Rama: Pse nuk i anuluam koncesionet e Berishës

394
Kryeministri Edi Rama shpjegoi dje në një intervistë për “Report TV” arsyen, pse qeveria e tij nuk i kishte anuluar kontratat koncesionare, të firmosura nga Berisha. Shefi i qeverisë foli edhe për paketën e investimeve “1 Miliard” që qeveria parashikon të realizojë. 

Pse refuzuat të dëgjonit kërkesën e FMN për të ulur borxhin publik dhe refuzuat kërkesën e saj për partneritetin publik-privat?
“Marrëveshja me FMN ka ecur më së miri. Kjo ka qenë ndër kushtet themelore. Partneriteti publik-privat ka pasur një lloj shqetësimi për të ruajtur ekuilibrat. Ky partneritet është një instrument gjerësisht i përdorur, që e mbështet vetë Banka Botërore, nuk mund të dalë FMN të thotë ‘hiqni dorë’.”

Është arritur kuota 1 miliard euro me kontrata te partneriteti?
“Ka një problem serioz në mënyrën si trajtohet. Fatkeqësisht pjesa e politikës shqiptare partneritetin publik-privat duhet ta tundte si një flamur. Duket sikur ne nxjerrim para nga arka shtetit dhe ia japim privat, në fakt quhet kështu sepse me para publike financohet interesi publik.”

Privati financon dhe lekët i merr shteti …
“Thirret privati në ndihmë për të shfrytëzuar kapacitetet e tij që shteti nuk i ka. Thirret për një sistem dialize, që të jetë i shtrirë në të gjithë vendin. Shteti merr përsipër ta shlyejë në një periudhë kohe, duke fituar edhe vetë. Shteti i thotë privatit ‘investo ti dhe në vite unë do t’i shlyej dhe investimi do më mbetet mua’. Programi ‘1 miliard’ është më i drejtpërdrejtë, është një formë e partneritetit publik-privat.”

Siç ndodhi me Rrugën e Arbrit, kinezët e kishin marrë me më pak, tani ka vajtur dyfishi?
“Është e kundërta, sot çmimi është shumë i ulët, kinezët e kishin shumë të lartë.”

Me të njëjtat parametra?
“Me kinezët do të bëhej gjysma e kilometrave. Projekti i ri është krejt botë tjetër dhe janë shifrat.”

Kush janë investitorët, s’po shohim një të huaj strategjik që vjen në Shqipëri?
“Nuk ka nevojë për investitorë të huaj për të ndërtuar Rrugën e Arbrit. Programi është shumë i qartë, kompania është shqiptare.”

Është dhënë Spitali i Fierit?
“Jo.”

Debati në Parlament me Bashën, kur tha se jeni i kapur nga oligarkët. Ju përmendët disa që njihen …
“Jo nuk përmenda disa që njihen, por që janë përfshirë gjerësisht…”

Emra që kanë përfituar nga partneritet publik-privat. Pashë që Basha uli kokën, por si qytetar kam një pyetje ‘Pse nuk i keni anuluar koncesionet?’
“Së pari, kemi nisur procedura për të anuluar, kemi pajtuar studio të mëdha avokatie, të cilat na kanë këshilluar të mos i hyjmë rrugës së arbitrazhit, sepse jemi të humbur. Kjo pasi disa koncesione, që kurrë nuk duhen bërë, por jo të gjithë janë njëlloj. Ka një koncesion ku ti i jep privatit një të drejtë dhe i kërkon një shërbim dhe detyron qytetarin të paguajë. Ky lloj koncesioni është skandal.”

Është dyfish skandal, nëse paratë paguhen nga buxheti i shtetit …
“Kush paguhet nga buxheti?”

Skanimi …
“Paguhet nga qytetarët, importuesit dhe eksportuesit.”

Pse nuk i anuloheni, ose pse keni qenë selektiv?
“Sepse duke qenë si koncesioni, një koncesion po kaq i poshtër, si ai i kolaudimeve, ku nuk ka ndryshuar asgjë, por iu është rrasur qytetarëve, që fut në xhep lekët te privati, s’ka gjykatë në botë ku një qeveri shkon dhe thotë që dua ta rrëzoj këto.”

Pse keni qenë selektiv, atë të Kalivaçit e anuluat …
“Kalivaçi është një koncesion shumë i vjetër, i parealizuar. Ne kemi rinegociuar skanimin, kemi ulur koston për qytetarët, kemi financuar nga buxheti i shtetit. Janë ca komplikacione që ç’të të them. Ndërkohë, që asnjë nga koncesionet tona, metoda jonë është që buxheti i shtetit financon dhe qytetari nuk paguan asnjë lekë, laboratorët, dializa, instrumentet shëndetësorë, janë të gjitha falas, që nuk ishin deri dje.”
Sigal