edhe tekstet ishin më të avancuara në krahasim me të mëparshmit. Ishin pa ideologji, larg klisheve dhe përmbajtjes së theksuar partiake, kishin më shumë frymë perëndimore.  Partia e dënoi festivalin komplet dhe dënoi edhe disa organizues të saj. U dënuan Mihallaq Luarasi, Todi Lubonja që ishte drejtor i përgjithshëm, dhe këngëtarë të tjerë. Të gjithë përgjegjësinë e kanë mbajtur realizuesit. Në atë kohë, për festivalet nuk gjeje bileta. Ne merrnim nga dy ftesa. Kërkesat ishin të mëdhaja. Kur vinim në sallën e Operas ishin policët me radhë. Turma të mëdha ishin jashtë…

Kur filluat në Estradën e ushtarit?

-Në këtë estradës kam filluar definitiv që në vitin 1968 e kam vazhduar deri në vitin 1993. Nuk kam lëvizur fare për 26 vjet. Aty e kam të gjithë karrierën time. Kam bashkëpunuar me Violeta Simonin, Irma Gurakuqin (ishte shumë e aftë) e shumë këngëtarë të tjerë me emër.

Kush të ndihmoi më shumë për tu bërë pjesë e Estardës së Ushtarit?

-Më ka ndihmuar ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Petrit Dume. Në vitin 1966 unë shkova ushtar dhe punova me Estradën e ushtarit për dy vjet.. Në atë kohë Vaçe Zela kishte ikur nga kjo Estradë. Unë zëvendësova Vaçen. Ishte pikërisht Petrit Dumja që më thirri dhe më vlerësoi shumë.

Petrit Dumja ose ‘Shefi’, si i thoshim ne. Ai më mbante mend që në festivalin e parë. Kur isha ushtar u tregua shumë i vëmendshëm me mua. Një ditë kur kaloj pranë SHQUP (isha ushtar), takoj Petrit Dumen rastësisht në rrugë dhe ai më tha se akoma nuk je liruar? ‘Kush do të më lërojë mua’- i thashë. ‘Shko tek drejtori-më tha-dhe thuaj të fusë në punë’.  Shkoj tek Drejtori i Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë dhe i them se çfarë më tha Shefi i Shtabit.  Ai më emëroi direkt  në Estradën e ushtarit definitiv me një pagesë  730 lekë në muaj. Po këtë ditë u quajta i liruar dhe më vonë mora një shtëpi jo shumë të mirë afër Burgut 313. Shtëpia ishte si kabinë plazhi me një dhomë dhe një kuzhinë. Aty në atë shtëpi kam ndenjur deri në vitin 1982. Pastaj mora një apartament. Ishin kohë të vështira, por jeta lëvizte me vështirësitë e veta.

Me kë aktorë e këngëtarë ke punuar në Estradën e Ushtarit?

-Kam qenë ushtar me Roland Trebickën, Dhimitër Furxhiu, Zef Dedën dhe Ceken e Beratit… Atëherë ka pasur aktorë dhe këngëtarë që kanë bërë emër. Rrallë vijnë aktorë dhe këngëtarë të tillë.

Në sa festivale ke marrë pjesë?

-Kamë marr pjesë afërsisht në 20 Festivale. Nuk janë pak. Kam marrë 4 çmime të  para, kam marrë  pjesë edhe te Festivali i Interpretuesve.

Kur ke dalë jashtë vendit për herë të parë?

-Kam dalë për herë të parë jashtë në vitin 1978, në festivalin e Ohrit me Ansamblin “Migjeni”, me repertor këngë popullore. Ishte ndryshim i madh me Shqipërinë. Nga natyra kam qenë pak i hedhur, por me shtetin nuk ma ka mbajtur. S’kam bërë kurrë luftë me shtetin. Shihja ç’bëhej jashtë dhe heshtja. E dija ç’më priste. I njihja mirë gjërat. Bëja krahasimet dhe habitesha pse ishim kaq mbrapa.

Po më tej?

-Pastaj kam qenë në Turqi në vitin 1979. Në Turqi kam qenë dy herë. Në vitin 1980, kam qenë në Greqi. Kam qenë me Radio Tiranën në Kosovë. Këtu, policia na ka ardhur gjithmonë mbrapa. Nuk lëviznim pa polici. Në Kosovë ishim nën mbikqyrje të rreptë. S’kishim fare liri. Mu duk vetja si në burg. Por kudo që shkonim habiteshim me përparimet dhe me tregjet plot të atyre vendeve dhe bënim krahasimet me tregjet tona bosh. Kam dalë mbi 5 herë jashtë në regjimin komunist. O zot, kur kam shkuar për herë të parë dhe bëja krahasimet. Mos e fol. S’e besoja si ishim ne. S’mund ti bëja krahasimet. Por gojëmbyllur. Bah, kush fliste dot atëherë. Ta thoshin troç, po  fole e ke vendin në burg. Më mirë të heshtja, ç’më duhej ai sport. Nuk durohet burgu.

Kur jeni ndjerë më keq në fëmijëri?

Kur e keni ndjerë veten më keq kur ishit fëmijë?

-Kur nëna jonë shiste qumështin e gjirit për të na ushqyer ne. Ishim shumë të varfër dhe qumështin në vend t’ia jepte motrës së vogël e shiste tek nënat që nuk kishin gji. Ky ishte një heroizëm i paparë. Kjo do të thotë mbijetesë. Për më se 6 muaj, ajo shiste qumështin për të marrë 300 lekë në muaj.

Pse ikët emigrant në Greqi?

-Në vitin 1997, unë shita shtëpinë dhomë dhe kuzhinë dhe i futa lekët në firmat piramidale. Rrugë tjetër nuk kisha përveç emigracionit. Në fund të fundit emigracioni ishte një eksperiencë shumë e mirë. Tani jemi emigrantë në vendin tonë (qesh).

Dhe një herë tek Festivalet, krahasimi me vlerësimet ndër vite?

Ndoshta nuk ka atë vlerë pasi sot ka shumë evente të tjera, por unë jam i mendimit se sërishmi Festivalin në RTSH nuk mund ta zëvendësoj askush se ai ka një rugëtim gati shekullor. Në regjimin komunist, kur zhvillohej Festivali, nuk kishte bileta dhe policia ishte gardh se mos futeshin pa bileta..

Si ndiheni në Tiranë pas kaq vitesh emigracion?

– Le të themi mirë. Jetoj në një lagje të re që s’më njeh asnjë dhe kur dal në qendër më njohin të gjithë.

Keni marrë titullin “Mjeshtër i Madh” ndiheni i vlerësuar?

Ndonjëherë vlerësime të tilla të bëjnë dhe optimist. Sigurisht ndihem i vlerësuar.

KARIERA

Tonin Tërshana, përbën një rekord në skenën shqiptare, pasi që në debutimin e parë, në Festivalin e 4 në RTSH, me këngën “Kur vjen pranvera”(Muzika Pjetër Gaci, teksti Fatos Arapi), merr çmimin e parë. Atëherë ishte vetëm 16 vjeç. Ka fituar çmimin e parë dhe në Festivalin e 11-të të RTVSH. Ka marr pjesë në mbi 20 festivale duke zënë 4 çmime të para duke u bërë një ndër këngëtarët me më shumë trofe në Festivale.

EMIGRIMI

Tonin Tërshana, karierën më të gjatë e ka me Estradën e Ushtarit, afro 26 vjet, përkatësisht nga viti 1968, deri në vitin 1993. Në vitin 1997, këngëtari I njohur detyrohet të marrë rrugën e emigracionit në Greqi. Kjo për shkak se këtë kohë, ashtu si shumë të tjerë, Tërshana shiti shtëpinë(një dhomë e një kuzhinë), duke i humbur paratë tek firmat piramidale. Mbetur pa asnjë mjet jetese, ai detyrohet të largohet nga Tirana në emigrim.

VLERËSIMI

Në karrierën e tij të gjatë, këngëtari Tonin Tërshana ka merituar shumë çmime(4 çmime të para në Festivalet e RTVSH), por vlerësimin më të madh ja kanë bërë dhe ja bëjnë spektatorët e shumtë në mbarë vendin. Njëkohësisht, ai ka bërë dhe disa turne jashtë vendit në kohën e monizmit, përfshi Kosovën dhe Ohrin e Maqedonisë. Kohët e fundit, këngëtarit të njohur, Presidenti i Republikës Bamir Topi, i dha titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh’.