Politika  qeveritare  e  burgosjes i detyron qytetarët të vetëfjijohen, për të shpëtuar nga borxhet

39

52-vjeçari Qamil Zela, nga Lushnja, është vetëvarur me një shall në burg, për  30.000 lekë borxh OSHEE-së

 

Politika  qeveritare  e  burgosjes i detyron qytetarët të vetëfjijohen, për të shpëtuar nga borxhet

 

Qamil Zela, 52 vjeç nga Lushnja, u  vetëvarur dje me një shall në burg, për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike. Ai u arrestua nga policia pasi ishte pronar i një banese dykatëshe, të cilën e furnizonte me energji nga një matës i vetëm dhe rezultonte debitor. Kjo është pasojë e politikës të ashpërsimit të Kodit Penal që bëri qeveria, për gjithë ata që janë borxhlinj te OSHEE. Mirëpo, shteti me arbitraritetin, arrogancën dhe brutalitetin policor, nuk bën dallim sa është borxhi që qytetari i ka OSHEE, qoftë edhe për qindarka borxh, qytetarit i ndërpritet energjia elektrike, qoftë edhe kur familja është e varfër në ekstrem, shteti nuk zbaton për këta politika të diferencuara sociale, por i trajton edhe të varfërit me akuzë penale nëse nuk paguajnë dritat.

Familjarët zbardhin të vërtetën

Familjarët thonë se ai u arrestua pak ditë më parë, për shkak të një debie prej 35 mijë lekësh të vjetra që kishte ndaj OSHEE-së. Ata thonë se familjari i tyre kishte rënë prej ditësh në depresion porse asnjë masë nuk u mor nga shteti. “U akuzua për vjedhje abuzive të energjisë elektrike. Për 35 mijë lekë të vjetra bëhet fjalë, dhe për dëmin ekonomik që i ka shkaktuar shtetit kjo shumë. Tani mbahesh padrejtësisht 2 muaj brenda në burg. Pastaj na njoftojnë, na marrin në telefon, na thonë, hajde merreni se e keni në morg. Ka varur veten. Unë nuk e kuptoj. Kush e mban këtë përgjegjësi tani? Qamili para disa ditësh kishte kaluar në depresion, dhe këtë e di gjithë burgu ku ndodhet, gjithë policët, gjithë të burgosurit dhe nuk ka marrë masa askush për këtë. Ne nuk e tërheqim kufomën derisa shteti të na sqarojë ttfarë ndodhi me familjarin tonë”. “E prisnim të hanim Vitin e Ri bashkë në shtëpi, por nuk erdhi më. Ishim gati të paguanim dhe 350 mijë lekë jo 35 mijë lekë të vjetra, që atë ditë që e morën në burg. Nuk donin, prokurori rrinte përjashta dhe nuk pranoi. E morën në burg”.

MINISTRI i  DREJTËSISË  i vetmi që ngushëllon familjen
Ministria e Drejtësisë ka reaguar menjëherë mbi ngjarjen në burgun e Rrogozhinës, duke sqaruar se Qamil Zelës i është dhënë ndihma e parë në burg, porse i ndjeri nuk ia ka dalë dot. “Në IEVP e Rrogozhinës u vetëvarur i paraburgosuri Q.Z. Shtetasi Q.Z ka shfaqur shqetësime depresive dhe është trajtuar me medikamente në institucion. Personit i është dhënë ndihma e parë në Rrogozhinë”. Sipas Ministrisë së Drejtësisë, ministri Nasip Naço i drejton ngushëllime familjes Zela për humbjen e të dashurit të tyre. “Në datën 28.12.2014, ora 03:00, shtetasi Q.Z, 50 vjeç, i paraburgosur në IEVP Rrogozhinë, ka kryer vetëvrasje në mjediset e institucionit. Nga ana e stafit mjekësor të institucionit sqarohet, se shtetasi Q.Z është trajtuar me medikamente për çrregullime depresive që në momentin e pranimit në institucion, duke u kryer të gjitha veprimet konform ligjit dhe rregullores. Stafi i sigurisë ka ndërhyrë menjëherë, ndërsa të paraburgosurit i është ofruar ndihma e parë në institucion dhe është dërguar gjallë në spitalin e Rrogozhinës, por atje nuk ka mundur të mbijetojë. Ndërkohë, Ministri i Drejtësisë z. Nasip Naço shpreh ngushëllimet për familjen e të ndjerit, ndërsa bën apel se askush nuk duhet të fitojë kredo personale apo “të rritet” si politikan duke kërkuar të shfrytëzojë fatkeqësinë njerëzore”.

AK: Po vodhe miliona bëhesh deputet, po nuk pagove energjinë kalbesh në burg

        *            *               *

Aleanca Kuq e Zi ka reaguar mbi vetëvrasjen e Qamil Zelës në burgun e Rrogozhinës. Sipas këtij subjekti, kjo vetëvrasje në emër të debisë së papaguar për energjinë, është ngjarje tragjike. “I vetëvaruri bëri 2 muaj burg për faturën e energjisë. Ndërkohë që po vodhe miliona bëhesh deputet dhe ministër. Por po vodhe 3 500 lek drita, kalbesh në burg”, shprehet AK. Subjekti politik bën thirrje që të lirohen gjithë familjarët që po bëjnë burg për dritat e papaguara. “Stop prangave për prindërit që duan dritë për fëmijët”

 Basha: asnjë ngushëllim për viktimën, dyfytyrësi, mashtrime

 Asnjë ngushëllim për viktimën por vetëm vrer ndaj opozitës. Asnjë veprim ndaj debitorëve dhe hajdutëve që i ka promovuar në poste drejtuese në OSHEE. Dyfytyrësi, mashtrime, papërgjegjshmëri kriminale. Kjo është fytyra e të keqes. Që duhet shkulur me rrënjë! Kryefamiljari që i dha fund jetës në qeli, ka lënë një akuzë të gjallë e tronditëse, akuzë me të cilën duhet të merremi të gjithë si shoqëri. Përpara se të kryente aktin ekstrem, ai ka drejtuar gishtin drejt Edi Ramës dhe padrejtësisë që ai ka krijuar ne vend. Vetëm një padrejtësi e tillë, ku dikush ka mbi 30 milionë lekë drita të papaguara e bëhet drejtor, ku dikush ka miliona të papaguara e vazhdon të mos paguajë dhe caktohet shef i energjisë në Tropojë, apo Lushnjë, një padrejtësi e tillë e bën një burrë që gjendet në burg për 30 mijë lekë të vjetra të vetëflijohet. Padrejtësia që ka mbjellë në shoqëri Edi Rama i mori atij jetën. Ne nuk mund dhe nuk do ta lejojmë këtë tragjedi të luhet çdo ditë në mes të qytetarëve tanë. Do të ngrihemi e do ta ndalojmë me çdo mjet. E kemi për detyrë për jetët e humbura nga padrejtësia, për qindra mijë bashkëqytetarët tanë që po vuajnë eksperimentin çnjerëzor të Edi Ramës që nuk po kursen askend. Thirrja për të ndalur të keqen, më e fortë se kurrë.

 Rama: “Kuptojeni çështë politika e hienave „

Kryeministri Rama ka publikuar edhe dy dokumenta, atë të arrestimit të 52-vjeçarit Qamil Zela dhe vendimin e Gjykatës. “U thanë që ishte në burg për 35 mijë lekë të vjetra apo jo? Shikojini këto dy dokumente që ta kuptoni kollaj fare se ç’është politika e hienave! Nuk hyn askush në burg për borxhe ndaj OSSHE-së, kush ka borxhe lidh marrëveshjen me kompaninë ose i ndërpriten dritat. Në burg, sipas Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, shkojnë 3-5 vjet vetëm ata që kapen duke e vjedhur energjinë”, ka shkruar Rama. “Prandaj kush këtu ha symbyllur bar Shqupi të vaditur me lot krokodili, nuk i shet dot kujt as mend e as moral jo e jo!”, ka ironizuar kryeministri.

Akuzë banale ndaj qytetarit që u vetëvar

Sipas akuzës së policisë, dhe që iu referua edhe Rama, qytetari lushnjar që vari veten në burgun e Rrogozhinës kishte dy dyqane të lidhur me sahatin e shtëpisë. Pra merrte energjinë për dyqanet si abonent familjar, prandaj u burgos, sepse e përfitonte me çmimin e fashës – 7.7 lek/kw orë energjinë e dyqaneve.  Pra 2-dy dyqane dhe 1-një shtëpi, të tria bashkë konsumonin më pak se 300 kvorë? Por, po të bësh llogaritjet aritmetike, qytetari duke i paguar të gjithë konsumin e energjisë në një matës, të shtëpisë, dhe të biznesit, si shumë totale paguante më shumë, se sa të kishte matës për çdo subjekt, qoftë edhe duke i cilësuar si biznese, ku  në këtë rast paguhet një diferencë në çmimin e energjisë elektrike.  Kështu, çmimi i energjisë për sasinë mbi fashën familjare është 13,5 lek/kworë. Ndërsa çmimi për biznesin është 12,2 lek/kvorë. Pra -praktikisht viktima paguante 1,3 lek/kvorë më shumë nga sa i takonte, (13,5 – 12,2), sepse e kalonte fashën familjare prej 300 kworë. Pra nuk paguante mangut, por tepër. Dhe  për këtë qytetari u burgos, me pasojë fatale,pastaj për jetën e tij.