Rama: Jetë të gjatë Berishës, të shohë si e ka katandisur Shqipërinë!

55

Kryetari i PS-së zbardh programin politik për arsimin dhe shëndetësinë, duke i dhënë përparësi arsimit dhe shëndetësisë publike

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka ironizuar sërish deklaratat e Kryeministrit Berisha dhe me rastin e 68-vjetorit, i uroi jetë të gjatë në mënyrë që të shohë si e ka katandisur vendin dhe sesi do qeveriset në mënyrë europiane… “Sot Saliu tha se, me rastin e ditëlindjes kishte patur komunikim drejtpërdrejt me Zotin, por nuk e sqaroi kush kishte marrë kë, Saliu atë apo Zoti Salin, por tha se e kishte mbyllur punën e mandatit tjetër. Kur një i parë qeverie shpall Zotin në koalicionin qeveritar për 2013-n, është tallje me shqiptarët deri në përbuzje, apo thjesht i dalë mendsh? Unë bëra një ‘Tvvitt’ dhe pyeta është e para apo e dyta, por ideja ishte se ishin të dyja bashkë, por një përgjigje ishte: nuk ka faj vetëm ai lart mund ta ndihmojë, por atë nuk e blen dot, nuk e korrupton dot. Unë dëshiroj t’ja uroj ditëlindjen, sepse besoj që duhet ta ketë jetën e gjatë për të parë sa dëme ka bërë këto vite, por edhe sesa e mundur është qeveria europiane që ia ka mohuar prej vitesh”,- deklaroi Rama gjatë fjalës së tij në Forumin e Gruas Socialiste. Kryesocialisti Rama vlerësoi se, në një vend, ku burrat luajnë me fatet e vendit, duhet një përfshirje më e madhe të grave në qeverisje për të bërë të mundur “Rilindjen Shqiptare”. “Nuk është e lehtë të jesh grua apo vajzë në Shqipëri dhe të merresh me politikën. Burrat,fatkeqësisht me përjashtime kanë mbetur aty ku i pati lënë ai që pat thënë…. burrat nën hije lozin kuvendojnë pika që s’iu bie se nga gratë rrojnë… Duke qëndruar nën hije dhe duke lozur me fatet e këtij vendit, burrat kanë marrë përgjegjësinë e lënies së Shqipërisë këtu ku jemi. Ndaj unë jam i idesë të përfshijmë sa më shumë gra dhe vajza dhe ti nxjerrin burrat nga hija ku kuvendojnë dhe të bëjnë të mundur Rilindjen Shqiptare”,- theksoi Rama. “Ju e keni parë që Saliu nuk i tregon më “duart e pastra”, nuk e di çka bërë me Zotin, sepse i kanë të zhytura në zullumin e korrupsionit deri në fund. Ajo që po bëjnë është se me këto duar po mundohen të na bëjnë pis të gjithëve, për çfarë do merrni mundimin të dilni dhe të na kundërshtoni, sepse vetëm do bëheni pis, do ju sulmojmë, do ju godasim dhe në fund të fundit ku është shpresa? Dëshpërimi social dhe varfëria ku mbërrin në këtë stad nuk janë aletë të opozitës por të qeverisë, pasi varfëria blihet lehtë dhe dëshpërimi mbahet lehtë. Detyra jonë është që njerëzve të papunë dhe të dëshpëruar, tu tregojmë se ne nuk jemi njësoj, ka shumë gjëra që në ndajnë”, -deklaroi Rama. Rama theksoi se në me të ardhur në qeverisje, socialistët do të kthejnë ligjin për mbetjet, do të shkatërrojnë monopolet si dhe do heqin taksën për bizneset, ndërkohë që do vendosë një sistem akreditimi për të gjitha universitetet në vend. Akreditimi i Universiteteve, varfëria dhe korrupsioni kanë qenë çështje të tjera për të cilat kreu i PS-së ndau shqetësimet me gratë socialiste, duke vënë theksin në faktin se alternativa e PS dallon nga ajo e forcës tjetër,nuk janë njësoj. Në këtë kontekst ai premtoi se me ardhjen në pushtet të tij ligji për importin e plehrave do të anulohet menjëherë.

PS mbledh të premten Asamblenë pas një pushimi të gjatë

Socialistët do të mbledhin ditën e premte forumin më të lartë, pas Kongresit të Partisë, për të diskutuar mbi qëndrimet që do të mbajë politikisht si parti. Në fokus të Asamblesë Kombëtare, e cila thirret pas një periudhe të gjatë pushimi do të jenë aksioni politik dhe hapat e mëtejshme që do duhet të ndërmarrë PS. Forumi pritet të hapet me një fjalë nga kryetari i partisë, Edi Rama, ndërkohë që, në qendër të diskutimeve priten të jenë zhvillimet më të fundit në vend.