Përse prokuroria nuk heton shpërdorimin e 4.2 milionë eurove nga Lefteri Lleshi

494
Kanë kaluar 22 muaj nga data kur PS-ja ka depozituar padi penale në prokurorinë e Tiranës kundër kryetares së KQZ-së Lefteri Lleshi dhe 3 antëtarëve të KQZ-së, për kryerjen e veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës” në bashkëpunim, në lidhje me dështimin e zbatimit të numërimit elektronik në Qarkun e Fierit dhe të evidentimit elektronik në Qarkun e Tiranës. Mirëpo deri tani, prokuroria e Tiranës hesht dhe nuk heton, ndërsa pala akuzuese, PS-ja, meqë erdhi në pushtet, bën gjoja se e ka harruar padinë e saj, ndoshta ngaqë nuk i dhimbsen 4.2 milionë lekë që u shpërdoruan nga Leferie Lleshi, por edhe atëhere, padinë e bëri, pikërisht 3 ditë para datës së zgjedhjeve, për ta patur argument politik, për të bërë zhurmën politike, nëse humbiste zgjedhjet. 
Prokuroria arreston qytetarë për 4 mijë borxh për dritat
Prokuroria në Shqipëri ka dhënë urdhër arresti për qytetarët, që janë borxhlli edhe për 4.000 lekë ndaj OSHEE-së për energjinë elektrike. Një qytetar nga Lushnja, duke mos e duruar dot padrejtësinë e prokurorisë, që e çoi në burgun e Rrogozhinës, për borxhin e 4.500 lekëve për dritat, u vetëvar në burg. Ndërkohë që policia jep përditë buletin lajmesh për arrestime të qytetarëve, të cilët nga halli, rilidhin energjinë elektrike. Madje, policia arrestoi edhe babanë, i cili për t’i dhënë oksigjenin djalit të sëmurë, u detyrua të rilidhë energjinë elektrike. 
Por, prokuroria nuk heton Lefteri Lleshin për 4.2 milionë euro
PS-ja, me prova dhe fakte ka dëshmuar në padinë penale që ka depozituar në prokurorinë e Tiranës, se 4 anëtarë të KQZ-së, kanë shpërdoruar 4.2 milionë euro nga taksapaguesit, duke ia dhënë kompanisë, që u zotua se do zbatonte numërimin dhe evidentimin elektronik në zgjedhjet e 23 qershorit 2013 dhe çuditërisht, prokuroria deri më sot, ka heshtur. Nuk ka hetuar, që, të paktën, të pohonte, nëse kallzimi penal i PS-së, është i rremë, apo është i vërtetë. Prokuroria e ka detyrim ligjor, që të fillojë hetimet, në rastet kur zyrtarë të lartë të shtetit shpërdorojnë miliona euro. Përse, deri tani prokuroria hesht? Përse prokuroria nuk heton shpërdorimin dhe korrupsionin e KQZ-së, të kryetares së saj Lefteri Lleshi, e cila, ka kryer 2 krime penale. E para, me veprimet dhe mosveprimet e saj, si kryetare e KQZ-së, Lefteri Lleshi është fajtore e moszbatimit të numërimit elektronik në Qarkun e Fierit dhe evidentimit elektronik në Qarkun e Tiranës. Pra, Lefteri Lleshi me dashje, siç thotë edhe PS-ja në padinë e saj, ka sabotuar projektin elektronik të zgjedhjeve të 23 qershorit. Ky krim, a nuk duhet të hetohet nga prokuroria? 
Së dyti, Lefterie Lleshi ka parapaguar gjithë shumën e 4.2 milionë eurove, kompaninë spanjolle për numërimin dhe evidentimin elektronik, kur ende kjo marrëveshje nuk u zbatua. Kjo a nuk përbën një akuzë penale, për të cilën prokuroria duhet të kishte nisur hetimet?
Së treti, PS-ja në kallzimin e saj penal, akuzon drejtpërdrejtë Lefteri Lleshin dhe KQZ-në, që tenderi për projektin elektronik është bërë nga këta në mënyrë jo transparente. 
Së katërti, Lefterie Lleshi ka shkelur Kodin Zgjedhor, duke bërë që të dështonte numërimi dhe evidentimi elektronik i zgjedhjeve. Për këtë shkelje flagrante të ligjit, a nuk duhet të hetojë prokuroria?
Së pesti, Lefteri Lleshi ka cënuar standartet e procesit zgjedhor, duke dështuar qëllimisht, zbatimin e numërimit dhe evidentimit elektronik të votave, duke dashur që të lejojë mundësi të manipulimit të votave në qarqet Tiranë dhe Fier. A nuk dihet prokuroria të hetonte edhe këtë krim të cënimit të standarteve të procesit zgjedhor nga kryetarja e KQZ-së?
Madje, Damian Gjiknuri, është prononcuar në 13 korrik 2013, në gazetën “Telegraf” dhe e ka pohuar këtë akuzë. A nuk duhet që prokuroria te hetojë zyrtarët e lartë, kur ata zhvillojnë proces tenderimi jo transparent, sikurse bëri KQZ-ja me tenderimin e projektit elektronik të zgjedhjeve të 23 qershorit 2013? Sipas kallzimit penal të PS-së ndaj KQZ-së këto akuza penale janë për shpërdorim të deyrës në bashkëpunim. Pra, akuza është për kryerjen e krimit nga zyrtarë të lartë të shtetit, siç është kryetarja e KQZ-së Lefteri Lleshi dhe 3 anëtarët e tjerë të KQZ-së, ndërkohë, që prokuroria me heshtjen e saj përpiqet që të fshehë një krim që ka ndodhur, abuzimin dhe shëprdorimin e 4,2 milionë eurove të taksapaguesve shqiptarë. 
Kallzimi penal i PS-së në 20 qershor 2013 
PS-ja ka kërkuar më 20 qershor 2013 fillimin e ndjekjes penale ndaj 4 anëtarëve të KQZ-së, sipas saj për kryerjen e veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës” në bashkëpunim. PS padit po ashtu edhe anëtarët e Komisionit të Përgatitjes së Dokumentacionit dhe Vlerësimit të Ofertave të Tenderit për SEV si dhe persona të tjerë të paidentifikuar, punonjës të KQZ-së apo shtetas të tjerë, që kanë bashkëpunuar me të kallëzuarit. Kjo padi penale është depozituar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, dhe vjen pas dështimit të Sistemi Elektronik të Verifikimit (SEV) të kartave të identitet gjatë procesit zgjedhor në Qarkun e Tiranës. Në padinë e Partisë Socialiste thuhet se nga kronologjia e procesit dhe analiza e provave, vërtetohet se katër anëtarët e kallëzuar të KQZ-së me veprime dhe mosveprime të kundraligjshme, kanë synuar dhe realizuar dështimin e qëllimshëm të këtij projekti.“Ky qëllim i kundraligjshëm është mbështetur dhe realizuar nga anëtarët e KQZ-së në bashkëpunim me administratën e komanduar politikisht nga maxhoranca qeverisëse, pjesëmarrëse në procedurën e tenderimit dhe realizimit të kontratës”, theksohet më tej.
Prokuroria ka heshtur edhe kur gazeta “Telegraf”, e ka denoncuar shpërdorimin e KQZ-së
Gazeta “Telegraf” ka botuar vazhdimisht shkrime dhe fakte të këtij shpërdorimi të 4,2 milionë euro nga KQZ-ja për dështimin e numërimit dhe evidentimit elektronik të votave në zgjedhjet e 23 qershorit 2013. Mirëpo, prokuroria, edhe pse ka patur fakte, edhe pse në prokurori është depozituar kallzim penal nga PS-ja, sërish nuk është kryer asnjë hetim, sepse është dashur nga vetë prokuroria, që ta mbulojë këtë krim. Damian Gjiknuri, sekretari për Çështjet Zgjodhore në PS, është prononcuar për gazetën “Telegraf” në datën 3 korrik 2013, domethën pak ditë pasi PS-ja fitoi zgjedhjet dhe ka pohuar se përgjegjësia është e kryetares së KQZ-së Lefterie Lleshi për miliona euro të shpërdoruara, për cënimine standarteve të zgjedhjes, për shkeljen e Kodit Zgjedhor, për tenderimin jo transparent, etj. Është e pashpjedueshme përse deri tani ka heshtur edhe vetë Damian Gjiknuri, derisa ka 20 muaj që është ministër? Përse Damian Gjiknuri nuk kërkon nga prokuroria pse nuk hetohet kallzimi penal i PS-së ndaj PKQZ-së? Mos vallë tani, si ministër ai e ka “gjetur” gjuhën e mirëkuptimit me KQZ-së, në dëm të interesave të shtetit, por, ndoshta, për interesa partiake? Apo padinë penale Damian Gjiknuri dhe PS-ja e përdorin si mjet presioni e shantazhi ndaj KQZ-së, që KQZ-ja tani t’u shërbejë interesave partiake të tyre dhe jo të zbatohet ligji dhe Kodi Zgjedhor, meqë jemi në prag fushate zgjedhore?
Ja prononcimi i Damian Gjiknurit për gazetën “Telegraf” më datë 3 korrik 2013. 
– Zoti Gjiknuri, çfarë bëhet me padinë tuaj ndaj KQZ për dështimin e projektit elektronik të votimeve dhe shpërdorimin e fondeve?
– Heton prokuroria dhe ne presim fjalën e drejtësisë.
– Sipas jush, përgjegjësi kryesor është kryetarja e KQZ-së?
– Përgjegjës është kryetarja e KQZ-së, anëtarët e KQZ-së dhe administrata e KQZ-së që është marrë me procedurat e tenderimit. Për mua faji është se gjithë ato miliona ikën kot dhe procesi i zbatimit të numërimit e identifikimit elektronik dështoi, duke cenuar standardet dhe KQZ-ja me dashje ka shkelur Kodin Zgjedhor.
– Ishte e qëllimshme nga KQZ-ja që numërimi dhe identifikimi elektronik në zgjedhje të dështonte?
– Po. Unë nuk shikoj tjetër arsye të dështimit.
– Në procesin e tenderimit që zhvilloi KQZ-ja, a kishte transparencë?
– Nuk kishte dhe të gjitha pretendimet që ne kishim, i kemi përshkruar në padinë që kemi dorëzuar në prokurori. Mungesë transparence, shkelje të Kodit Zgjedhor, vonesa të procedurave dhe neglizhencë nga KQZ-ja për të respektuar të gjitha afatet që parashikonte Kodi Zgjedhor për projektet e numërimit dhe identifikimit elektronik.
Sigal