Përplasjet për Teatrin/ Artistët: Nga kryeministri duam zgjidhje dhe jo arrogancë. Ja historia tronditëse për Trebickën

494
Ndizet diskutimi për zhvendosjen e teatrit. Kryeministri shprehet se debati është i stërvjetër, i stërlodhur dhe pa asnjë vlerë e asnjë kuptim sot
Artistët e kanë cilësuar arrogante përgjigjen e kryeministrit Edi Rama lidhur me debatin për ndërtesën e Teatrit Kombëtar. Ish-drejtori i Teatrit Eksperimental, regjisori Kastriot Çipi, deklaroi se Rama nuk është mbret dhe se kjo është një çështje shumë e rëndësishme. “Reagimi i Ramës shumë arrogant, nuk pranojmë këshilla nga askush, ai nuk është mbret. Duhet që këto gjëra të negociohen. Kjo është një çështje shumë e rëndësishme”, tha Çipi gjatë takimit me Avokaten e Popullit. Kryeministri Edi Rama u përfshi në debatin e artistëve me ministren e Kulturës, teksa i kthente përgjigje një komentuesi në faqen e tij në “Facebook”, ku ky i fundit e pyeste nëse i kishte dëgjuar Ndrenikën dhe Asqeriun. Rama shkruante se nuk i ka dëgjuar dhe se debati është pa asnjë vlerë, duke shtuar se askush nuk jepte dot leksione. “Jo Andi nuk i kam dëgjuar dhe nuk e di çfarë plasje kanë, po di që debati për të mbrojtur godinën e rrënuar të teatrit, është një debat i stërvjetër, i stërlodhur dhe pa asnjë vlerë e asnjë kuptim sot! Sa ka bërë qeveria ime për teatrot, muzetë, stadiumet në vetëm 4 vjet nuk i kanë bërë të gjitha qeveritë bashkë në 25 vjet! Nuk mjaftojnë? Aspak. Por ama leksione të asnjë lloji s’na jep dot askush dhe në këto katër vjet do bëjmë ende më shumë, përfshirë edhe Teatrin e Ri Kombëtar, duan s’duan ata që s’dinë çfarë duan!”, shkruante Rama. Ndërkohë, artistët kërkuan edhe ndërhyrjen e Avokatit të Popullit për të marrë pjesë në dialogun që do të zhvillohet me ministren e Kulturës. 

Kumbaro: Pse u shkri Qendra e Artit, heqim dorë nga tenderët
Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, sqaroi se një pikat që ndryshojnë në ligjin për kulturën dhe artin janë në aspektin financiar, me argumentin për të zgjedhur cilësinë para aspektit ekonomik. “Është nismë e Ministrisë së Kulturës për disa amendime të ligjit, amendime që synojnë 2-3 elementë që do t’i cilësoja decentralizues. Neni 26, që ka të bëjë me financimin, ishte edhe pika kryesore për këtë nismë. Ky nen e përjashton Ministrinë e Kulturës nga tenderët, por të shkojë drejtpërsëdrejti tek produkti. Tenderimi shikohet në aspektin ekonomik dhe jo gjithmonë përzgjidhet cilësia më e mirë. Të gjitha institucionet e tjera, si bashkitë çlirohen nga procedura e tenderimit”, shprehet Kumbaro. Duke mbrojtur vendimin e marrë 4 vite më parë, ministrja e Kulturës u shpreh se heqja e “Qendrës së Artit” ka ardhur për shkak se ishte një dublim i një drejtori tjetër brenda institucionit që ajo drejton. “Në 2013-ën, kjo qendër e miratuar në 2010-ën, u krijua. “Qendra e Artit” nuk e kishte në thelb krijimin e agjencive, por menaxhimin e fondeve të Ministrisë së Kulturës për projektet, por edhe gjetjen e financave nga burime të tjera. Por ajo çfarë gjetëm ishte një dublim i Drejtorisë së Kulturës nga kjo qendër. Drejtoria e Artit dhe Kulturës menaxhonte gjysmën e buxhetit, gjysmën tjetër e menaxhonte “Qendra e Artit”. Abuzimet nga kjo qendër ishin të asaj forme sa gjetëm miliona euro borxhe të akumuluara nga Ministria e Kulturës”, u shpreh ministrja e Kulturës.

Reagime

Bujar Asqeriu, aktor: 
“Ministria e Kulturës, 3 km larg nga Teatri Kombëtar nuk di ç’do të bëhet me këtë teatër. Këta nuk dinë kanë ndonjë lekë në xhep apo nuk kanë. Këta nuk dinë asgjë. Për çfarë paguhen këta? Ai nuk di se çfarë do të bëhet nesër me teatrin. Jo të ulërish, por të përmbyset bota. Më vjen keq që ju nuk jeni aspak transparent. Teatri Kombëtar u la me qëllim si lebroz në mes të Tiranës, që ata që i kanë vënë syrin, ta rrafshojnë. Për teatrin sot të vjen për të qarë. Pse Teatri Kombëtar të shkojë tek ‘Turbina’? Çfarë do të bëhet me këtë vend ku janë lënë kockat? Me artdashësit? Revolta ime është kjo; për çfarë i merr rrogat Ministria e Kulturës?”

Altin Basha, regjisor: 
“Në parim ligji i 2010-s u ndërtua për ta decentralizuar, për t’i dhënë sa më shumë mundësi artistëve. Në atë kohë u gjet një zgjidhje si “Qendra e Artit”, kjo qendër drejtohej nga një person që vendosej nga Ministria e Kulturës. Në 2014-n, pa na dhënë asnjë shpjegim e hoqi. I vetmi sqarim ishte se kishte abuzim me fondet. Si një kundër instrument u vendos një kolegjium të drejtuar nga zonja ministre. Nga ai moment nis një konflikt i heshtur, se përse Ministrja mori kontrollin vertikal të vendimmarrjes. Ne nuk kemi parë asnjë person të denoncuar për abuzim, kjo është parë nga ne si një përpjekje e ministres për ta marrë vetë në dorë këtë vendimmarrje”.

Kastriot Çipi, regjisor: 
“Pse po krijohen bordet dhe kolegjiumet dhe pse ato i emëron ministrja, pra titullari i institucionit dhe rregulloret ua miraton ajo. Këtu në Shqipëri po bëhet që ministrja të marrë në kontroll bordet dhe gjithçka. Kjo nuk është hiç në rregull. Po bëni një ligj komunist dhe flisni për decentralizim. Pse nuk bëni propozim që të kthehet qendra e artit. Pse duhet të keni nën kontroll artin dhe kulturën? Pse ndryshe nuk e merrni dot Teatrin Kombëtar. Nëse kryetari do të ishte i zgjedhur, nëse bordi do të ishte me anëtarë të zgjedhur, do të ishin shumë më të fortë se sa ju”.

Hervin Çuli, drejtor i Teatrit:
“Nuk kemi spostim të trupës. Nuk e di kush e ka shpikur. Është përdorur thjesht simbolikisht. Teatri Kombëtar nuk ka asnjë ndryshim nga teatri i sotëm me të nesërm, thjesht do t’i shtohen dy salla. Unë vij nga një eksperiencë nga Bukureshti ku ka një teatër në qendër dhe një në periferi. Kemi vetëm një shpërndarje të punëve dhe i shtohen dy skena. Teatri i Operës dhe Baletit do të vijnë të japin ndonjë shfaqje”.
Sigal