PDIU nuk dorëzohet, ankimon në KQZ: Fituam mandatin në Tiranë, e tregojnë pamjet filmike

104
Pas vendimit të Komisionit Zgjedhor duke miratuar tabelën përfundimtare në qarkun Tiranë, ku PDIU nuk mori asnjë mandat dhe kreu i saj Shpëtim Idrizi mbeti jashtë Parlamentit, kjo forcë politike dorëzoi sot ankimimin në KQZ për qarkun e Tiranës.
“Ankimimi i PDIU bazohet në pamjet filmike të numërimit të votave në GNV, që sipas Kodit Zgjedhor përbëjnë material zgjedhor. Pamjet filmike tregojnë se PDIU e ka fituar mandatin në Tiranë me disa dhjetëra vota më shumë sesa pragu 3%”- thuhet në njoftimin e PDIU.

Më herët gjatë mbledhjes së KQZ, Mesila Doda tha se PDIU-së i duheshin edhe 36 vota për të marrë mandatin në Tiranë, ndërsa kërkoi një hetim administrativ, pasi sipas saj ka pasur parregullsi.

“PDIU ka marrë 12 mijë vota në Tiranë dhe i duheshin edhe 36 vota për të marrë mandin. Të administrohet çdo provë e materialit zgjedhor, pasi u shtrembërua vullneti i zgjedhësve. Pamjet filmike tregojnë se ka pasur pasaktësi në disa qendra votimi”- tha deputetja aktuale e PDIU, Doda.