U ndërtua 10 vjet më parë me 4.2 milion euro

433
Sigal

Rruga e plazhit drejt shkatërrimit të plotë

Rruga e plazhit, ose siç njihet ndryshe aksi rrugor Ura e Dajlanit-Plepa, po shkon drejt shkatërrimit total, e mbushur me gropa, kanale, dhe punime që kryejnë firma dhe ndërmarrje, të cilat ikin pa e kthyer më rrugën në gjendjen e mëparshme. Mjafton një vështrim fizik i këtij aksi rrugor dhe do të shikosh se ajo në çdo 50 metra ka kanale nga njëri cep në tjetrin, apo edhe gropa të mbuluara me rërë plazhi, pasojë e punimeve që kanë kryer firmat që ndërtojnë pallate, apo Ujësjellës-Kanalizimet dhe Albtelecom. Kjo situatë ka sjellë kaos në trafikun e makinave, që janë dhjetëfishuar 2 javët e fundit, pas ardhjes së emigrantëve, por edhe duke rritur shanset për aksidente. Policët e qarkullimit shprehen se “ky aks rrugor është bërë copë, çdo njeri apo subjekt hap gropa, hap kanale, dhe gjithçka pa pasojë tek trafiku i makinave”. Por edhe Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve dhe Mirëmbajtjes, duket se nuk e kanë pasur në plan fare kujdesin dhe detyrimin ligjor të çdo subjekti apo institucioni për ta kthyer çdo pjesë të dëmtuar në  gjendjen e mëparshme. Ky aks rrugor ka një trafik të ngjeshur automjetesh, pasi lagja 13, siç njihet ndryshe plazhi, ka edhe një rritje të madhe të numrit të popullsisë në vitet e fundit. Vetëm 10 mijë banorë ka pasur plazhi deri në 1992, sot janë të regjistruar mbi 45 mijë, pa llogaritur mjetet që ata disponojnë. Por, duke u kthyer në aksin rrugor Ura e Dajlanit-Plepa, duhet theksuar se 10 vjet më parë atje u investuan mbi 4.2 milion euro, dhe gjithçka e bë sipas parametrave dhe standardeve europiane. Rrugë e re, kanalizime, ndriçim, gjelbërim, trotuare, dhe sinjalistikë e re. Por fakti është se ky aks rrugor qysh asokohe nuk ka pasur kujdesie nga DPRR-ja, ndërkohë që edhe pse ajo po degradon, duket se asgjë nuk është planifikuar të investohet, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme nga Bashkia. Trafiku i rënduar i sezonit dimëror, dyndja e emigrantëve me mjetet e tyre dhe lëvizjet e shumta edhe të mjeteve nga rrethet, kanë krijuar radhë të gjata, si pasojë e degradimit të këtij aksi rrugor. Edhe pak muaj na ndajnë nga sezoni i ri veror 2015, dhe çdo neglizhencë dhe harresë në rikthimin në gjendjen e mëparshme të  këtij aksi rrugor, do të ishte faturë për largimin e pushuesve dhe turistëve nga Durrësi. E ndërsa ky aks po thërrmohet çdo ditë, e rënduar paraqitet situate rrugore edhe në Shkozet. Edhe investimi për mbikalimin e tij me vlerë mbi 13 milion euro që do të bashkojë autostradën me Plepat, po zgjatet dhe ka bërë të mundimshme rrugët hyrëse drejt Durrësit. Së fundi Bashkia ka kërkuar shtesë në investimet në rrugë, ( pas përfundimit të korsisë për biçikletat) për të mundësuar rikthimin në gjendjen e mëparshme të rrugës së plazhit, duke menduar seriozisht qysh tani për sezonin e ardhshëm veror.

Artur  AJAZI