SHQIPËRIA PO BOSHATISET, 52 % E POPULLSISË MARRIN ARRATINË

750
Sigal

Të rinjtë, të diplomuarit, specialistët shkencëtarët ikin, mbeten këtu të pashkollët dhe politikanët

Shqipëria po boshatiset, 52 % e popullsisë në grupmoshën 18 – 40 vjeç dëshiron të emigrojnë. Plaket popullsia, së afërmi nuk do ketë kush të punojë

Valët e emigrimit kryesisht të moshave të reja do të vijojnë me një intensitet të lartë edhe në periudhat në vijim teksa një sondazh për Potencialet e Emigrimit i mbështetur nga Fondacioni Friedrich Ebert zbuloi se mbi 52 % e popullsisë në grupmoshën 18 – 40 vjeç dëshiron të emigrojnë nga Shqipëria, me një rritje me 8 pikë përqindje në krahasim me 2007.

Varfëria, papunësia, mungesa e shpresës, shkaqet e emigrimit të sotëm

Rikthimi i flukseve të larta të emigrimit vitet e fundit është vetëm maja e ajsbergut të asaj që pritet të ndodhë. Gjysma e popullsisë së vendit dëshiron të largohet dhe tashmë ka nisur përgatitjet për këtë proces, ndoshta është përgjigjja më e saktë se Shqipërisë nuk po i shkojnë punët aspak mirë. Vala e fundit e emigrimit është më dramatike dhe po rrezikon ta çojë vendin drejt “shuarjes”, pasi eksodi ka përfshirë qytete të mëdha si Vlora, Tirana Durrësi dhe Elbasani, kurse ata që duan të ikin janë individë në punë me paga të larta dhe të mirë arsimuar – fenomene që nuk ishin vërejtur në vrojtimin e vitit 2007. Përpos arsyeve ekonomike për të emigruar, mungesa e shpresës se situata në Shqipëri do të përmirësohet për mirë është një faktor që ka shënuar rritje krahasuar me 10 vite më parë. Dëshira për të migruar në këto përmasa lidhet me përfytyrimin që kanë njerëzit për të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve. Nga njëra anë, ai është një reflektim i gjendjes reale ekonomike, sociale e politike në vendin e origjinës, dhe nga ana tjetër, i mundësive potenciale në vendin pritës. Vrojtimi tregoi se, rreth 50% e personave që marrin paga nga 1000-1470 euro duan të largohen. Por gjithashtu u pa se 70% e emigrantëve të rikthyer duan të largohen sërish.

 

Nis zbrazja e Vlorës, Tiranës, Elbasanit…

 

Vlora, Elbasani, Tirana, Berati, Lezha, Fieri dhe Durrësi janë evidentuar si qarqet me potencialet më të larta të emigrimit. Dëshira për të ikur është e lartë për qytetarët e Vlorës, ku 66.7% e qytetarëve i kanë thënë po emigracionit, të ndjekur nga elbasanllinjtë, ku mbi 57% e tyre duan të emigrojnë dhe po në këtë masë, kanë dëshirë të ikin nga Shqipëria edhe qytetarët e Tiranës. Kryeqyteti, i cili ka të ardhurat për frymë mbi mesataren kombëtare dhe ofron mundësi më të larta jetese, renditet i treti në 12 qarqet e vendit për potenciale të larta të emigrimit. Anketa ka evidentuar se duan të emigrojnë 56% e beratasve, 54.8% e lezhjanëve, 52.7% e fierakëve, 51.6% e durrsakëve dhe 50% e shkodranëve. Potencialet më të ulëta për emigrim në raport me mesataren kombëtare u vunë re në Qarkun e Dibrës me 21.7%, në Gjirokastër me 23.2%, në Korçë me 40.7% dhe në Kukës me 41.2%. Përqindja më e ulët e potencialeve për emigracion në këto qarqe reflekton zbrazjen e këtyre qyteteve nga migrimi i brendshëm dhe emigracioni i lartë që kanë pësuar në të shkuarën. Migrimi potencial është më i lartë nga qarqet Vlorë, Elbasan, Tiranë, Berat, etj., dhe më i vogël në qarqet e varfra (Kukës, Dibër) dhe kufitare të vendit (Korça, Gjirokastra).

 

Planifikojnë të ikin në tre vitet në vijim

Të dhënat e anketës 2018 treguan se 17.2% e shqiptarëve të grupmoshës 18 deri në 40 vjeç ose 33.1% e atyre që shprehin dëshirën për emigrim mendojnë të ikin brenda vitit. Ndërsa 16.7% e shqiptarëve të kësaj grupmoshe, ose 32.1% e atyre që shprehin dëshirën për migrim, mendojnë të migrojnë brenda 3 viteve të ardhshme. Pjesa tjetër e emigrantëve potencialë shprehet se dëshiron të migrojë në harkun kohor të 10 viteve të ardhshme (16%) ose në më shumë se 10 vjet (0.7%). Ndërsa pjesa që mbetet dhe që akoma nuk ka vendosur përfaqëson 18.1% të emigrantëve potencialë. Treguesi i dytë ose “të mundshëm për të emigruar”, krahas përfshirjes së të parit, lidhet edhe me mundësinë për të financuar udhëtimin, me ekzistencën e rrjeteve sociale në vendin e migrimit, me njohjen e gjuhës së vendit pritës në një nivel të caktuar dhe me informacionin e nevojshëm për këtë vend. Llogaritja e treguesit të dytë ose “të mundshëm për të emigruar”, tregon se rreth 7% e emigrantëve potencialë ose 3.6% e popullsisë së grupmoshës 18 deri 40 vjeç, mund të emigrojnë. Ky tregues është dukshëm më i ulët se dëshira për migrim dhe pa dyshim, i afrohet më shumë realitetit.

 

Ikin të rinjtë

Rezultatet e anketës tregojnë se përgjithësisht, dëshirojnë të emigrojnë të rinjtë dhe se dëshira për migrim ulet dukshëm në moshat pas të 40-ave. Ajo zbret në 43.7% për grupmoshën 18-50 vjeç, 35.9% në grupmoshën 18-60 vjeç dhe 30.3% deri në 70 vjeç. Shumë nga ata që mendojnë të migrojnë pas të 60-ave dëshirojnë bashkim familjar me fëmijët e tyre emigrantë, kryesisht në Greqi, Itali dhe në SHBA. Studimi tregon se dëshira për emigrim kulmon në segmentin 27 deri në 30 vjeç. Të dhënat e anketës tregojnë se mesatarja e migrimit potencial për këtë segment të popullsisë shqiptare arrin në 71.2%. Ndërkaq, një krahasim i të dhënave të dy anketave tregon se në rast se në vitin 2007, potenciali migrator shqiptar kulmonte për grupmoshat 18 deri 25 vjeç, në vitin 2018 ai kulmon për moshat 27 deri në 30 vjeç.

 

Meshkujt largohen më shumë

Historikisht kanë emigruar meshkujt, por në vitet e fundit, përqindja e femrave që kanë emigruar dhe dëshirojnë të ikin është rritur. Sipas studimit, dëshira për të ikur mbetet më e lartë te meshkujt, me rreth 61.8%, ndërsa te femrat, 48.3%. Përgjithësisht, migrimi shqiptar është dominuar nga meshkujt, ndërsa femrat pasonin në një periudhë të mëvonshme nëpërmjet bashkimit familjar ose martesave. Pak më shumë se gjysma (51.7%) e atyre që dëshirojnë të migrojnë janë të martuar dhe 47.6% janë beqarë. Dëshira për migrim është dukshëm më e lartë tek meshkujt e pamartuar, 64.6% se sa tek ata të martuar me rreth 35.4%.

 

Rritet emigracioni i të arsimuarve, 65% e studentëve duan të ikin

Emigrimi potencial është më i lartë për personat që kanë edukim profesional, terciar dhe sekondar. Ky fakt shpjegohet me mundësitë më të mëdha të punësimit të personave që zotërojnë aftësi në vende si Gjermania dhe në vendet e zhvilluara të Bashkimit Europian dhe SHBA. Ikja e kësaj kategorie ndodh edhe për faktin se personat e kualifikuar dhe të arsimuar janë të pakënaqur me mundësitë e punësimit dhe kushtet e punës në Shqipëri. Rreth 10 vite më parë, 75% e personave të pashkolluar dëshironin të emigronin, ndërsa aktualisht duan të emigrojnë vetëm 20%. Ndërsa në vitin 2018, personat me universitet dhe master nuk shohin perspektivë në Shqipëri, pasi 53% e tyre planifikojnë të ikin, në raport me 40% që kishin plane të tilla më 2017. Dëshira për t’u larguar është rritur edhe te të rinjtë me shkollë të mesme, pasi 53-57% e tyre duan të ikin, me një rritje 12-13% në krahasim me anketën e vitit 2007. Raporti i edukimit me migrimin lidhet edhe destinacionet e reja ku duan të ikin shqiptarët.

 

Preferojnë të largohen më shumë personat me paga mbi 1000 euro

Një nga risitë e anketës ka qenë zbulimi se, personat që duan të largohen janë më së shumti ata me paga të larta. Pavarësisht se dëshira për migrim vërehet tek të gjitha grupet shoqërore, ajo nuk është më një karakteristikë vetëm e grupeve të varfra të shoqërisë shqiptare. Anketimi i vitit 2018 gjeti se rreth 55% personave që kishin pagë ndërmjet 1000-1400 eurove, donin të iknin. Gjithashtu, në këto përmasa, planifikojnë të ikin edhe personat me paga 470 deri në 950 euro në muaj. Nga ana tjetër, shihet se më pak se 50% e personave me paga nën 370 euro planifikojnë të ikin. Të dhënat e anketës tregojnë se studentët dhe të punësuarit janë më të prirë të migrojnë në krahasim me të papunët, të vetëpunësuarit dhe shtëpiaket. Kjo tregon se punësimi në vetvete nuk e parandalon migrimin. Rezultatet e vrojtimit tregojnë se, kushtet e punës, pagat e ulëta dhe mungesa e perspektivës janë disa nga faktorët që i shtyjnë njerëzit të migrojnë.

Profesionet që preferojnë të emigrojnë

Shumë shtete evropiane, si Gjermania dhe Italia kanë bërë të ditur se kërkojnë fuqi punëtore në disa profesione të caktuara, sikurse infermiere, elektricistë, berberë, po kështu edhe Italia. Të dhënat e anketës tregojnë se në disa sektorë të ekonomisë dhe në disa profesione, si në shëndetësi, call center, rrobaqepësitë, këpucaritë, ndërtim, etj., njerëzit janë më të prirë të migrojnë. Migrimi potencial është më i lartë nga qarqet Vlorë, Elbasan, Tiranë, Berat, etj., dhe më i vogël në qarqet e varfra (Kukës, Dibër) dhe kufitare të vendit (Korça, Gjirokastra).

Ekonomia dhe arsimi, shkaqet e emigrimit

Vërehet një rritje e numrit të njerëzve që theksojnë faktorët arsimorë, mungesën e së ardhmes në Shqipëri dhe, në një masë më të vogël, përkujdesjen shëndetësore që kanë për perspektivën e tyre në vendlindje. Sidoqoftë, faktorët ekonomikë, ku bëjnë pjesë përmirësimi i standardeve të jetesës, papunësia, pagat e ulëta dhe kushtet e punës, skemat e sigurimeve sociale dhe borxhet, vazhdojnë të mbeten shtytësit kryesorë të emigrimit shqiptar. Sipas anketës, këta faktorë përfaqësojnë 57% të shkaqeve të migrimit, ose më shumë se gjysmën e të gjithë faktorëve. Kjo tregon se migrimi shqiptar edhe në dekadën e tretë të tij, vazhdon të udhëhiqet nga faktorë ekonomikë. Krahas faktorëve ekonomikë, një grup më i vogël personash (19.4%) citojnë faktorë që lidhen kryesisht me mungesën e perspektivës ekonomike, sociale dhe politike në Shqipëri. Këtu bëjnë pjesë pohimet e emigrantëve potencialë se ‘në Shqipëri nuk ka të ardhme’, ‘nuk më pëlqen të jetoj në Shqipëri’, ‘dëshiroj të migroj jashtë shtetit’ dhe ‘aventura’. Një grup tjetër faktorësh është edhe arsimimi (17.4%). Një pjesë e emigrantëve potencialë theksojnë se ‘dëshirojnë të arsimohen’ në vendin pritës (5.4%) ose të ‘financojnë arsimimin e fëmijëve’ të tyre (12%).

Zhvendosja te Gjermania, kryeson listën

Personat e kualifikuar gjithnjë e më shumë dëshirojnë të emigrojnë në Gjermani, Amerikën e Veriut dhe në vende të tjera shumë të zhvilluara të Europës Perëndimore. Kurse personat me më pak edukim dëshirojnë të ikin më shumë në Greqi dhe pjesërisht në Itali, ku nëpërmjet rrjeteve sociale mund të gjejnë punë të pakualifikuara, qoftë edhe në sektorin informal. Në krahasim me anketën e vitit 2007, ka një riorientim të flukseve të migrimit potencial shqiptar, që shpjegohet me ndryshimet e thella që kanë ndodhur nga ndikimi i dy krizave, krizës ekonomike globale dhe krizës së refugjatëve. Gjermania është vendi i parë i preferuar i emigrantëve potencialë shqiptarë dhe rreth 22% e tyre dëshirojnë të migrojnë në këtë vend. Në vitin 2018, në krahasim me anketën e vitit 2007, ajo ka rritjen më të madhe nga të gjitha vendet e tjera, me 17 pikë përqindje. Imazhi i krijuar për Gjermaninë nga azilkërkuesit shqiptarë, si një vend social (arsimi, shëndetësia, mbrojtja sociale) me mundësi të mëdha punësimi dhe të ardhura të larta, është transmetuar në masën e gjerë të njerëzve kur ata janë kthyer në Shqipëri. Thuajse të gjitha intervistat e zhvilluara me azilkërkuesit shqiptarë të kthyer tregojnë se ata dëshirojnë të migrojnë në Gjermani. Dhjetë vendet e para ku dëshirojnë të migrojnë shqiptarët janë Gjermania me 21.7%, SHBA me 16.4%, Italia me 15.7%, Greqia me 14.4%, Britania e Madhe me 11%, Franca me 3%, Kanadaja me 2.7%, Zvicra 2.3%, Suedia me 2.3% dhe Austria me 1.3%. Emigrimi potencial shqiptar, nga njëra anë, përqendrohet në vendet e Bashkimit Europian (74.6%), dhe nga ana tjetër në Amerikën e Veriut (SHBA dhe Kanada – 19.1%). Migrantët potencialë u pyetën edhe për mundësinë e përzgjedhjes së një vendi tjetër, krahas të parit, për të migruar. Është interesante se edhe në këtë rast, Gjermania është përsëri vendi i parë i dëshiruar nga 23.7% e emigrantëve potencialë. Shumë nga migrantët potencialë që kanë zgjedhur si vend të parë të migrimit Greqinë ose Italinë, kanë si opsion të dytë Gjermaninë. Emigrantët potencialë janë pyetur edhe për disa nga faktorët që ndikojnë në përzgjedhjen e vendit të dëshiruar të migrimit. Përgjigjet tregojnë se përzgjedhja e këtyre vendeve përcaktohet kryesisht nga faktorë ekonomiko-socialë, si mundësia e punësimit dhe të ardhurat e larta (39.6%), mundësia për të kursyer para (12.5%), ekzistenca e rrjeteve sociale (10.6%), mundësitë e arsimimit (9.6%), bashkimi familjar (5.3%) dhe sistemi i sigurimeve sociale (4.2%). Nga përgjigjet vërehet se punësimi dhe të ardhurat, mundësia e arsimimit të fëmijëve, bashkimi familjar, prania e rrjeteve sociale dhe përvojat e mëparshme në atë vend janë faktorët kryesorë shtytës të migrimit potencial. Kështu faktorët kryesorë që i frymëzojnë njerëzit të emigrojnë janë material, humanë (edukimi) dhe kapitali social.