Rama në Korçë/ Takime me strukturat partiake dhe përballja me studentët

593
Sigal

Ekselenca e Universitetit “Fan Noli”: Protestuesit duhej të ishin në takim

Kryeministri Rama përballet me pyetjet e studentëve

Nga Vepror Hasani

Gjatë vizitës së tij në qytetin e Korçës, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, pati një takim edhe me studentët ekselencë të Universitetit “Fan Noli” në Korçë. Kjo ishte dhe arsyeja pse Ramë u prit me pakënaqësi nga studentët protestues. E pakënaqur mbeti edhe ekselenca e “Fan Nolit”, pasi askush prej tyre nuk e dëshironte mënjanimin e pjesës tjetër të studenteve, gjë që u duk edhe te pyetjet që iu drejtuan Kryeministrit. Kryeministri Ramë duke parandier se pakënaqësia do të shfaqej edhe ne radhët e studentëve ekselencë, para se t’u jepte fjalën, u tha studentëve: “Të gjitha shqetësimet edhe sharjet ive janë të mirëseardhura, sepse tashmë jemi mësuar, vetëm se kush shan duhet të matet, sepse fjalët pastaj i merr mbrapsht, kuptohet na i ka mësuar këtë jeta onlajn”.

Studentja Esmeralda: “Jam Kryetarja e Këshillit studentor. Këtu po shikoj një energji shumë negative, të gjithë me fytyra të trishtuara, ka mundësi të qeshni pak, një duartrokitje për vetën tuaj, të jeni më energjikë? E dyta, u përmendën studentët që ishin jashtë, as unë dhe studentët e tjerë, shumica, nuk jemi dakord që në këtë mbledhje janë të pranishëm vetëm studentët e ekselencës. Universiteti është i të gjithëve, jo vetëm i studentëve të ekselencës. Atje te protesta, para disa javësh, ky “Pakt i Universitetit” që sot po ngrihet këtu është si rezultat i protestës së atyre studentëve që janë aty jashtë. Kështu që, më përpara këtu duhet të ishin të pranishëm të gjithë anëtarët e Këshillit Studentor, për të përfaqësuar të gjithë masën e studentëve, pastaj duhet të ishin studentët e ekselencës e kështu me radhë.

Kryeministri Rama: Tani një gjë të vogël, se kë takojmë ne, e zgjedhim ne, (është fjala për studentët e ekselencës apo për pjesën tjetër të studentëve), por nëse ju, si Këshill Studentor, apo ju si studentë doni të më takoni mua, këtë e zgjidhni ju.

Studentja ndërhyn: z. Kryeministër…

Kryeministri Rama: Mos më ndërprit… mos më ndërprit… mungesa e edukatës nuk është luftë kundër…

Studentja tenton të thotë diçka për edukatën.

Kryeministri Rama: Tani do të më dëgjosh edhe ti, që do të thotë, nëse pret Këshillin studentor apo një grup studentësh, apo të gjithë bashkë duan të më takojnë mua, unë jam gjithmonë i gatshëm. E kam kërkuar dhe u jam lutur sa më doli shpirti, por ishte një zgjedhje fatkeqe që të ndërtohej një proces pa komunikim. Edhe ajo zgjedhje ishte shprehje e rënies së nivelit të edukatës demokratike në tërësi. Kjo është e parë.

E dyta, patjetër që janë pozitive ato që kini bërë ju këtu, por unë e dëgjova me vëmendje rektorin, ti do të bëhesh politikane me sa kuptova unë, nuk do të bëhesh agronome. Ne nuk kemi bërë pak, besoj, por nuk diskutohet që është e pamjaftueshme në raport me çfarë duam…

Një studente: E para herë që dëgjoj që janë 38 vende të lira pune, sepse nuk më është dukur në asnjë vend, ku unë kam kërkuar punë të ketë kaq transparencë për vendet e lira të punës. Dhe më ka rezultuar që nuk ka pasur asnjë vend të lirë pune për mua. Nuk e di nëse ka pasur një kriter punësimi për të gjithë ata që kanë mbarur një master shkencor, edhe për ata që janë punësuar në arsim apo në vende të tjera në institucione, nuk e di nëse për ta ka pasur transparencë, sepse për shokët e mi të klasës, që sot nuk gjenden këtu në Korçë për fat të keq, ishin të ekselencës normalisht, nuk ka pasur transparencë, nuk e di si mund të punësohem…

Kryeministri Rama: Nuk janë 38 vende të lira punë, mos na i ul, janë 39 dhe nuk ka nevojë fare të lodhemi e të diskutojmë. Është një adresë: “Punë të mbarë. Al”.

Studenti Hansi Kapllani,. Për mendimin tim, studentët që janë jashtë janë qytetarë të mirë, pasi dinë të…

Kryeministri Rama: Fillove tani me këto… bëni bisedën tuaj, e trajtuam atë, pos i kthehemi prapë asaj, qytetarët e mirë nuk bëjnë vuuu vuu… (Është fjala për studentët protestues)

Studenti Kapllani: Ndoshta ishte një ekspresion i momentit… edhe në Parlament bëhet vuuu vuu…”

Kryeministri Rama: Po nuk janë qytetarë të mirë në Parlament, kush e tha këtë, ku e dëgjove këtë ti…”

Studenti Kapllani: “Nëse s’prisni që kjo “vuuu vuu” të mos jetë në Parlament, si mund të prisni që kjo vuuu vuu të mos jetë tek studentët… sepse atë model marrim edhe ne zoti Kryeministër…”

Kryeministri Rama: Vazhdojmë…? Struktura e përfaqësimit nuk ndryshon nuk jemi në gatishmëri ta ndryshojmë, sepse nuk e shikojmë aty problemin.

Studentja Denisa Pelinxhi: Vij nga Fakulteti i Infermierisë, nëse do të vinit në Fakultetin tonë, do të shihini që ai është shumë i veçuar, mësimin e zhvillojmë në kushte ekstreme, të papranueshme për këdo, sepse qoftë seminaret qoftë leksionet që ne zhvillojmë, ulemi në një bankë 4-5 studentë, dhe kjo nuk është normale. Nuk di, a ka një zgjidhje për Fakultetin tonë?

Ramë: Kësaj pyetjeje iu dha përgjigjja nga rektori i Universitetit, Ali Jashari, i cili garantoi studentët se ekziston një projektet për ngritjen e një godine te re.