Peleshi hedh 100 MLN lekë për litar alpinistësh, tenderi denoncohet

36
Sigal

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, pasi i fiku zjarret me kova e lopata, e ka zgjidhur qesen për ushtarët. Ai ka vendosur të blejë  100 milionë lekë litarë alpinistësh. Po flasim për tenderin me objekt “Blerje e materialeve bazë për mbështetjen e stërvitjes për vitin 2023”, me fond limit 10,478,007 lekë pa TVSH, zhvilluar në datën 4 shtator 2023.

Në dokumentet e tenderit tregohet se bëhet fjalë për litar alpinizmi individual, litar dinamik statik, helmetë dhe çekiçë që përdorin alpinistët. Në total do të blihen 10 objekte, të cilat do të kushtojnë 100 milionë lekë. Në fakt as në kontratë nuk përcaktohet se sa mund të kushtojë secili prej tyre dhe sa copë i duhen Peleshit që paska planifikuar këtë shumë të madhe. Kaq lekë nuk kushton as riparimi i helikopterit, por kur vjen fjala për litarë, nuk kursehet Peleshi.

Gjithsesi, në 4 shtator gara u mbyll dhe tenderi iu dhurua firmës “Bolt” SHPK, në pronësi të Bardhyl Beqirit.

Por, aferat e drejtuesve nuk ecin gjithmonë sipas planit të tyre, sepse për të kënaqur një biznesmen, prishen pazaret me një tjetër. Dhe ndodh shpesh herë që ata ta denoncojnë abuzimin edhe pse më parë kanë përfituar vetë nga ministri.Nuk mund të përcaktojmë, nëse është ky rasti, por tenderi abuziv i Peleshit është denoncuar, dhe ky është i vetmi hap pozitiv në këtë çështje. Denoncimi është dërguar në KPP më datë  29.09.2023 nga  “Qirici`Marine” SHPK në pronësi të  Artjan Qiricit, ish-drejtori i Përgjithshëm Portit të Durrësit.

Pra, bëhet fjalë për luftë mes pronarëve që kanë miqtë më të fortë në qeveri, për të përfituar fondin e radhës.

Në këtë denoncim, Qirici pretendon se “Bolt” SHPK nuk përmbush kriteret e vendosura në tender. Më konkretisht firma fituese nuk ka paraqitur mostra për secilin artikull, që të konfirmojë kapacitetet teknike.

Gjithashtu operatori ekonomik ankimues pretendon se nga ana e kompanisë ”Bolt” SHPK, dokumentacioni i dorëzuar në përmbushje të kritereve të kualifikimit mund të mos jetë i gjithi i përkthyer dhe noterizuar në gjuhën shqipe, në kundërshtim kjo me sa është kërkuar referuar Pikës 2, Paragrafi B të Seksionit 1 ”Udhëzime për Operatorët ekonomikë” të dokumenteve të tenderit.

Nëse vërtet janë bërë këto neglizhenca atëherë kemi të bëjmë me shkelje ligji të prokurimeve. Gjithsesi mbetet për t’u parë vendimi që do të marrë KPP.