Qindra hektarë nën pushtetin e ujit. Kryebashkiakja përplaset me shefin e Emergjencave Civile

30
Mosshpallja e emergjencës në zonat e përmbytura, u mohon ndihmën banorëve
Përmbytja në Obot, Oblikë e Murriqan Bashkia kërkon shpalljen e gjendjes së emergjencës
Në qarkun Shkodër qindra hektarë tokë bujqësore vazhdojnë të mbeten nën ujë në fshatin Obot, Oblikë dhe Murriqan ndërsa prurjet e liqenit dhe lumenjve Drin e Bunë po arrijnë në kuotën kritike të 9 metrave. Ndërkohë që banorët rrezikohen të përmbyten ata dhe shtëpitë e tyre, zyrtarët po grinden publikisht, për t’i shkarkuar tjetrit përgjegjësitë dhe fajet. 

Kryebashkiakja Ademi përplaset me Premçin e Emergjencës
Për situatën e rënduar të ditëve të fundit, kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi ka kërkuar shpalljen e gjendjes së emergjencës, duke hasur në rezistencën e prefektit të qarkut por edhe kreun e emergjencave civile, sipas të cilave kjo situatë kërkon vetëm ndërhyrjen e bashkisë. “Është mashtrimi më i madh që i bëhet këtij populli. Nuk mund ta besoj një ministër që i thotë banorëve, shiu ka rënë nga qielli. Përmbytjet e tokave bujqësore kanë ardhur nga shkarkimet e lumit Drin. Duhet të shtonim situatën e emergjencës civile”, u shpreh kryebashkiakja Voltana Ademi. Menjëherë ka përgënjeshtruar Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile, Shemsi Premçi. “Ti nuk na ke thënë asnjë raport çfarë të është raportuar nga sektori i emergjencës. Situata në Shkodër nuk është emergjente”, tha Shemsi Premçi. Për kryebashkiaken Ademi përmbytjet nuk kanë ardhur për shkak të motit por nga keq-menaxhimi në kaskadën e Lumit Drin dhe shkarkimet e pakontrolluara prej një kohe të gjatë.

Basha kërkon dëmshpërblime për banorët
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, i cili mbështeti kërkesën e kryebashkiakes për shpalljen e gjendjes së emergjencës, si dhe për të kompensuar fermerët. “Qarku i Shkodrës, këshilltarët bashkiakë kanë kërkuar shpalljen e emergjencës civile. Me cinizëm dhe përgjegjësi kriminale për këtë situatë, qeveria dhe ministri Gjiknuri e kryeministrit Rama e kanë refuzuar deri më sot shpalljen e emergjencës civile. Vetë prania e FA dhe detyrat që ata kanë për të evakuuar banorët, për tu çuar ilaçe, ushqime dhe ujë tregon se kjo zonë është me emergjencë civile. Zoti dhe natyra përgënjeshtron ato që ka thënë Damian Gjiknuri që këto përmbytje janë rezultat të reshjeve. Këto përmbytje nuk janë rezultat i reshjeve se është e palejueshme moralisht, e pafalshme dhe kriminale, politikisht dhe ligjërisht që t’i mohojë banorëve ndihmën e menjëhershme që ju mundëson shpallja e emergjencës civile dhe nga ana tjetër tu mohojë dëmshpërblimin për të cilin shteti u detyrohet”, thotë Basha.
Lumi kërcënon shtëpitë në Bulqizë, rrëmbeu edhe tokat bujqësore
Në Shupenzë të Bulqizës shtëpitë po rrezikohen nga lumi Zall. Banorët thonë se mungesa e argjinaturës ka bërë që ujërat të gërryejnë tokën duke përpirë dhjetëra hektarë derisa mbërritën te banesat. “Ne rrezikohemi të gjithë, jo vetëm një familje. Ka 4 vite që i e kemi shtruar problemin në komunë, por nuk ka asnjë reagim. Po na rrezikohen shtëpitë, por edhe rruga”, shprehen banorët. Të lodhur nga një situatë që zgjat prej vitesh, banorët kanë kohë që nuk kërkojnë më toka të reja, por të paktën të merren masa që të mos vijë ajo ditë kur të mos kenë më një kulm mbi krye.
“Me cinizëm dhe përgjegjësi kriminale për këtë situatë, qeveria e kryeministrit Rama e ka refuzuar deri më sot shpalljen e emergjencës civile. Vetë prania e FA dhe detyrat që ata kanë për të evakuuar banorët, për t’u çuar ilaçe, ushqime dhe ujë tregon se kjo zonë është me emergjencë civile”.