Rezultati i zgjedhjeve vendore do t’i verë pikat mbi “i” në PS, për të ardhmen e kryeministrit dhe të deputetëve

244

Forumi- Hedhin dritë mbi debatin publik të deputetit Doshi me kryeministrin, Kreshnik Spahiu, Ilir Kulla dhe Shenasi Rama

Një ditë më pas, konkretisht dje, nga e enjtja, kur deputeti i PS-së, Tom Doshi publikisht deklaroi se sapo ka filluar lufta e hapur midis tij dhe kryeministrit, protagonistët e debatit politik publik, (që në fakt, filloi ditë më parë, në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, në mungesë të Edi Ramës), qetësuan tonet e zërave publikë, (ndërkohë që nuk dihet nëse u paqësuan ndjenjat e brendshme të sedrës së prekur). Gazeta “Telegraf” për të hedhur dritë, më tepër se çfarë mund të ndodhë në PS në të ardhmen, organizon forumin duke ftuar kryetarin e AK-së, Kreshnik Spahiu, analistin Ilir Kulla dhe profesorin  shkencës së marrëdhënieve politike në një universitet të SHBA-së, Shenasi Rama.

  1. Konflikti mes deputetit  të  PS-së dhe kryeministrit Edi Rama, a mund të quhet debat i brendshëm në Partinë Socialiste apo sherr personal?

Kreshnik Spahiu: – Këtë deputeti Doshi nuk e bën për një luftë personale, sepse ai ka deklaruar publikisht që nuk ka ambicie për të qenë pjesë e kabinetit qeverisës të Ramës. Tom Doshi nuk ka përfituar nga qeverisja socialiste. Përkundrazi. Qeverisja socialiste ka përfituar miliona euro, apo mijëra vota nga Doshi.

Ilir Kulla, analist: Është në traditën e PS-së debati i brendshëm dhe madje publik, si i tillë. Mendoj se ky debat i bën mirë PS-së. Ai nuk është një debat personal, pasi më rezulton që Kryeministri dhe deputeti Doshi nuk kanë konflikte personale, madje ata vijnë nga një histori e gjatë miqësie dhe bashkëpunimi politik.

Shenasi Rama: – Tani që është ristrukturuar pushteti lokal, ka rëndësi të madhe se kush kontrollon thesin me para në bashkitë respektive. Sherri nuk është i brendshëm, se nuk u mbajt si i tillë, d.m.th. nuk u debatua në struktura dhe të mbyllej aty. Nuk është as thjesht personal, edhe pse nga gjestet e deputetit Doshi në Kuvend, kuptohej se kishte ndërmend të presë diçka shqetësuese që i përkiste kryeministrit, sepse si kryeministri Rama ashtu edhe deputeti Doshi përfaqësojnë interesa të caktuara dhe luftojnë për ato interesa.

2. Sipas jush, çfarë ekuilibri u prishën midis Ramës dhe  deputetit të PS- së?

Kreshnik Spahiu: – Qëndrimi i deputetit Doshi, jo vetëm që nuk është rastësi, por është vazhdimësi. Është i vetmi deputet nga maxhoranca i cili prej disa muajve ka qenë konseguent në qëndrimet e tij, në kritikat e adresuara qeverisë për  problemet që lidhen me nepotizmin, emërimet, klientelizmin, korrupsionin, dhe luftën ndaj trafikut të drogës dhe lidhjet që ka ministri i Brendshëm Tahiri me narko-trafikantët. Këto kritika të tij, në mënyrë të mençur janë bërë institucionale, në Komisionin e Sigurisë dhe në seancat plenare të Kuvendit. Këto kritika janë një lloj akuze e ngritur në adresë të maxhorancës aktuale, kryeministrit, ministrit Tahiri dhe disa drejtorive përkatëse.

Ilir Kulla:- Mendoj se nuk duhet parë si një debat personal, e thashë. Të kritikosh disa drejtorë të qeverisë nuk d.m.th. të jesh kundër qeverisë, përkundrazi, të vesh në dukje problematika të tilla, si ineficienca e disa dikastereve, apo shfaqje korruptive, apo nepotizmi, mendoj se i bën mirë qeverisjes.

Shenasi Rama: – Mendoj se problemi tani është se kush do të jetë në krye të pushtetit lokal. Mirëpo sherri nuk është i tanishëm, por i hershëm, sepse deputeti Doshi e ka ngritur zërin shumë herë, gjatë këtyre 18 muajve. Me LSI që merr disa bashki kyçe, një bashki, si Shkodra, bëhet e rëndësishme, sepse është jetike për kontrollin e strukturave lokale dhe për lojën e influencave, e gjithkush do të ketë njeriun e vet dhe deputeti Doshi ka bërë aleanca, që nuk janë të këndshme për LSI-në. Prandaj, kush është në krye të bashkisë së Shkodrës ka rëndësi jetike, politike dhe ekonomike për deputetin, që tash dhjetë vjet është figura më e shquar e politikës shkodrane.

3. Kur Tom Doshi deklaron se do të ketë tërmet në këmbët e Ramës, nëse ai flet, mendoni se bën shantazh politik ndaj kryeministrit?

Kreshnik Spahiu: – Jo, ai bën një paralajmërim të fundit, që kryeministri Rama të reflektojë dhe të spastrojë qeverisjen e tij nga fijet e errëta me grupet e caktuara të trafikut, apo me afera korruptive shumë të rënda. Deputeti Doshi është i veçantë në natyrën e tij dhe akuzat që ai bën, sipas të gjitha informacioneve, është kujdesur që t’i dokumentojë.

Ilir Kulla: – Debati është politik dhe jo personal dhe zoti Doshi po i thotë hapur problematikat. Dridhja e këmbëve mund të jetë politike, ndonëse unë mendoj se rezultati i zgjedhjeve vendore do t’i verë pikat mbi “i”. Nëse rezultati zgjedhor nuk është pozitiv, atëherë  Doshi ka të drejtë dhe ndryshimet janë emergjente. Pastaj, deklaratat të drejtoreshës së Tatimeve se këto janë sulme të PD, janë qesharake dhe si të tilla nuk ja vlen të përmenden.

Shenasi Rama: – Pa dyshim, z. Doshi është malësor që vjen nga një familje fisnike me tradita të shquara politike, sepse vjen prej derës së bajraktarëve të Kelmendit. Malësorët gabojnë rrallë. Ai e di se çka flet, sepse di shumë se çfarë kënete është Tirana, jo vetëm për 21 janarin, jo vetëm për bizneset e fëlliqura, jo vetëm për tenderët, jo vetëm për pisllëkun, që po lyhet me ngjyrat rozë të Rrujlindjes, por edhe për pakënaqësitë tek miqtë e vjetër të tij, që nuk flasin, por e lënë këtë që të flasë për ata, e nuk janë pak, as në grupin e deputetëve të PS- e as jashtë atij grupi.

Ministri Tahiri deklaroi mbrëmë që askush nuk e merr dot peng kryeministrin. Cili është mesazhi “peng” i ministrit dhe ndaj kujt?

Kreshnik Spahiu:- Ka një problem. Të gjithë e dinë tashmë që toka i ka rrëshqitur nën këmbë kryeministrit, jo për shkak të Tom Doshit, por për shkak të aferave që ka kryer kryeministri në lidhjet shumë të errëta me grupe të ndryshme kriminale. Pra, pengu që e mban Edi Ramën, është vetë ajo çfarë ka kryer vetë Rama dhe pengu çfarë di Doshi për Raman. Në këtë kontekst them që Rama nuk guxon të flasë, nuk guxon të marrë masa për deputetin.

Ilir Kulla:- Deklarata e ministrit të Brendshëm duhet marrë në kontekstin që bëhet, atë politik. Mendoj që ministri i Brendshëm ka boll halle në punët e tij dhe gjëja e fundit që duhet të bëjë, është përfshirja e tij në një komunikim, i cili nuk i takon.

Shenasi Rama: Po kush e merr seriozisht këtë që tha ky. Kjo përbën lajm??? Le të dalë vetë kryeministri e të thotë se nuk është peng. Po nuk e thotë dot, sepse kryeministri është i marrë peng me kohë.

– A mund të ketë paqe të brendshme në PS dhe tolerancë për shqiptarët, tashmë, nëse deputeti nuk zbardh çfarë kishte ndërmend ato që adresoi ndaj Ramës?

Kreshnik Spahiu:- Natyrisht që mund të ketë paqe, por kjo do jetë e përkohshme. Nëse hesht një, disa të tjerë do të dalin në Kuvend dhe do flasin. Kjo është një tokë e minuar, që e ka minuar vetë kryeministri gjatë fushatës elektorale, gjatë lidhjeve dhe aferave të tij. Është e minuar për shkak të besueshmërisë që iu ka dhënë grupeve, të cilat sollën në pushtet, për shkak të vektorëve të interesave të PS-së, që janë si një minë me sahat, si një tritol, që as kryeministri e ministri nuk mund t’i frenojë. Pulti i komandimit të tyre është në dorën e të gjithë atyre, që kanë dijeni të këtyre aferave.

Ilir Kulla: -Mendoj se kryeministri nuk hesht, ai kërkon të flasë, nëpërmjet heshtjes është një mënyrë komunikimi dhe është normale, bisedat politike dhe debatet të tilla janë. Besoj se z. Rama e ka të qartë se nuk i intereson çarja e partisë, ndaj ai ka gjetur një mënyrë elegante për ta kaluar këtë moment politik.

Shenasi Rama:- Po, tani u bë pazari, paqja u vendos, tërmeti i radhës kaloi. Por tërmeti i vërtetë është dështimi i ndërtimit të shtetit, përmirësimi i gjendjes ekonomike, rritja e borxheve, mungesa e luftës ndaj korrupsionit, dështimi i ndërrimit të Kushtetutës dhe lufta e pakompromis ndaj korrupsionit e krimit. Këtë luftë, Edi Rama nuk e bën dot, sepse është pjesë e parisë së Tiranës, është vënë aty për të mbrojtur interesat e asaj parie, e jo të shqiptarëve.

Jakup B. GJOÇA