Gentian Çala: Tuneli që zaptoi plazhin

728
Sigal

Në hyrje të qytetit të Pogradecit u ndërtua një tunel panoramik, i cili sipas projektuesve do të ruante dy objekte të luftës së dytë botërore, dy bunkerë të ndërtuar nga italianët gjatë luftës së dytë botërore, si dhe plazhin e ashtuquajtur të fortesave. Nëse bunkerët nuk u dëmtuan dhe u ruajtën, plazhi nuk u kthye më në identitet. Premtimet ishin se ai do të kthehej në origjinë, por fatkeqësisht mbetjet inerte mbetën aty.

Qytetarët e Pogradecit kanë disa pjesë të bregut të liqenit, të cilat i kanë frekuentuar tradicionalisht. Pjesa e plazhit të fortesave ishte plazh guror, me breg të cekët dhe ujin kristal. Shumë prej qytetarëve kanë kujtime në atë breg që nga fëmijëria e tyre, ku shumë familje merrnin rrezet e diellit gjatë periudhës së verës apo disa e përdornin bregun për të peshkuar me grepa. Ky plazh është një pjesëz e memories kolektive të qytetit.

Të gjithë ata që e projektuan tunelin e dinin shumë mirë se plazhi i fortesave ishte një dhuratë e natyrës që qytetarët e Pogradecit e donin, ndaj duheshin kujdesur që jo vetëm të ruanin bunkerët, por edhe ta kthenin plazhin ashtu siç ishte para ndërtimit të rrugës. Mungesa e ndjeshmërisë ndaj vijës bregliqenore tregon se shumë projekte bëhen pa pasur parasysh mjedisin ose kërkesat e qytetarëve.

Tashmë plazhi i fortesave gjendet i burgosur nën inertet e rrugës në hyrje të qytetit, e me të edhe një pjesë e kujtimeve tona. Qyteti ka një plazh më pak, madje gjatë vijës Lin-Pogradec janë prishur disa plazhe, të cila ekzistonin para projektit të rikonstruksionit të rrugës. Ndaj investimet në infrastrukturë nuk duhet të dëmtojnë zonat e përdorura për qëllime të tjera dhe aq më pak plazhet bregliqenore.
Duhet projektuar sa më parë rikthimi i tij në identitet. Ata që marrin vendime duhet ta kuptojnë se kjo duhet bërë sa më parë. Gabimi duhet korrigjuar!