Pazar me të larguarit, presion të punësuarve ndodh në kryeqytetin e hallexhinjve

456
Sigal

Në Elbasan korrupsioni bëhet hapur, madje fare pranë drejtësisë

Në Elbasan ka nisur fare hapur, madje edhe në ambiente publike fare pranë institucioneve të drejtësisë (në kafene, zyra avokatësh e noterësh) pazari për vendet e punës, por duke u bërë presion edhe atyre që janë punësuar disa muaj më parë. Babëzia për të mbushur xhepat me para, nuk po kursen dhe nuk po pyet për asgjë. Atyre që i ka kapur “reforma” u bëhen pazare të majme për t’u rikthyer, kurse atyre që janë ende në punë, u bëhen presione nga më banalët. Persona të veçantë të drejtuesve, miq, shokë e kushërinj, kanë nisur fushatën e gjuetisë për të zbuluar kundërshtarët e fushatës së 21 qershorit, por duke mos harruar të bëjnë edhe pazaret me hallexhinjtë.

Pazaret për vendin e punës paguhen me borxhe bankare

Ka prej tyre që kanë marrë nga janari e këtej, kredi me përqindje të pa leverdisëshme tek fondacionet dhe bankat, për të arritur rikthimin në punë. Disa prej tyre edhe janë rikthyer, por ama kanë paguar e pakta 2500 euro, madje dikush edhe duke pasur mik ndonjë deputet të shumicës, por duket se kjo nuk ka zgjidhur asgjë. Shumica e drejtuesve  nuk pyesin askënd, por mbeten të lidhur me “shefin” në Tiranë, duke kanalizuar tenderat, financimet, investimet, blerjet, takimet dhe punësimet, vetëm duke marrë “bekimin” e tij. Në Elbasan ose siç njihet ndryshe edhe kryeqyteti i hallexhinjve, qytetarët janë çdo ditë gri, si hallet e tyre, nuk u qesh buza, nuk kanë më shpresa se një ditë do të bëhet më mirë. Duke mos përjashtuar asnjë nga profesionet, në Elbasan, çdo një nga hallexhinjtë duhet të paguajë diçka, pastaj ta realizojë ëndrrën e tij për tu punësuar.

Papunësia në statistika

Duke mësuar nga statistikat, shikon se në Elbasan ka mbi 400 infermiere dhe 76 mjekë që presin të punësohen, mbi 2700 mësues që presin një ditë  vendin e punës, mbi 9 mijë elektricistë, xhenerikë, mekanikë, teknikë të mesëm, që pranojnë edhe vendin e rojes, por që nuk e gjejnë, mbi 7 mijë gra dhe vajza që  janë të papuna, dhe që janë kthyer në shtëpiake, mbi 2100 persona që prej 3 muajsh janë në pritje të marrjes së pensionit të parë,pasi kanë mbushur moshën, dhe  nuk po e mësojnë arsyen e duhur përse nuk po marrin paratë që u takojnë. Dhe  kjo natyrisht është vetëm  maja e malit të madh me halle për qytetarët e Elbasanit.

Lulëzon profesioni i sekserit të vendit të punës

Dhe sikur të mos mjaftonin këto, në Elbasan lulëzon hapur edhe “profesioni” i sekserit, falsifikatorit, duke krijuar struktura njëlloj sikur të ishin shtetërore, madje këta personazhe do t’i shikosh se si kapardisen, kur mbrapa tyre vjen vargu me hallexhinj. Dikush kërkon librezë pune, librezë pensioni, vizë kanadeze, amerikane, vend pune për të arsim, sheëndetsi, ushtri, polici, bujqësi, telekom, postë, apo edhe tek kompanitë e mëdha private. Asnjëherë më keq se sot Elbasani dhe qytetarët e tij nuk e kanë gjetur veten e tyre dhe të familjes, përballë mungesë së shtetit, pasigurisë për vendin e punës, rendin dhe qetësinë, përballë korrupsionit të veshur me petk zyrtari, dhe që nuk pyet as përgjigjet e shtetit. Ata që janë larguar nga puna pas “reformave”, fillimisht u nisën dhe u turrën drejt  gjykatave, por duket se zgjidhjen e problemit shumica e tyre e kanë gjetur  tek “profesionistët”,  që kapardisen dhe deklarojnë se “jemi të mbrojtur”, por nga kush?

Kush i mbron gjobëvënësit e vendit të punës?

Ligjërisht dhe institucionalisht ata që u shërbejnë me forma të tilla gjobë vënie ndonjë drejtuesi, padyshim  vendin e kanë  pas hekurave, por që në fakt po ndodh e kundërta. Të pa sigurtë po e ndjejnë veten e tyre edhe ata që në Elbasan e kanë një vend pune, pasi edhe atyre u bëhet presion politik, psikologjik, familjar, duke u kujtuar se “mund edhe të ishe larguar”. Gjithçka duket si një luftë çakenjsh të pangopur me para. E ndërsa kjo paturpësi vazhdon qetësisht, disa prej drejtuesve, kanë sot  në Elbasan edhe  pronat e tyre, të cilat nuk dihet se si dolën nga sirtaret e zyrave, kanë dyqane dhe markete, duke deklaruar si posedues “nipin” apo “vjehrrin” e motrës dhe të vëllait. Ata, që votuan PS dhe LSI të vinte në pushtet në Elbasan, realisht ndjehen të përdhosur, të mashtruar, të vetmuar dhe të pashpresë, pasi sot nuk i qasin as tek porta e institucionit.

Qytetari i papunë prononcohet për gazeta “Telegraf”

Një qytetar nga Elbasani me emrin  Tomor  i tha gazetës “Telegraf”: “Kam mbi 10 vjet i papunë, jam votues i vjetër i PS, dhe dikush që më ka premtuar më kërkoi para, madje më tha se më gjen tek një dyqan tek gjykata, atje hajde”. Fillimisht –tregoi qytetari- u tremba pasi sapo më përmendi emrin e gjykatës, ndjeva diçka të keqe, por personi kishte kohë që punonte hapur fare, punësonte duke u marrë lekët personave si unë që besuam se kjo qeveri do të ishte shpresë madhe për ne, por jemi të dëshpëruar sa nuk ka, na mashtruan  dhe sot mbushin xhepat, madje duke na lënë edhe pa bukën e gojës ”.

BEN  DELIMETA