Silvi Bardhi: Dikush po gënjen shqiptarët! PD proteston vetëm paqësisht!

66
Nga Silvi Bardhi

Mëngjesi i kësaj të premte, një ditë përpara protestës së thirrur nga Partia Demokratike, kryetari Lulzim Basha dhe opozita, më nisi me një pyetje.
Përse tremben njerëzit? Po u thonë se nesër do të ketë incidente…
Në katër vjet opozitë, Partia Demokratike, ka dëshmuar se protestuesit e saj, te djathtë, të majtë, pa parti, i ka thirrur, drejtuar në protesta, vetëm paqësisht, duke i konsideruar po aq dinjitozë sa edhe kauzat e saj.
Protestuesit me të cilët Partia Demokratike ka ngritur zërin, janë përlotur mes turmës, teksa shumë të vërteta përplaseshin prej zërit të tyre drejt kryeministrisë.
Zemrat u kanë brohoritur sepse ishte dita e tyre për të thënë se qeveria prej së cilës drejtohen, po i gënjen pa turp dhe këtë po e bën kaq mjeshtërisht përmes hiles mediatike, propagandës.
Dikush po gënjen shqiptarët, duke u përmendur si fakt të parë, pyetjen e drejtuar ndaj të ftuarve në media: A do të ketë incidente në protestë?
Së pari, kjo pyetje ka dy arsye përse drejtohet. E para, është e qëllimshme. Orienton drejtpërdrejt opinionin ndaj një konlikti imagjinar, ende pa ndodhur.
E dyta, është një porosi nga lart, njësoj si porositë e ish-sigurimit të shtetit. “Krijo një hipotezë, dhe do të besohet!”
PD nuk e ka në gjak dhunën! Dhe kjo është e dëshmuar në katër vite opozitë, përjashtuar protestës kundër ngritjes së bunkerit përpara Ministrisë së Brendshme, simbolikës më djallëzore me të cilën mburret ende paturpësisht qeveria sot! 
Sot lajmi i mobilizimit të 1500 policëve, është sërish pjesë e skenarit qeveritar, për të përforcuar idenë e dhunës, por kjo vështirë se tremb ata prindër që shesin gjakun për të ushqyer fëmijët, ata prindër që po humbin fëmijët e tyre të vrarë rrugëve të Shqipërisë nga depresioni i thellë! Arsyet i dinë shqiptarët pse do të protestojnë, pavarësisht presionit psikologjik!