4 sëmundjet që nuk e dinit se mund të jenë ngjitëse

782
Sigal

Prishja e dhëmbëve
Mund të lani dhëmbët dhe të shmangni ëmbëlsirat sa të doni, por, nëse partneri/ja juaj nuk ndjek të njëjtën rutinë, edhe ju mund të bini viktimë e higjienës së varfër orale të tij/saj. Hulumtuesit shkencorë nga Universiteti i Helsinkit, në Finlandë, kanë zbuluar se bakteret orale që shkaktojnë prishje të dhëmbëve mund të kalojnë edhe tek partneri/ja.
Gjatë studimit, të publikuar tek revista “Oral Microbiology and Immunology”, u vëzhguan 20 çifte të moshës 37-70 vjeç, të cilët kishin të paktën 10 vjet që ishin të martuar.
Tek 4 prej çifteve, të dy partnerët kishin baktere të lidhura me inflamacionin e ndeve përreth dhëmbëve dhe inflamacion të mishrave të dhëmbëve. Tre nga ato kishin edhe bakterin kryesor që shkakton prishje të dhëmbëve.
Hulumtuesi shkencorë zbuluan se ADN-ja specifike e këtij bakteri ishte e njëjtë tek të dy partnerët, që do të thotë se është transmetuar nëpërmjet puthjeve.
Kancer
Nuk mund ta merrni kancerin nga një person që vuan nga kjo sëmundje – por mund të merrni virusin HPV (human papiloma virus), i cili rit rrezikun për zhvillim të kancerit të zverkut, penisit, anusit, gojës dhe fytit.
Sipas një studimi nga Universiteti Duke, më shumë se 6 milionë amerikanë infektohen çdo vit me virusin HPV (sëmundja përhapet nëpërmjet kontaktit seksual me një person të infektuar).
Edhe pse disa njerëz mund të largojnë infeksionin vetë brenda 1-2 vitesh, me pak apo aspak simptoma, tek disa të tjerë infeksioni vazhdon të përsëritet – dhe sa më shumë të zgjasë, aq më të mëdha janë gjasat për zhvillim të kancerit.
Sëmundje autoimune
Të jetuarit me sëmundjen celiake nuk është edhe aq e dhimbshme, megjithatë, ato që kanë alergji ndaj glutenit (proteina e cila i jep formën dhe elasticitetin strukturës së drithërave), duhet të kenë kujdes se mos ekspozojnë edhe të dashurit e tyre. Sipas një studimi të publikuar tek revista “Gastroenterology and Hepatology”, partnerët apo bashkëshortët e atyre që vuajnë nga sëmundjet celiake janë më të rrezikuar nga sëmundjet autoimune joceliake, si sëmundja e Crohn-it, psoriasis, artriti reumatoid, lupusi ose koliti ulceroz.
Hulumtuesit shkencor zbuluan se për një periudhë mbi 10 vjet, 4.3% e partnerëve ose bashkëshortëve të atyre që vuanin nga sëmundja celiake u prekën nga sëmundje autoimune joceliake, krahasuar me 3.3% të partnerëve që nuk vuanin nga kjo sëmundje. Hulumtuesit shkencorë mendojnë se kjo ndodh si pasojë e ndarjes së bakterit të zorrës.
Obeziteti
Hulumtuesit shkencorë turq kanë zbuluar së fundmi një virus në indin dhjamor tek të rriturit obezë: human adenovirus-36 (Ad-36). Njerëzit e ekspozuar ndaj virusit Ad-36 kanë 300 herë më shumë gjasa që të bëhen obezë se ata që nuk kanë qenë të ekspozuar. Në të gjithë botën, më shumë se 15 mijë njerëz në 9 shtete të ndryshme të botës janë testuar për antitrupat e virusit (zakonisht trupi e lufton këtë virus, megjithatë dëmi është bërë tashmë) dhe, njerëzit që janë obezë kanë më shumë gjasa që të shfaqin shenja të këtij infeksioni.