Fole si Kryetar i Komitetit të Shpëtimit o Ramë

333
Sigal

Edi Rama na kthehu pas në kohë, plot 23 vjet, kur kujtoi 1997, duke akuzuar opozitën se me propozimet dhe deklaratat e saj synonte të kthente rrëmujat e atij viti.

Rama shfaqet i shqetësuar sa herë dikush, qoftë ose jo pjesë e opozitës, i propozon që të përdorë paratë e buxhetit për qytetarët dhe bizneset që sot janë në krizë mbijetese. Kjo i prish gjumin piktorit, që pandemia e Covid 19, e ka bërë edhe mjek, edhe infeksionist, edhe polic, edhe ushtarak, edhe babain e shqiptarëve, madje edhe Zot, duke parashikuar skenarët më të kobshëm.

Në fund thotë se skenarët nuk ndodhën, sepse ai, pra Rama, mori masat që penguan armikun e padukshëm, a thua se përballë tij janë njerëzit më të papërgjegjshëm të globit.

Kur Ramës i kërkohej të merrte masa, ai përgjigjej mos përhapni panik. Kur i thuhej ku i ke spitalet e karantinës, përgjigjej se ato përbënin sekret, pavarësisht se pjesa më e madhe e atyre që qoftë edhe një ditë kishin folur me një mjek, e dinin që barra dhe pesha do të binte mbi Infektivin dhe stafin e tij.

Nëse do të ishte kaq i përgjegjshëm sa shfaqet sot, minimalisht duhej t´i kursente shqiptarëve ato skenat e turpshme me stafe mjekësore në kufi që matnin temperaturat e udhëtarëve që hynin në territorin shqiptar, kur edhe bufi e dinte që “armiku i padukshëm” kishte një kohë deri në 14 ditë për t´u shfaqur.

Një nga mjekët e infektivit, nga ato që sot është në rreshtin e parë të “luftës”, e tha publikisht se masa me matje temperature nuk jepte rezultate, pasi një paracetamol para udhëtimit, mund t´i ulte temperaturën çdo udhëtari, që mund të kishte probleme.

Sot, asnjë prej anëtarëve të shtabit të luftës, nuk është në gjendje të provojë nëse pacienti i zbuluar në javën e parë të marsit është ai zero, sikundër askush s´mund të provojë se përhapja e virusit nuk ndodhi në janar apo shkurt, kur lidhjet me Italinë janë aq të forta, dhe në vendin fqinj, ishin shfaqur rastet me koronavirus.

Sot të njëjtët nuk janë në gjendje të provojnë nëse në janar apo shkurt kanë bërë teste ndaj personave që i kanë pasur të shtruar në spitale dhe kanë kaluar pneumoni, edhe pse nga OBSH ka qarkulluar informacioni mbi Covid 19, që fillimisht ishte një epidemi, që lindi në Wuhan dhe më pas u kthye në një pandemi, për shkak të shtrirjes në shumë vende në mënyrë të shpejtë.

Por ndërkohë që në Itali dhe në Europë flitej për Covid-19, në Shqipëri, një nga këto mjekët që fatkeqësisht u infektua me koronavirus, tregonte në studiot e emisioneve televizive për imunitetin e shqiptarëve, meqë shumica e popullsisë vinte nga zonat jo-urbane.

Pas tij shfaqeshin ca sharlatanë që këshillonin për të konsumuar hudhra e raki, se këto e vrisnin koronavirusin, ndërsa “gjenerali” postonte në rrjete komente plot humor për atë që sot e konsideron “armikun e padukshëm”, nga frika e të cilit u mbyll në Surrel dy javët e para.

Një pjesë e atyre që sot janë pjesë e luftës reale ndaj Covid 19, kanë përballur edhe gripin e pulave, të derrave dhe plot epidemi të tjera, përfshi edhe fruthin, dhe ato, me aq mjete sa kanë në dispozicion, mbeten e vetmja garanci për të shpëtuar jetë njerëzore, apo minimizuar dëmet.

Dhe në respekt të këtyre mjekëve, Edi Rama duhej të përçonte të tjera mesazhe, të shfaqej sa më pak, dhe të merrte vendime që qetësonin qytetarët, qoftë edhe ata që dje apo sot vijojnë të besojnë se hudhra, rakia, apo fakti se janë nga zonat rurale, shumica e popullsisë, i bën imunë ndaj koronavirusit.

Por jo, ai nuk e bën dot këtë dhe së fundmi zgjodhi t´i trembë njerëzit me rikthimin te 1997-ta. Foli si kryetar i Komitetit të Shpëtimit të 1997, duke harruar me dashje se atë revolucionin bolshevik e organizoi partia që drejton sot, bashkë me disa nga ata që deri dje kur ishte në opozitë, ndante tavolina dhe idetë.

Ishin këta të kollarisur që në 1997 shfrytëzuan disa banditë për të sulmuar me armë institucionet dhe duke vrarë brenda tyre punonjës të këtij shteti, të tradhëtuar nga disa që u vendosën në atë kohë si gjeneralë.

Dhe meqë na i kujtoi 1997, një nga ato që drejtonte turmat dhe lyente duart me gjak e ka pasur deputete në partinë që sot drejton, madje edhe kur u votua si ministër Kulture, kjo deputete i dha votën në Kuvend.

Edi, boll fole herë si mjek, herë si gjeneral dhe herë si kryetar i komitetit të shpëtimit. Fol dhe reago si Kryeministër, merr përgjegjësi dhe mos ki frikë.Frika të dëmton shëndetin, thonë mjekët, ata të vijës së parë, dhe ti je ende i ri./Boldnews.al