PD:Rrëzimi me urgjencë i dekreteve të Presidentit, shkelje e Kushtetutës

423
Sigal


TIRANË 
– Deputeti i Partisë Demokratike, Eduard Halimi ka dalë në një deklaratë të dytë për mediat në pakë orë. Këtë herë në shënjestër të PD është mbledhja e nesërme e Komisioni të Ligjeve, ku sipas Halimit do të orvatet, nga ana e mazhorances, të rrëzohen dekretet e Presidentit Nishani. Sipas deputetit Halimi kjo mbledhje që në filiz është antikushtetuese dhe në kundërshti me rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë. Në deklaratën e tij për mediat, Halimi, ka deklaruar se neni 74 i Kushtetutës parashikon se Kuvendi i zhvillon punimet vjetore në dy sesione. Sesioni i parë fillon të hënën e tretë të janarit dhe sesioni i dytë të hënën e parë të shtatorit. Atëherë në këtë seancë nuk mund të shqyrtohet asnjë çështje tjetër përveç miratimit të Programit të Punës dhe Kalendarit të Punimeve të Kuvendit. Nuk ka asnjë Kalendar të Punimeve dhe as Program Pune, ku të jetë përcaktuar që Dekretet e Presidentit do të shqyrtohen në seancën e datës 1 shtator 2014.”-deklaroi deputeti Halimi. Gjithashtu deputeti i PD ka përmendur dhe nenet 26, 27 dhe 29 të Rregullores së Kuvendit, të cilat parashikojnë që Kuvendi i zhvillon punimet në seancë plenare dhe në komisione, sipas një programi të miratuar nga Konferenca e Kryetarëve dhe Kuvendi. Gjithmon sipas Rregullores së Kuvendit është kryetari i Kuvendit ai që i propozon Konferencës së Kryetarëve kalendarin e punimeve të Kuvendit për një periudhë 3 javore dhe se Kalendari bëhet i zbatueshëm vetëm pasi miratohet në seancën plenare. “Shqyrtimi i Dekreteve të Presidentit nga Komisioni i Ligjeve më datë 29 gusht 2014, dhe përfshirja për votimin e tyre në seancën e datës 1 shtator 2014, po bëhet në kundërshtim flagrant me nenin 74 të Kushtetutës, si dhe neneve 26, 27 dhe 29 të Rregullores së Kuvendit.”- ka thënë në vijim të deklaratës së tij për shtyp deputeti Eduard Halimi. Shkeljet, e argumentuara më lartë nga vetë Halimi, sipas këtij të fundit janë të qëllimshme si nga ana e Kryeministrit të vendit si dhe nga Kryetari i Kuvendit. “Këtë thotë Kushtetuta dhe rregullorja e Kuvendit, e zezë mbi të bardhë. Por Kryeministri dhe kryetari i Kuvendit nuk duan t’ia dinë as për Kushtetutë dhe as për ligj. Kryeministri niset ditën, niset për të marrë pjesë në një samit të rëndësishëm të Ballkanit dhe natën urdhëron kapjen e drejtësisë nga ushtarët e tij që të verbër e ndjekin në rrugën e arrogancës dhe autoritarizmit.”- ka akuzuar deputeti i Partisë Demokratike, Eduard Halimi.