Sazan Guri: Ja programi im për Bashkinë e Tiranës

33
Sazan Guri, kandidati i pavarur për kryyebashkiak i Tiranës në intervistën për gazetën “Telegraf” zbardh progamin e tij, se si do të drejtojë bashkinë, duke përcaktuar edhe prioritetet kryesore, në bazë të problemeve më akute që duan zgjidhje të menjëhershme, për të përmirësuar jetesën dhe vetë kryeqytetin tonë. 
-Zoti Guri, cili mendoni se është problemi më i madh i Bashkisë Tiranë dhe si do ta zgjidhni këtë problem gjatë mandatit tuaj?
– Problemi më i madh i Bashkisë së Tiranës është dëndësia urbane, vendosja pa kriter e shumë ndërtimeve, mungesa e gjelbërimit dhe hapësirave publike. Ndaj, motoja e punës tonë do të jetë që gabimet urbane do të korrigjohen nga gjelbërimi vertikal, që do të thotë se pemët do të jenë më të larta se lartësia e pallatit dhe hapi tjetër do të jetë rrethimi i Tiranës me kurorë apo kolinë të gjelbërt. Do të ndalohet që ndërtimi të kap mbi 90% të territorit si këto vjet, nga 40-50% e parashikuar në legjislacionin përkatës të vendit. Do të synohet të shkojmë drejt koefiçientit evropian të zënies së territorit me ndërtime prej 25%, në zonat jashtë Tiranës. Plani Urban i Tiranës do të trajtohet si një Plan Rehabilitimi që do të thotë raport midis hapësirës së ndërtimit dhe asaj publike, ku përfshihet ajo territoriale, e gjelbër, shlodhëse, trotuare. 
Cilat janë ndërhyrjet që ju planifikoni të ndërmerrni brenda vitit të parë të mandatit tuaj për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, godina arsimore apo shëndetësore në bashkinë Tiranë? 
Lidhur me infrastrukturën do të shpallet të paprekura territoret e gjelbra ekzistuese, mbrojtja dhe zhvillimi i tyre dhe me anë të një studimi do të gjenden dhe do të sigurohen nga Bashkia territore si ish-fabrika e uzinave dhe do të blihen troje private për hapësira publike dhe të gjelbra dhe për infrastrukturën rrugore. Për të ekulibruar ndotjen urbane do të synohet që të mbillen 10 pemë/banorë. Krijimi i më se 40 pasqyrave ujore, ose oazeve ekologjik për zbutjen e temperaturave lokale. Lidhur me godinat arsimore, sigurisht që është e vështirë ngritja e veprave të tilla të reja, por me anë të blerjeve të trojeve private do të synohet që biznesi i ndërtimeve, do të orientohet jo më drejt ndërtimeve për banim, por drejt veprave të tilla civile: kopshte, çerdhe, shkolla, vepra publike etj. 
A keni një listë kriteresh për emërimin dhe shkarkimin e administratorëve të njësive administrative të bashkisë Tiranë?
Po, kemi. Nuk do të ketë zëvëndësime për shkak të ndryshimit të qeverisjes bashkiake. Nuk do të ketë në shkarkime dhe ngarkime (emërime) frymë partiake, por gatitje teknike, kualifikime shkencore, eksperiencë në administratë, por mbi të gjitha njerëz me integritet dhe me vullnet për t’i shërbyer qytetarit. 
Cilat mekanizma do të ndërtoni në mënyrë që të siguroni pjesëmarrjen dhe konsultimin me qytetarët në procesin e vendimmarrjes së bashkisë? 
Çdo vendimmmarrje do të merret mbi bazën e diskutimeve, fillimisht në nivel universitar, pedagogjik dhe duke aktivizuar ato organizma që kanë lidhje me çështjet. Niveli i dytë do të jetë diskutimi në komisione qytetare me përfshirje teknicienë nga bashkia, përfaqësues teknicienësh nga të dyja krahët, por mbi të gjitha ekspertë të shoqërisë civile dhe qytetarë të thjeshtë që do të bëjnë atë që quhet “Komision qytetar”. Mandej, çështja pasi është shoshitur në këto dy nivele drejtohet për në Këshillin Bashkiak, që më tepër do të ketë karakter formal dhe që do vishet me kornizë ligjore. 
Cila do të jetë politika sociale për përmirësimin e kushteve të jetesës së grupeve vulnerable, si romët dhe personat me aftësi të kufizuara?
Do të sigurohet një takëm banesash sociale për një pjesë të tyre. Kujdesi më i madh do të tregohet në integrimin e fëmijve të tyre në institucionet e tjera publike të shoqërisë (kopshte, çerdhe, shkolla etj.) Për njërëzit me aftësi të kufizuar, pikë së pari do t’i garantohet me standarte europiane ajo përqindje që u takon për mungesën e aftësisë nga njëra anë, por edhe përfshirjen e tyre për të qënë aktiv duke kontribuar me punë në përputhje me aftësitë e tyre. 
Çfarë hapash do të ndërmerrni gjatë mandatit tuaj për shtimin e korsive për biçikleta në zonat urbane të bashkisë Tiranë?
Filozofia jonë do të jetë ofrimi çdo personi alternativat e nevojshme për të udhëtuar; 100% e rrugëve të Tiranës do të kenë korsinë e dedikuar ekologjike (biçikleta, zbutësa, shënjat, rrugë për paraplegjikun). 
Çfarë hapash do të ndërmerrni për përmirësimin e shërbimit të transportit urban?
Programi ynë do të bëjë të mundur që të vihen taksa: Për unazën e parë me 300 lekë; Për unazën e dytë prej 200 lekësh; Për unazën e tretë me 100 lekë, duke bërë të mundur parkimin e automjeteve me diferencim të taksuar. Do të hyjë në funksionim të plotë linja me semaforët onde verde dhe semaforët në lartësinë e makinës: a) Rregullimi me semaforë të ulët/lartë dhe b) Hapja e semaforeve në sinkroni njëri pas tjetrit. Do të ndërtohen jo më pak se 6 Parkime nëntokësore dhe i vetmi ndërtim në Tiranë brenda unazës së njohur do të jenë dy apo më shumë ndërtime për parkime mbitokësore. Rrugët kryesore do të jenë pa parkim.
Si do ta zgjidhni problemin e furnizimit me ujë të pishëm?
Do të nxisim sigurimin e ujit për sipërmarrjet private dhe/ose jo publike nga burimet nën tokësore, që mund të sigurojnë dhe një 30% tjetër, duke mbajtur të regjistruar dokumentacionin përkatës për çdo pus si shfrytëzim të një burimi natyror dhe duke i trajtuar ato si pasuri kombëtare. Do të sigurojmë trajtimin e ujit për heqjen e mbi kripërave, duke e trajtuar me ozon. Do të sigurohet uji i pishëm dhe i pastër në çdo rubinet të qytetarit. Futja e sitemit të sigurisë së cilësisë HaçP (Hazard Critical Control Point) sipas standarteve të BE. 
Kë zgjidhje keni menduar për mungesën e hapësirave në varrezat e qytetit?
Jetëgjatësia e një varri nuk do të jetë më shumë se shtatë apo le të themi dymbëdhjetë vjet. Në kësi rastesh do të gjenden forma dhe modelesh për qytetarët se si varre të ndryshme familjare të grupohen në një të vetme. Nuk mendoj për zgjerim në sipërfaqe, por ndoshta për thellim dhe grupim.
Çfarë do të bëni për nxitjen e blegtorisë dhe bujqësisë në bashkinë Tiranë?
Komunat do të shërbejnë si zona shlodhje, rekreative për vetë qyetarët e Tiranës. Do të nxiten politika sesi të ngrihen në të katërta anët e qytetit panaire të mëdha agro-kulturore, ku Bashkia do të ofrojë rrugëtim dhe fërmerët do të ofrojnë produkte me çmime pranë kostos. Do të nxiten politika sesi fermerët t’iu kthehen prodhimit dhe produkteve organike dhe me anë të çertifikimeve, Bashkia do të kontribuajë lidhjet e tyre me tregjet brenda dhe jashtë vendit.