Ju tregoi babëzinë dhe shpërdorimet me tekstet shkollore

263

Flet ekspertja Asije Hoxha/ Komisioni i Vlerësimit të Teksteve Shkollore në MASR shpërdoron detyrën. Ja komisioni “fantazëm” që ndryshoi për të dytën herë listat e fituesve, dhe pse nuk mban përgjegjësi askush për “Historinë” e klasës së 8-të, ku Kosova paraqitet si territor i Serbisë. Ja 13 anëtarët e Komisionit dhe vendimet abuzive

Komisioni i Vlerësimit të Teksteve Shkollore në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë shpërdoron detyrën në shkelje të kompetencave të tij

 

KVTSH pas shpalljes publike të teksteve fituese në konkurrim, organizonmbledhje dhe ndryshon 2 herë listën me tekste jo fituese. Ndryshimi i parë bëhet me vendim në mbledhjen e këtij komisioni. Ndryshimi i dytë bëhet në mënyrë të fshehtë në katalogun e teksteve shkollore. Në urdhrin dhe udhëzimin e ministres nuk ka asnjë pikë ose germë, që i jep të drejtë këtij komisioni të marrë vendime, mbasi ka përfunduar konkursi. Kryetari i këtij komisioni Ilia Mikerezi, pedagog në Universitetin e Tiranës, firmos në shpërdorim të detyrës së bashku me 11 anëtarë të këtij komisioni, që janë drejtues në sektorë të ndryshëm në MASR. Kur për çdo ankesë të drejtën e firmës e ka vetëm ministrja. Ndërsa listën e teksteve shpallur fituese as ministrja nuk mund ta ndryshojë, sepse nuk është parashtruar në asnjë urdhër ose udhëzim të saj. Realisht këto ndryshime nuk janë firmosur nga ministrja, por janë zbatuar nga komisioni. Duke u nisur nga teksti mësimor “Historia 8” e shtëpisë botuese “Albas” fitues në konkursin për vitin shkollor 2017-2018, që pas tri viteve konstatohet harta gjeografike e Kosovës e pandarë nga Serbia, do të përqendrohem në zhvillimin e këtij konkursi për tekstet e reja të arsimit 9-vjeçar për vitin shkollor 2017-2018.

Detyra kryesore për zhvillimin e konkurseve iu ngarkua Komisionit të Vlerësimit të Teksteve Shkollore.

 A- Kush janë 13 anëtarët e këtij Komisioni?

  1. Kryetar komisioni:

Ilia Mikerezi              Pedagog në fakultetin e shkencave të natyrës

  1. Punonjës të MASR:

Mirela Bimo              Drejtore e financave

Erzen Tola                 Drejtor i drejtorisë së shërbimeve juridike

Zamira Gjini              Drejtore e drejtorisë së arsimit parauniversitar

Anila Ferizaj              Përgjegjëse e sektorit të diasporës

Ornela Koleka           Drejtore e Teknologjisë, informacionit, komunikimit

Agim Leka                 Këshilltar i ministres

Gert Janaqi ………….Drejtor i Institutit të Zhvillimit të Arsimit

  1. Anëtarë janë edhe 5 punonjës të MASR.
  2. Cilat janë kompetencat e KVTSH për këtë konkurs?

Në Udhëzimin nr 2, dt 23.2.2016, prot 1816, fq 4, firmosur nga ministrja lexojmë:- KVTSH ka kompetencë:

  1. Verifikimin e përputhjes së dokumenteve të botuesit me kërkesat e

 konkursit.

  1. Përzgjedhjen e caktimin e vlerësuesve të teksteve shkollore.
  2. Sigurimin e vlerësimit të teksteve duke ruajtur anonimatin.

 ç. Analizimin dhe përpunimin e vlerësimit të recensuesve për tekstet.

  1. Renditjen e teksteve shkollore të reja për lëndë/klasë.
  2. Shpalljen e vendimit për renditjen përfundimtare të teksteve shkollore të reja për lëndë /klasë/profil sipas pikëve, pas përfundimit të afatit të ankimeve.

Si e zbatoi germën – a – ky komision?

Germa a përcakton saktë se detyra e parë është verifikimi i dokumenteve ligjore dhe teknike para futjes së teksteve në konkurs.

Në Urdhrin e Ministres nr 587, dt 16.12.2016 prot, 12583 për shpalljen e konkursit të teksteve shkollore të reja për klasën e tretë dhe të tetë për vitin shkollor 2017-2018 lexojmë:

   Datat e aktiviteteve për konkursin e teksteve shkollore 

  1. Shpallja e konkursit: dhjetor 2016
  2. b. Dorëzimi i teksteve shkollore për vlerësim: 4 -5 prill 2017
  3. Shpallja e fituesve: 26 prill 2017
  4. Përzgjedhja e teksteve dhe porosia te botuesit: 16 -21, maj 2017
  5. Shpërndarja dhe shitja e teksteve: 25 gusht – 15 shtator 2017

   Më dt 26.04 2017, nga Sekretaria teknike e KVTSH në ministri u njoftuan me e-mail shtëpitë botuese pjesëmarrëse në konkurs me këtë përmbajtje: 

   Të nderuar botues

Ju njoftojmë se sot në datën 26.04.2017, në orën 17, në sallën e mbledhjeve në MAS do të bëhet shpallja e teksteve fitues të klasës së tretë dhe të tetë (nga Sh Lamçe).

Mbas shpalljes së teksteve fituese, shtëpitë botuese filluan botimin e tyre për ta shpërndarë në shkolla për përzgjedhje nga mësuesit.

   Po çfarë ndodhi mbas një jave të shpalljes së teksteve fituese?

Në konkurset alternative të teksteve shkollore zhvilluar nga viti 2004 e në vazhdim janë përzgjedhur edhe tekste jo sipas pikëve të vlerësuesve. Vlerësimi ka qenë vetëm për t’u arshivuar. Anëtarët e KMTSH (2004-2012 ) dhe KVTSH (2015-2019 ) para shpalljes së teksteve vlerësuar si fituese ndryshonin listën me tekste jo fituese sipas ofertave dhe porosive.

   Mirëpo në konkursin për vitin shkollor 2017-2018 Ministrja për të evituar ndërhyrjen paraprake në ndryshimin e listave udhëzoi që vlerësimi i teksteve të bëhej jo në Durrës, si zakonisht, por në katër rrethe të ndryshme me grupe pune për çdo lëndë. Komisionit nuk iu dha mundësia për të futur tekste jo fituese, prandaj në shkelje të detyrës, duke përfituar dhe nga angazhime të tjera të ministres organizoi një mbledhje, datë 03.05.2017.

Tema e kësaj mbledhje është:- Verifikimi i dokumentacionit teknik. Qëllimi është i qartë; kapja e ndonjë pasaktësie dhe heqja nga lista fituese dhe zëvendësimi me një tekst jo fitues në shkelje të çdo urdhri dhe udhëzimi të ministres, pas 7 ditë të përfundimit të konkursit.

Po citojmë disa diskutime dhe vendime të marra në këtë mbledhje.

Komisioni konstaton:- Lënda Gjuha shqipe 3, Kodi H2008T, Sh botuese “Vitrina 100”, mungon kontrata e autorit. Matematika 3, Kodi L1808P, Sh botuese “Ideart”, kontrata nuk është firmosur. Dituri natyre 3, Kodi G1803C, Sh botuese “Dudaj”, mungon kontrata. Gjuha shqipe 8, Kodi V1908M, “Vitrina 100”, mungon kontrata. Kimi 8, Kodi E2108W, Sh botuese “Morava”, ka probleme kontrata. Kimi 8, Kodi T2108K, Sh botuese “Mediaprint “, ka probleme kontrata etj.

Cili është vendimi që mori ky komision për këto shtëpi botuese?

Vendimi 1 “Shtëpia botuese “Vitrina 100” i mungon kontrata. Me votim unanim të 9 anëtarëve të pranishëm, (mungon Tatjana dhe Arturi) u vendos heqja nga lista e fituesve tekstet “Gjuha shqipe 3” me kod J2008R dhe “Gjuha shqipe 8” me kod  P1908G dhe të zëvendësohen me dy tekste të shtëpisë botuese “Albas” që nuk u klasifikuan si fituese me kod H2008T (klasa 3) dhe kod V1908M (klasa 8).

Vendimi 2

Ndaj shtëpive të tjera botuese komisioni e mungesat e listuara i kalon në heshtje, duke i konsideruar si të rregullta. Formulimi mungon kontrata, kontratë e pa firmosur, kontratë e plotësuar me pasaktësi nga ana kuptimore shpreh të njëjtën përmbajtje; dokumentacioni teknik është dorëzuar pa kontratë në mes të shtëpive botuese të përmendura dhe autorit të tekstit.

Mungesa e kësaj kontrate nga shumë shtëpi botuese është rezultat edhe i pasaktësive të kërkesave në udhëzimin e ministres nr 2, dt 23.02.2016 Prot 1816. Bashkëngjitur me këtë udhëzim janë renditur formularë të gatshëm për t’u plotësuar nga shtëpitë botuese. Mungon faqja e formularit të kontratës në mes të autorit dhe shtëpisë botuese. Lexojmë shtojcat, që janë vendosur si shtesë në këtë udhëzim.

Shtojca 1: Deklaratë për pajtueshmërinë  me ligjin për parandalimin e konfliktit të interesave.

Shtojca 2: Deklaratë për të drejtën e botimit.

Shtojca 3: Deklaratë për autorësinë e tekstit.

Shtojca 4: Deklaratë për çmimin me pakicë të tekstit.

Shtojca 5: Të dhëna për autorin/autorët e tekstit.

Shtojca 6: Të dhëna për redaktorët shkencorë, letrarë dhe përkthyesit / përshtatësit.

Shtojca 7: Deklaratë e anëtarit të KVTSH për parandalimin e konfliktit të interesave.

Shtojca 8: Deklaratë e recensuesit/vlerësuesit për pajtimin me ligjin për parandalimin e konfliktit të interesave.

Me vendimin 1.2 të komisionit është shkelur haptazi neni 12 i Kodit të Procedurës Administrative të Ligjit 10279, dt 20.05.2010 ku lexojmë: “Administrata publike, në ushtrim të funksioneve të saj trajton në mënyrë të ndershme dhe të paanshme të gjitha subjektet me të cilat hyn në marrëdhënie”.

Në këtë mbledhje u diskutua edhe plotësimi i gabuar, (sipas anëtarëve të komisionit), i Shtojcës 2.

Ja cilat janë kërkesat e Shtojcës 2 që duhet të plotësojnë shtëpitë botuese!

SHTOJCA 2: DEKLARATA PËR TË DREJTËN E BOTIMIT

Deklaroj se ” E drejta e botimit” e tekstit me titull dhe/ose përmbajtje dixhitale _______________________________________, dorëzuar për konkurs në MAS:

Pjesa e tekstit ose teksti në tërësi     Zotëruesi                      Burimi

.____________________________________________________________________

Për botuesin/distributorin (emri zyrtar i subjektit)_________________

(emri, mbiemri, nënshkrimi, vula)___________________

Shtojca 2 vazhdon me shënimin ku orienton si duhet plotësuar.

Lexojmë: –Si pjesë të tekstit, për efekt të burimit të së drejtës së botimit, mund të përfshihen edhe ilustrime, ide ose punë editoriale. Zotërimi i kësaj të drejte nga subjekti përkatës duhet të dëshmohet në kontratën përkatëse midis autorëve dhe botuesit ose me dokumente të blerjes apo dhurimit të kësaj të drejte nga të tretë, kopje të noterizuara, të cilave i bashkëlidhen kësaj deklarate. Në rastet kur e drejta e botimit është fryt i punës origjinale të vetë subjektit, në kolonën e tretë për burimin e të drejtës së botimit shënohet sipas rastit “Origjinale”ose “Nga të tretë”(shënohet në kllapa pala e tretë dhe përfshihet dokumenti i blerjes apo dhurimit).

KJO ËSHTË PËRMBAJTJA E SHTOJCËS 2.

Udhëzimi i kësaj shtojce është një rrumpallë formulimi, që në të gjitha rastet e plotësimit komisioni mund ta vlerësojë të gabuar dhe menjëherë teksti fitues hiqet nga lista dhe zëvendësohet me një tekst jo fitues!

Nëse shkruajmë “Punë origjinale” në vend të “Origjinale” komisioni e heq si tekst fitues dhe e zëvendëson me një tekst tjetër.  Për t’u paraqitur në konkurs me tekste nga 100-200 faqe shtëpitë botuese kanë plotësuar mbi 200 kërkesa të programit mësimor, të standardeve të teksteve shkollore, të udhëzimeve dhe urdhrave të ministres.

Shtëpitë botuese plotësojnë të gjitha kërkesat e MAS dhe kanë të drejtë juridike për udhëzime të qarta dhe të sakta me shembuj konkret dhe jo udhëzime për “kapje” nga KVTSH, që mund t’i interpretojë sipas interesave. Gjatë leximit të kësaj shtojce u konstatua se pothuajse të gjitha shtëpitë botuese e kishin plotësuar gabim, sipas deshifrimit që i kishin bërë vetë këtij udhëzimi pa kuptim.

Ja disa shtëpi botuese që komisioni i konstatoi me plotësim të gabuar të shtojcës 2 në dokumentacionin teknik.

Lënda Matematika 3, Kodi Q2100H. Shtëpia botuese“Uegen”. Pika 2. Gabim deklarata e autorit.

Dituri natyre 3, G1803C, “Dudaj”. Pika 2,Gabim deklarata e autorit. Qytetari 8, Q1503 H, “Erik. ”Pika 2. Gabim deklarata e autorit.

Muzika 8, R1803I, “Arbëria 07” Pika 2. Gabim deklarata e autorit.

Muzika 8, S2008G, “Morava “. Pika 2. Gabim deklarata e autorit.

TIK 8, 2108Q,  “Irisoft. “Pika 2. Gabim deklarata e autorit.

Gjuha shqipe 3, H2008T, Vitrina 100”. Pika 2. Gabim deklarata e autorit etj.

Cili është vendimi që mori komisioni?

Vendimi 3

Në fund të diskutimit komisioni vendosi: “Të gjitha shtëpitë botuese që kanë probleme me Shtojcën 2 do t’i quajmë të mirëqena.”

Fillimisht komisioni duhet të skualifikojë veten. Kërkesën e Shtojcës 2 e formulon gabim. Emërtimi origjinal i Shtojcës 2, në Udhëzimin nr 26 dt 11.12. 2017 firmosur nga ministrja është “Deklarata për të drejtën e botimit.” Ndërsa Komisioni diskuton Shtojcën 2; me emërtimin imagjinar: “Deklarata e autorit.” Ky emërtim që ndryshon nga udhëzimi i ministres vërteton edhe njëherë papërgjegjshmërinë e këtij komisioni në marrjen e vendimeve.

Vendimi 4

Në këtë mbledhje diskutohen dhe tekstet fituese në lëndën emërtuar në proces verbalin e mbledhjes “Edukim për shoqërinë Klasa 3” të shtëpive botuese Albas, Ideart, Pegi. Ata unanimisht shprehen se janë tekste të rregullta. KVTSH nuk e ka idenë se cilat tituj të teksteve kanë marrë pjesë në konkurs. Në Urdhrin e Ministres nr 587, dt 16.12.2016 lexojmë lëndët e teksteve për klasën e tretë që do të marrin pjesë në konkurs: – Gjuha shqipe 3. Matematika 3. Dituri natyre 3. Qytetaria 3. Gjuhë angleze 3. Gjuhë frënge 3. Gjuhë italiane 3. Gjuhë gjermane 3. Teksti për lëndën “Edukim për shoqërinë Klasa 3” nuk figuron. Në urdhrin e ministres lexojmë:- Lënda “Qytetari” Klasa 3”. Edhe në katalogun e teksteve për vitin shkollor 2017-2018 për klasën e tretë lexojmë: Lënda “Qytetari Klasa 3”.

 

Fjala është e tepërt për këtë komision që diskuton pa pasur tekstin përpara dhe ndryshon emërtimin e tij.

Vendimi 5:

  1. Nga protokolli i mbledhjes së KVTSH, dt 03.05.2017 lexojmë:

“Shtëpisë botuese Sidi Education do t’i hiqet një nga tekstet dalë fituese në konkurs “Gjuha angleze 3” me kod J1308R, sepse ka paraqitur dy alternativa për të njëjtin tekst për lëndë/klasë. Ky tekst do të zëvendësohet me tekstin e Sh botuese “Uegen” me kod R21O8I” ( i cili shpallet fitues në mbledhjen e KVTSH). Kur shfletojmë katalogun e teksteve shkollore (fq 4). për vitin shkollor 2017-2018 lexojmë:- Sidi Education +Sidi Education + Educational Centre. Vendimi për heqjen e tekstit  të Sidi Education“ dhe zëvendësimi me tekstin jo fitues të “Uegen” mbeti vetëm në letër.

Vendimi 6

Erzen Tola (drejtor i zyrës juridike në MAS) shtron pyetjet e mëposhtme: “Dje në takimin e KVTSH kërkuam që shtëpitë botuese, që morën pjesë në konkurrim (duhet fituese) të sjellin librat origjinalë për tekstet e gjuhëve të huaja të klasës së tretë dhe të klasës së tetë që të vazhdojmë me shqyrtimin e dokumentacionit teknik të tyre… A i kanë sjellë tekstet origjinale? …Teksti i paraqitur nga Sh botuese “Interlingua”, metoda English Hood nuk është i shtëpisë botuese angleze. Metodë tjetër ka sjellë në konkurs dhe tjetër solli sot si origjinal. Ka të njëjtin problem me dy tekstet e gjuhës angleze të klasës 3, 8. Sh botuese “Interlingua” nuk ka dokument ligjor për të përdorur këtë metodë në Shqipëri dhe nuk ka kontratë botuesi me librin origjinal.”

Së pari: Diskutimi i zotit Erzen është një diskutim çoroditës dhe pa nivel për një drejtor në institucionin më të lartë arsimor në vend. Zoti Erzen me këtë diskutim vërteton se nuk ka lexuar urdhrin e ministres për gjuhët e huaja ku lexojmë: – Urdhri nr 587,dt 16.12.2016 : “Tekstet shkollore; gjuhë e huaj e parë, gjuhë e huaj e dytë, të paraqiten në versionin e tyre origjinal, botim i shtëpive botuese të huaja, përkatësisht angleze, franceze, italiane dhe gjermane” (ndërsa Erzen Tola kërkon tekstin origjinal pas shpalljes së tij fitues.) Sipas fjalës të zotit Erzen del që të tria tekstet e paraqitura nga kjo shtëpi botuese janë me probleme. Dhe do të hiqen.

Së dyti: Me votim unanim të 9 anëtarëve të pranishëm (mungon Tatjana dhe Arturi), u vendos heqja nga lista e metodës English Hood të Sh botuese “Interlingua”, (pa përcaktuar klasën dhe me cilin tekst do të zëvendësohet.)!

Së treti: Në katalogun e teksteve shkollore ( fq 17) lexojmë: Gjuhë angleze e dytë 8. Shtëpia botuese “Interlingua”. Sipas katalogut një nga tekstet e kësaj shtëpie botuese, megjithëse me probleme, nuk është hequr. Kë të besojmë? Komisionin që në proces verbal e heq apo katalogun e teksteve shkollore që e vendos?

Vendimi 7

Komisioni në këtë mbledhje vendos që të hiqet edhe teksti “ Gjuha angleze e dytë 8” e Sh. botuese “Sidi Education”, me kod L1408P, fituese në konkurs dhe të zëvendësohet me tekstin e shtëpisë botuese “Educational Centre”, me kod 01308F, klasifikuar jo fitues nga vlerësuesit.

Por, kur shfletojmë katalogun e teksteve shkollore për vitin shkollor 2017-2018 lexojmë,  Gjuha angleze e dytë 8 sh botuese “Sidi Grup”+shtëpia botuese “Sidi Grup”, +shtëpia botuese Interlingua”(fq 17). Teksti i shtëpisë botuese “Educational Centre”, mbeti vetëm në vendim të këtij komisioni.

 

Vendimi 8

Drejtoresha e drejtorisë së arsimit parauniversitar, zonja Z. Gjini kërkon të shqyrtohen ankesat ardhur nga disa shtëpi botuese. Në fjalën e saj ajo shprehet:

-Po lexoj ankesën e shtëpisë botuese “Mediaprint”, e cila ka sjellë me e-mail, jo me shkresë zyrtare kërkesën…

Zonja Zamira është e para që shkel udhëzimet e ministres. Në udhëzimin nr 2, dt 23.02.2016 Prot 1816 (fq 8) lexojmë: -Ankesat depozitohen me shkrim në zyrën e protokollit të MAS…

Drejtoresha jo vetëm që e quan të mirëqenë ankesën dërguar jo në rrugë ligjore, por ngarkon zonjën Mirela Bimo (drejtore e financave) dhe Erzen Tola (drejtor juridik) të përgatisin përgjigjet ndaj ankesave të shtëpive botuese Mediaprint, Albas, Uegen, Education Centre etj. Çfarë përgjigje do t’i japë financierja dhe juristi për përmbajtjen, metodikën, dhe gërshetimin e kompetencave kyçe me kompetencat e fushës në një tekst mësimor? Komisioni i Vlerësimit të Teksteve Shkollore nuk e di që përgjigja ndaj ankesave të shtëpive botuese hartohet mbi bazën e shënimeve të vlerësuesve.

Në asnjë pikë të kompetencave nuk lexojmë të drejtën që ka komisioni për ndryshimin dy herë të listës së teksteve fituese nga ky komision; njëherë në mbledhjen e datës 03.05.2017; dhe herën e dytë me ndryshimin e vendimeve të marra në këtë mbledhje në katalogun e teksteve shkollore! Me siguri KVTSH nuk ka lexuar faqen 6 në udhëzimin e Ministres nr 2, dt 23.02.2016 ku

lexojmë:-Subjekti ka të drejtën e ankimit të vendimit marrë nga vlerësuesit, pranë Ministrit të Arsimit dhe Sportit që shqyrton Ankesën brenda 10 ditëve. Vendimmarrja e ministrit lidhur me ankimin është përfundimtare. Asnjë përgjigje nuk morën shtëpitë botuese për ankesat e ngritura.

Lidhur me këtë komision që ndryshon listën fituese, jo vetëm teksti “Historia 8”, por dhe shumë tekste të tjera janë miratuar sipas ofertave të njërit apo tjetrit anëtar komisioni!

Anëtarët e komisionit duke vjelë rezultatet e mbledhjes së datës 03.05.2017, të pabazuar në asnjë pikë të udhëzimit ose urdhrit të ministres vendosën të shtojnë një pikë në udhëzimin e ri nr 26, dt 11.12. 2017, prot 12612 firmosur nga ministrja për konkursin e ardhshëm të teksteve për vitin shkollor 2018-2019. Lexojmë: “Dokumentacioni teknik paraqitet së bashku me dokumentacionin tjetër të nevojshëm për konkurrim dhe shqyrtohet nga KVTSH pas shpalljes paraprake të rezultateve të konkurrimit dhe dokumentohet me proces verbal. KVTSH njofton botuesin

ose distributorin në rast mungese apo pasaktësie në dokumentacion. Mungesat apo pasaktësitë në dokumentacion sjellin skualifikimin e menjëhershëm të subjektit nga konkurrimi.”

Qëllimi është i qartë. Me këtë shtesë në udhëzimin e ministres komisioni i hap rrugë ndryshimeve të listës fituese.

Por, Komisioni ka harruar që udhëzimi shoqërohet dhe me urdhrin e ministres nr 602, dt 01.12. 2017, prot 12289 për këtë konkurs ku lexojmë:

Urdhëroj: Datat e aktiviteteve për konkursin e teksteve shkollore të reja janë:

  1. Shpallja e konkursit                      nëntor 2017
  2. Dorëzimi i teksteve shkollore për vlerësim 21,22,23, mars 2018
  3. Shpallja e fituesve            13 prill 2018

 

  1. Përzgjedhja e teksteve dhe porosia te botuesit 15-20 maj
  2. Shitja e teksteve            qershor-shtator
  3. Në urdhër është mjaft e qartë pika c. Shpallja e fituesve.
  4. “Germa –b” e shtuar në udhëzim që të konsiderohet e ligjshme duhet:
  5. të ndryshojë emërtimi Shpallja e fituesve duke u zëvendësuar me shpallja paraprake e rezultateve të konkurrimit.
  6. Të shtohet në udhëzim që KVTSH ka të drejtë të zëvendësojë tekstet e hequra pas shpalljes fituese të tyre.
  7. Të hiqen vlerësuesit e teksteve, mbasi nuk bëhet fjalë më për konkurrim, por për kapje të teksteve nga drejtuesit e MASR.

Ministri të ndryshme shpallin konkurse me miliona euro dhe puna e parë është kontrolli i gjithë dokumentacionit, vulosja e tyre në prani të dorëzuesit dhe vendosja në zarfe edhe të shenjave të subjektit që e dorëzon.

Shtëpitë botuese e dorëzojnë tekstin të shoqëruar me dokumentacionin në një zarf të mbyllur; pa asnjë shenjë dalluese. Zarfi i dyllosur mund të hapet dhe të mbyllet nga çdo anëtar i KVTSH, siç është vepruar gjatë 15 viteve, por me të njëjtin ndryshim, që pas shpalljes së fituesve nuk është hequr asnjë tekst mësimor fitues, siç po veprohet tani.

Ndryshimi i listës së teksteve  është bërë edhe për tekstet e arsimit të mesëm parauniversitar, mbas shpalljes fituese!

 

Asije Hoxha

Mësuese