SHBA sanksione ndaj udhëheqësit serb të Bosnjes

63
Departamenti amerikan i Thesarit vendosi sanksione financiare ndaj udhëheqësit nacionalist të serbëve të Bosnjes Milorad Dodik, për shkak të rolit të tij aktiv, për të penguar marrëveshjet e ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara, që i dhanë fund luftës së Bosnjes në vitin 1995.
Sanksionet e vendosura të martën, autorizojnë autoritetet amerikane të bllokojnë pronat ose pasuritë e zotit Dodik, që janë nën juridiksionin amerikan.
Milorad Dodik, i cili është president i Republikës autonome serbe të Bosnjes, është kritikuar nga perëndimi për fushatën e tij për të festuar Ditën e Republikës Serbe, duke sfiduar vendimin e gjykatës kushtetuese të Bosnje Hercegovinës.
Dita e Republikës përkujton shpalljen e “Republikës së Popullit Serb” në Bosnje, që u bë tre muaj para shpërthimit të konfliktit ndëretnik që zgjati tre vjet, 1992-1995, ku gjetën vdekjen 100 mijë vetë.
Shumica dërmuese e serbëve të Bosnjes votuan në shtator për të mbështetur referendumin e thirrur nga zoti Dodik për të vazhduar shënimin e kësaj dite.
Festa ngjalli emocione të thella mes të mbijetuarve të masakrës së Srebrenicës në vitin 1995, ku 8 mijë meshkuj myslimanë u vranë nga forcat serbe të Bosnjes, në krimin më të rëndë në Evropë, që nga Lufta e Dytë Botërore.
Marrëveshjet e paqes të Daytonit, që i dhanë fund luftës në Bosnje, e ndanë Bosnjen në dy njësi gjysmë të pavarura, Republikën Serbe dhe Federatën Muslimano-Kroate, të bashkuara nga një qeveri e dobët federale.
John Smith, zyrtar i lartë i Departamentit të Thesarit tha se “duke penguar marrëveshjet e Daytonit, Milorad Dodik përbën një kërcënim të madh për sovranitetin dhe integriten territorial të Bosnje Hercegovinës”.