Rishfaqet fantazma e vitit ’96

178

RAPORTI I OSBE-së/ Politikanë dhe ekspertë flasin mbi parashikimin për zgjedhjet e 2013-s

E trishtueshme të shqiptohet, por është e vërtetë. Midis nesh vërtitet fantazma e 1997-s. Për më tepër tronditës bëhet fakti kur këtë e thonë ndërkombëtarët. Nga raporti i një dite më parë i OSBE-së për situatën politike në Shqipëri, ka tërhequr vëmendjen parashikimi se zgjedhjet e ardhshme do të shndërrohen në një garë të egër midis forcave politike. Thënë ndryshe, sikurse shprehen ekspertë të politikës, në zgjedhjet e 2013-s do të vidhen votat njëlloj si në 1996-n, të cilat ishin pa asnjë dyshim zgjedhjet më të këqija që kemi parë në këto dy dekadat e fundit. Kështu u interpretua fraza e raportit të pardjeshëm të OSBE-së. Dhe dihet botërisht se zgjedhjet e ’96-s pollën ’97-n. Vetëm ta pohosh këtë parashikim ogurzi, të ngjethet mishtë. Pa le më sikur të bëhet realitet! Duam apo s’duam ne, me këtë klasë politike, sado që ajo të përbetohet për zgjedhje të lira dhe të ndershme, nuk kemi asnjë garanci se vota jonë vitin e ardhshëm do të jetë e lirë. Të paktën precedentët nuk na lejojnë të shpresojmë për këtë. Këtë paralajmëroi furtuna me akuza e kundërakuza që u ngrit pak ditë më parë në seancën parlamentare kur u hoqën imunitetet. Mirëpo tashmë kemi një kambanë alarmi që i ranë ndërkombëtarët. Dhe kjo kambanë bie dhjetë muaj para zgjedhjeve. Është një moment që politikanët tanë duhet t’i vërë thellë në mendime. As 1996-a dhe as 1997-a nuk janë harruar. Gjëma që sollën zgjedhjet e 1996-s nuk duhet lejuar kurrsesi të përsëritet. Urojmë të ndodhë ajo që thotë ndonjë ekspert se tashmë kemi një infrastrukturë tjetër zgjedhore, më moderne dhe me mundësi fare të pakta manipulimi. Port ë mos harrojmë se edhe manipulimi tashmë është bërë më i sofistikuar. Në këtë kontekst, i takon opozitës së sotme të bëjë ç’është e mundur për të mos lejuar tjetërsimin e votës, ndërsa maxhoranca do të jetë përgjegjëse për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Mirëpo, ç’ndodh? Opozita e ka marrë mefshtë punën e zgjedhjeve, duke menduar se udha e tyre drejt pushtetit është e hapur. Por kështu ata gabuan në 2005-n, kështu u mashtruan edhe në 2009-n. Shikoni se ç’ndodh me KQZ-në! Zvarriten dhe shkelen afatet nga të dyja palët për anëtarët e rinj të KQZ-së, aq sa dyshohet për një marrëveshje të fshehtë mes PS-së dhe PD-së. A nuk të lë të dyshosh ky fakt se, zgjedhjet nuk do të jenë të lira dhe të ndershme. Vetë politikanët shprehen skeptikë për këto zgjedhje. Gjithsesi, tani për tani mund të themi se beteja sa ka nisur…

____________________________________________________________________________________ 

FLASIN PËR “TELEGRAF”

Kristaq Kume, ish- Kryetari i KQZ-së

Nuk kemi pse t’i paragjykojmë forcat politike. Fushata elektorale e 2013-s, do të jetë e fortë, por jo e egër, në kuptim të dhunshëm. E gjithë kjo tregon se palët politike janë duke investuar te platforma politike edhe anën emocionale. Fushata elektorale do të bëhet në dy plane. Në planin politik, ka pjesën e mbartjes emocionale, jemi mësuar me këto shprehje të saj, ndërsa Kodi Zgjedhor i ka përcaktuar rregullat, mundësitë për të abuzuar janë shumë të vogla. Deklaratat janë më shumë në dukje të pjesës emocionale dhe jo thelbin. Por nga ana tjetër, forcat politike, duke investuar  me ndonjë ashpërsim, më shumë ndërtojnë  sjelljen dhe  alibinë e humbjeve politike të mundshme.

 Fatos Klosi, antar i Asambles Kombëtare të PS-së

Palët politike do të luftojnë fort me metodat që i lejon ligji. Edi Rama që tani thotë se është Kryeministri i ardhshëm, ndërsa Berisha ka deklaruar që do të jetë Kryeministër edhe 20 vjet të tjera. Kjo në vetvete do të sjellë konfliktualitetin politik. Për 2013-n unë them që votat do të vidhen, jam i sigurt, që votat do të vidhen. Situata politike është e acaruar shumë, e do të acarohet edhe më shumë. Berisha do të luajë të gjitha kartat për të ruajtur statukuonë dhe këtë radhë do të ketë edhe një arsye më shumë, që të shqetësohet. Do të ketë më shumë forca politike përballë, e kjo e bën edhe më të mprehtë problemin, acarimin.

Eridian Salianji, jurist

Me këtë Kryeministër kaq të egër, asnjëherë nuk kemi patur zgjedhje normale, të ndershme, ndaj edhe tani nuk mund të shpresojmë se do të bëjnë zgjedhje të lira. Kemi një kryeministër shumë të egër, u emërua një ministër i brendshëm, që ka dhënë provat sa militant besnik është i Kryeministrit më të egër dhe u emërua për të kontrolluar zgjedhjet e 2013-s. Kjo do të ashpërsojë e acarojë polaritetin politik. Shumë kemi bindjen se pushteti do të abuzojë me votat e 2013-s, pasi ka abuzuar përherë me çdo zgjedhje që ka drejtuar. Por PS-ja nuk do të lejojë më që votat të vidhen. Kodi i ri Zgjedhor nuk lejon vjedhjen e votave, por njerëzit militantë të Kryeministrit të egër do të bëjnë gjithçka që zgjedhjet të bëhen në tension të acaruar politikisht, që të përfitojnë.