Sigal

Jakup B. GJOÇA

Prof. Dr. Irakli Koçollari, ka punuar drejtues i SHIK (sot SHISH) në pjesën e dytë të intervistës për gazetën “Telegraf” hedh dritë për rolin dhe marrëdhëniet e këtij institucioni me politikën.  Prof. Koçollari, një njohës i Historisë dhe autor i një libri për Ali Pashë Tepelenës, shpjegon qëllimet e sulmeve që i bëjnë Figurës së Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Prof. Koçollari thotë se pas kësaj lufte, janë makina propagandistike dhe institucionet osmane. Prof. Koçollari pohon se ne nuk kemi bërë sa duhet të vlerësojmë rolin historik të Ali Pashë Tepelenës.

 -Zoti Koçollari  Kryetari i Opozitës, Basha nga parlamenti akuzoi Taulant Ballës, duke i thënë, se shërbimet e huaja e kanë përgjuar për bashkëpunim me bandat kriminale. Pyetja ime është: Ju, mendoni se SHISH, e ka bërë punën e saj, për të zbuluar veprimtarinë kriminale? Kam parasysh kokainën në Portin e Durrësit, Laboratorin e Xibrakës, trafikimin ndërkombëtar të Drogës, etj?

– Në kushte normale të funksionimit të një shteti demokratik, marrëdhëniet dhe kontaktet bilaterale dhe ato multilaterale mes vendeve nuk mbahen nga partitë politike, apo me individë të caktuar brenda tyre. Marrëdhëniet e bashkëpunimit mes vendeve të caktuara ngrihen dhe ndërtohen mes institucioneve reciproke, dhe strukturave të profilizuara ligjore, sipas fushave dhe interesit. Pra, një Shërbim Sekret komunikon vetëm me partnerin e tij, Shërbimin tjetër Sekret, por kurrë me individë, apo parti. Sa për pyetjen do të doja të përgjigjesha se askush jashtë këtyre strukturave dhe njerëzve që i ngarkon ligji nuk mund dhe nuk duhet të marrë përsipër të flasë për veprimtarinë e Shërbimit Sekret.

– Prof. Koçollari kujt i shërben debati që është hapur  nga disa në Shqipëri për Figurën e Skënderbeut?

– Figura e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut, ka qënë në shekuj për shqiptarët simbol i jetesës dhe mbijetesës, mishërim i qëndresës në kohët më të vështira të kataklizmave historike me të cilat është përballuar populli ynë. Ai ishte dhe mbetet evokim i besimit dhe shpresës gati, gjer në përmasa apoteozash mitike. Për fatin e ndritur, apo edhe të trishtë të tij, në rrugën e gjatë dhe të vështirë të historisë, Skënderbeu veçse u përball së gjalli në beteja të përgjakshme në fronte luftërash, figura e tij u ndesh në beteja dhe arena debatesh, akuzash edhe mbas vdekjes.  Ky është fati që shoqëron heronjtë që bëjnë epokë. Armiqtë e tij të betuar, Perandoria Osmane, një superfuqi e frikshme e kohës, me dimensionet e saj ushtarake, politike, ekonomike, por edhe propogandistike, së gjalli dhe veçmas mbas vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, nuk la gjë pa thënë kundër tij. Po të shohësh arkivat e shkruara nga kronistët osmanë të kohës sikundër Oruçi, Tursuni, Ashik Pashazadeja, Ibn Kemali … etj. janë të mbushura me akuza dhe vrer; – “barbar dhe gjakpirës, i pafe dhe i pabesë, satrap dhe rebel …. …” Në dekadat dhe shekujt që pasuan mbas vdekjes së heroit, të përmendje emrin e Skënderbeut ishte herezi e rrezikshme. Makina propagandistike dhe institucionet osmane ndiqnin me vëmendje dhe reagim çdo simbol nostalgjik për Skënderbeun, çdo vlerësim apo adhurim, duke u përpjekur të deformonin imazhet, por edhe të vërtetat historike të Kastriotit.  Çuditërisht raste të ngjashme kanë filluar të shfaqen edhe në ditët tona.

-Para 16 vitesh, në një intervistë me Serafin Fidanidhin (asokohe drejtor i gazetës më të madhe greke Eleftherotipia) Fidanidhi më pohoi: “ Para 2 vitesh, bënin një konferencë për Ali Pashë Tepelenën në Janinë dhe aty unë thashë që “Ali Pasha Tepelena është shqiptar”, por më zunë me gurë, sepse ata nuk donin ta projonë këtë,  Ali Pashanë e quajnë  grek”. Ne, kemi bërë sa duhet, që të njihet cili është Ali Pashë Tepelena?

Para disa kohësh në një Konferencë, ndërsa kisha mbajtur një kumtesë me karakter historik për Ali Pashën, m’u afrua një pjesëmarrës turk dhe më tha: “Si është e mundur që për një pasha renegat, si Ali Pasha të shpallur fermanli ju të flisni me këto vlerësime pozitive!??”  Ju përgjigja: “Nuk ju kuptoj; Ju jeni një nëpunës i Perandorisë Osmane, apo një qytetar dhe studiues i Turqisë Moderne? Historiografia bashkëkohore, por edhe ajo moderne turke nderon dhe vlerëson qëndresën dhe rezistencën e popujve kundër invazionit osman, ndërsa ju e quani qëndresën e popullit tonë herezi dhe heronjtë e tyre heretikë?!!!” Gati, gati të njëjtën pyetje do të dëshiroja t’u bëja edhe atyre që përpiqen të hedhin baltë mbi heroin tonë, sepse kurrë nuk ka ndodhur dhe nuk do të ndodhë që agresori të shpallet hero, ndërsa popujt viktima dhe heronjtë e tyre, kriminelë!  Nostalgjikët e Perandorive të perënduara, apo shërbëtorët e endrrave perandorake nuk mund të fshihen pas hijeve të dordolecit! Rrethet realiste dhe ato shkencore greke e njohin mirë shqiptarin Ali Pasha, madje edhe origjinën e të parëve të tij shqiptarë. Pikërisht, ky boshllëk, apo kjo errësirë informative u ka dhënë terren rretheve shoviniste fqinje të manipulojnë kontigjente njerëzore mediokre, apo dashakeqe për të abuzuar me figurën e këtij statisti dhe misionari të madh shqiptar. Është ky shkaku që Fidanidhi dhe shumë “fidanidhë” të tjerë janë zënë me gurë, kërcënua,r apo censuruar, kur kanë dashur të thonë të vërtetat e mëdha për këtë figurë të rëndësishme, jo vetëm për historinë e popullit shqiptar dhe atij grek, por edhe më gjerë se kaq për historinë e popujve të Ballkanit. Ka qenë dhe do të mbetet një prirje e përhershme njerëzore, që figura të mëdha, që kanë bërë epokë në histori, shumë popuj kanë dashur të mund t’i bëjnë “pak me origjinë nga vendet e tyre!” Sigurisht, ne shqiptarët nuk kemi bërë sa duhet për këtë misionar të rëndësishëm të përpjekjeve të para për krijimin e një shteti shqiptar.  Më kujtohet para 25 viteve kur botoja librin e parë dhe kërkime historike për tepelenasin rebel, jo pak miq, të afërt dhe dashamirës më thoshin: “Po përse merresh me një pasha andollak!? … po çvlerë ka të kërkosh për një hajdut dhe vrasës???….” E vetmja gjë që mund të bësh në këto raste është të punosh pa fund, të kërkosh, të rrëmihësh, të zbulosh dhe të bësh prezent dokumente autentike të kohës si prova, të shkruara nga dëshmitarë okularë të ngjarjeve, bashkëkohës, dashamirë, apo dashakeqë,  kronistë, aleatë apo kundërshtarë… etj. Tanimë edhe për Ali Pashën gjërat kanë ndryshuar dhe po ndryshojnë ritmikisht. Prova dhe dokumente mjaft interesante po dalin në dritë dhe historia plotësohet dhe saktësohet nga dita në ditë, për fatin tonë, me të dhëna dhe dokumente që na bëjnë krenarë për historinë e të shkuarës tonë.

– Para disa javësh, ishministri i Jashtëm Grek, Theodhoros Pangalos, pohoi publikisht, se nëna e Aleksandrit të Madh ishte shqiptare. Opinioni grek, historianë, publicistë, politikanë e akuzuan Pangalon për skizofreni. Ju çdo të shtonit?

– Ajo që ndodh në Greqinë e sotme për çështje të caktuara historike është befasuese për ne shqiptarët. Disa realitete të historisë së lashtë, të heronjve, apo personaliteteve të ndryshme të botës antike, apo edhe mesjetës nuk janë ofruar tek lexuesi grek realisht sikundër e thonë burimet, autorët antikë, apo burimet serioze arkivore, dokumentare. Dhe ndodh që, kur ato thuhen sikundër gjenden në dokumentet e shkruara të kohës, apo siç i kanë shkruar autorët antikë grekë apo romakë, njerëzit e dezinformuar, apo pa kulturën e mjaftueshme reagojnë me egërsi, sikundër kanë reaguar kundër Pangallosit. Ata reagojnë në atë mënyrë, sepse kujtojnë se po u vjedhim historinë dhe nuk e dinë se ata po dëgjojnë një të vërtetë të madhe, që nuk e kishin dëgjuar gjer atëherë. Sa për nënën e Aleksandrit të Madh është një e vërtetë që nuk ka më nevojë dhe as vend të debatohet, pasi historiografia serioze shkencore e di se nëna e Aleksandrit, nuk ishte greke, por një epirote nga fisi i Mollosëve. Madje, edhe nëna e Filipit të II, babait të Aleksandrit të Madh, pra gjyshja e Aleksandrit ishte ilire. Për më tepër vetë maqedonasit nuk ishin fis helen. Vetë autorët antikë grekë, sikundër “babai i historisë së lashtë” Herodoti dhe Tuqididi pohojnë qartazi këtë gjë.  Megjithatë, këto të vërteta nuk e zbehin aspak historinë e madhe të Greqisë antike, përkundrazi rrëfejnë se çfarë fuqie kishte kultura helenike dhe gjer ku u shtri dhe përhap ajo.

– Faleminderit!