Policia: Garantojmë sigurinë në qendrat e numërimit, partitë të mos bëhen pengesë

144
Policia e Shtetit deklaroi mbrëmjen e së dielës se procesi i votimit ka përfunduar në të gjithë territorin e vendit dhe situata vijon të paraqitet e qetë. Në një deklaratë për mediat thuhet se gjatë natës së mbrëmshme dhe ditës së sotme në territorin e vendit nuk janë evidentuar ngjarje kriminale në qendrat e votimit, apo objektet e tjera zgjedhore.
“Gjatë gjithë këtij procesi Policia e Shtetit, me vendim të Komisioneve të Qendrave të Votimit, ka dhënë ndihmën për rivendosjen e rregullit në 5 raste, nga të cilat në 4 raste për shkak të fluksit të krijuar nga numri i lartë i votuesve, apo për largimin e personave nga ambientet jashtë KZAZ-së, si dhe në 1 rast për largimin e një personi, që nuk ka pasur dokument të rregullt për të votuar dhe nuk largohej nga qendra”,-thuhet në deklaratën e policisë.
Ndërsa theksohet të gjitha strukturat e policisë janë në gatishmëri të plotë dhe janë marrë të gjitha masat e nevojshme për shoqërimin e materialeve të votimit drejt Vendeve të numërimit të votave.
Policia sqaron se janë marrë në ruajtje të gjitha Vendet e Numërimit të votave dhe KZAZ-të. “Shërbimet e policisë do të garantojnë vijueshmërinë e normalitetit deri në përfundim të këtij procesi. Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë mbështetësve të subjekteve politike, që të mos bëhen pengesë për vijim e rregullt të procesit zgjedhor. Policia e Shtetit është e vendosur që të përmbushë me sukses të gjitha detyrimet që i ngarkon ligji për garantimin e mbarëvajtjes së këtij procesi deri në përfundimin e plotë të tij.”,-njofton Policia e Shtetit, ndërsa e quan suksese menaxhimin e procesit deri në orët e mbrëmjes së ditës së diel.