Samiti, Rama:Dokumenti ynë u vlerësua nga të gjitha palët

490
Sigal

TIRANË – Kryeministri i vendit Edi Rama, ndërkohë që ndodhet aktualisht në Berlin për të marrë pjesë në Konferencën për Ballkanin, ka njoftuar përmes rrjetit social ‘Twitter’ për fillimin e punimeve të kësaj të fundit. Ashtu dhe siç deklaron Rama konferenca ka startuar me ministrat e ekonomisë së Gjermanisë, Austrisë dhe të rajonit.

Sipas Ramës çdo palë që merr pjesë në konferencë ka vlerësuar dokumentin e paraqitur nga vendi ynë. Konferenca e Ballkanit po mbahet ditën e sotme në Berlin me ftesë të kancelares gjermane Angela Merkel, ndërsa pas takimit, në daljen për media, do të mbajnë fjalim vetë kancelarja dhe kryeministri Rama.
 
Starton Konferenca Ballkanike në Berlin, i pari sesioni i ekonomisë 
Nga e dërguara e A1 Report në Berlin, Joniada Koci mësohet se ka nisur ‘Konferenca Ballkanike’ ku seksioni që ka startuar këtë samit është sesioni i biznesit.  Në  këtë sesion kanë marrë  pjesë të gjithë ministrat e Ekonomisë dhe Tregtisë të 7 vendeve Ballkanike ku do të diskutojnë, për projektet që do rrisin zhvillimin ekonomik të rajonit.  Ndërkohë që në 12:00 është zhvilluar sesioni për politikat jashtme nga Ministrat e Jashtëm.

Ndërsa nga 15:30-17:20 Kryeministrat e Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Kosovës, Kroacisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Serbisë dhe Sllovenisë, do të diskutojnë në lidhjen me çështjet ekonomike të vendit

Në orën 17:30 do të finalizohet edhe samiti i rëndësishëm ku do jetë një konferencë e përbashkët për mediat, Rama, Barroso dhe Merkel.

Gjatë ‘Konferencës Ballkanike’ në Berlin do të diskutohen 4 shtylla kryesore, projektet infrastrukturore ku spikat “Korridori i Kaltër” Në shtyllën e dytë do të jetë siguria energjetike dhe siguria e infrastrukturës energjetike. Shtyllën tretë do të bazohet te arsimi profesional, ndërsa e katërta, por jo më pak e rëndësishmja investimet në turizëm.

Sytë nga Berlini, mblidhen krerët e Ballkanit Perëndimor
Sytë e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të jenë sot të gjitha në drejtim të Berlinit. Me ftesë të kancelares Angela Merkel, Gjermania do të pres sot në “Konferencën Ballkanike”, kryeministrat dhe ministrat e Jashtëm e të Ekonomisë të Shqipërisë, Bosnje-Hercegovinës, Kosovës, Kroacisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Serbisë dhe Sllovenisë. Kryeministri Edi Rama dhe ministrat Ditmir Bushati dhe Arben Ahmetaj janë tashmë në Berlin dhe kanë gati dokumentin me kërkesat kryesore që do të paraqesin në tryezën e kancelares Angela Merkel.

Shqipëria në këtë konferencë, ka edhe një rol të veçantë, ku kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama, do të jetë edhe përfaqësuesi i vetëm i vendeve të Ballkanit që do të dalë në konferencë në krah të kancelares gjermane. Në fokus të Konferencës do të jenë çështjet që ende janë të hapura për rajonin, ku synohet të forcohet akoma më tej bashkëpunimi rajonal dhe perspektiva europiane drejt BE e vendeve ballkanike. Nisma vjen menjëherë pas pjesëmarrjes së pak javëve më parë të kancelares Merkel në takimin e kryetarëve të Shteteve të Ballkanit të zhvilluar në Dubrovnik. Konferenca ka për qëllim trajtimin e çështjeve të hapura në rajon dhe zhvillimin e projekteve të rëndësishme që prekin fusha të ndryshme ekonomike dhe politike të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Kryeministri Rama ka shpjeguar projektet e vendeve të Ballkanit që do t’i propozohen në konferencë kancelares gjermane. Turizmi, infrastruktura dhe energjia do të jenë bazat kryesore të një  dokumenti që kryeministri Rama do t’i dorëzojë kancelares Merkel në emër të liderve të Ballkanit. Bazat e projekteve u hodhën në takimin e zhvilluar pak ditë më parë në Dubrovnik mes kryeministrit Rama dhe kryeministrave të Kroacisë, Malit të Zi dhe Bosnje-Hercegovinës, ku u vendos edhe të dilej në një qëndrim të unifikuar. Dokumenti që kryeministri Rama do t’i dorëzoj kancelares gjermane është i pari i këtij lloji që Shqipëria i paraqet BE.

Projekti më i rëndësishëm që liderët e Ballkanit do të paraqesin është ai i “Korridorit të Kaltër” që do të lidh me njëra-tjetrën Kroacinë, Malin e Zi, Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën. Shqipëria në këtë konferencë do ta përqëndrojë vëmendjen në mbështetjen që do të kërkojë për arsimin profesional, të cilin e ka përcaktuar si prioritar për këtë vit të ri shkollor. Kryeministri Rama e ka konsideruar si të artë këtë moment për Ballkanin. Përzgjedhja e kancelares Merkel për të dalë në krah të kryeminisrit Rama, shihet pozitivisht edhe në procesin e njohjes së vendit pas marrjes së statusit të vendit kandidat.