Skandali me faturimin online/ PPP/ Kompania kroate e lidhur me mikun e Ramës, “rrëmben” 6.2 milionë euro për faturimet e biznesit

571
Sigal

FACTCHECK/ Fijet e fshehta me skandalin e floririt në Kroaci, biznesmeni i akuzuar për shantazh dhe mashtrim

 Kompania e lidhur me mikun e Ramës “rrëmben” 6.2 mln euro për faturimin e biznesit

Transaksionet më të larta që janë bërë nga shteti me kompanitë private gjatë 2019 i publikoi dje Open Data. Ajo që bie në sy, është kompania Gjoka si përfituesja më e madhe, me rreth 24 milionë euro, që lidhen kryesisht me punimet në Rrugën e Arbrit. Ndërsa 2 vendet e para i zë kompania Gjoka, e njohur tashmë për vendin e preferuar në listën e oligarkëve, ajo që bën përshtypje është kompania Jehona Software. E themeluar në vitit 2014 mban vendin e tretë për transaksionin me vlerën më të lartë nga një institucion buxhetor në favor të një subjekti tregtar.

Pagesat gjatë vitit 2019

Kjo shoqëri është, Jehona Software, paguar nga Aparati i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve në datën 5 tetor me transaksionin në shumën 432 665 141 (katërqind e tridhjetë e dy milionë gjashtëqind e gjashtëdhjetë e pesë mijë e njëqind e dyzet e një) lekë. Pagesa ka përshkrimin Përmirësim Moduli i Menaxhimit, si kontratë e lidhur në nëntor 2018. Në total, nga Drejtoria e Përgjithshme e tatimeve për këtë subjekt me përshkrimin “Përmirësim Moduli Menaxhimit” janë bërë pesë transaksione me vlerë totale prej 759 144 726 (shtatëqind e pesëdhjetë e nëntë milionë e njëqind e dyzet e katër mijë e shtatëqind e njëzet e gjashtë) lekë.

Por kush fshihet pas kompanisë “Jehona Software”? Biznesmeni kroat i akuzuar për mashtrim “rrëmben” 6.2 milionë euro

“Jehona Software” nuk është një kompani e njohur në Shqipëri, por denoncimet për të nuk kanë munguar… Demokratët e kanë pasur gojën të “lidhur” për këtë kompani, pasi 50% të saj më herët kanë qenë në pronësi të një ish-zyrtari të lartë të Partisë Demokratike, sot pjesë e rëndësishme organizative e PD. Ruajtja e “stafit” nga kroatët ka sjellë “armë-pushimin” e PD, për tenderin e sistemit të ri të faturimeve të biznesit dhe jo vetëm. Por le të ndalemi tek metoda sesi u realizua tenderi për sistemin e ri të faturimit të biznesit. Ky tender ka në fokus, faturat online, për të cilat prokurimi u zhvillua në fund të vitit 2018. Megjithëse gjatë vitit 2019, kompania ka marrë rreth 6.2 milionë euro, nuk duket asnjë ndryshim në sistemin e faturimit.

Ku kanë shkuar paratë?

Kompania “Jehona Software”, përpara se të hynte në tender, u shit tek kompania kroate “Primus Adriatic”, e cila është në pronësi të Hrvoje Čabrajič, (shiko ekstraktin e QKR). Čabrajič është një biznesmen kroat i akuzuar dhe i hetuar për mashtrime, ortak biznesi me vëllain e ish-kryeministrit kroat Zoran Milanoviç. Kjo kompani, u shit përpara tenderit që mund ta fitonte vetë dhe duke hedhur hije dyshimi mbi fituesin e tenderit dhe kjo, mesa duket, përcaktoi fituesin e tenderit, duke përfshirë në këtë çështje një emër të njohur, politikanin Milanoviç, që në kohën kur fitohej tenderi nga miku i tij dhe ortaku i të vëllait, Kresimir Milanoviç, ishte këshilltar i Kryeministrit Edi Rama, kurse sot është President i Kroacisë. Entuziazmi i Rilindjes që u shpreh hapur nga Taulant Balla, për fitoren e papritur socialdemokratit Milanoviç kundër konservatores Kitaroviç në balotazh, nuk mund të shpjegohet vetëm me afilacionin politik. Kush ia dha biznesmenit kroat 6.2 milionë euro në vitin 2019 e 8.8 të tjera në vijim? A janë përdorur këto në fushatën presidenciale? Ky do të ishte një spekulim. E sigurt është që lidhja e të dyve do të forcohet më tej.

 Mashtrimi në Kroaci dhe skema e ‘floririt’

Në vitin 2015 Kroacia u përfshi nga një skandal ku në fokus ishte edhe kompania e biznesmenit Hrvoje Čabrajić. Financierja kroate, Ana Marceta rrëfeu për mediat vendase, se si nisi hetimi tatimor në vitin 2013 për tregun e floririt dhe se si, pas rezultateve domethënëse, investigimi u ndërpre kur në skenë doli kompania e Hrvoje Čabrajić, për të cilën në Kroaci janë të bindur se kishte si “kumbar” vëllain e kryeministrit të asaj kohe, Zoran Milanoviç. Ana Marceta, një zyrtare e lartë e administratës tatimore të Kroacisë, arriti të zbulonte një skemë mashtruese miliona-euroshe me fatura fiktive për shit-blerje floriri, në qendër të së cilës qëndronte kompania “Insula Brac”. Në vitin 2014, Marceta kontrolloi kompanitë që tregtonin ar dhe shufra ari në Kroaci. Ky hetim gjeti rreth 20 kompani fiktive, ku njëra prej tyre “Insula Brac”, pasi u verifikua rezultoi se ishte në bashkëpunim me “Pismohrana”, kompania e biznesmenit Hrvoje Cabrajic. Hetimet u ndërprenë dhe mediat raportuan e shkak ishte mbrojtja që biznesmeni merrte për shkak të mbrojtjes së vëllait të kryeministrit të asaj kohe, Milanoviç, Kreso-s. Prej vitit 2017, Zoran Milanoviç punoi për gati 2 vite si këshilltar i kryeministrit shqiptar, Edi Rama. Në vitin 2018, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) në Shqipëri shpall fitues të një tenderi të dyshimtë me vlerë 15 milionë euro për monitorimin e faturave tatimore kompaninë “Jehona”, e kontrolluar nga Hrvoje Čabrajić, bashkëpunëtori i Kresimir Milanoviç, vëllait të presidentit të sotëm kroat, Zoran Milanoviç.