PD: Rama nuk e justifikon dot as me paratë e gruas shtëpinë 400 milionë lekë të Surrelit

482
Sigal

PD-ja ka publikuar fakte zyrtare sesi kryeministri i vendit, Edi Rama, i ka gënjyer shqiptarët për pasurinë e tij që ditën e pare, kur u ul në karrigen e kryeministrit të vendit. Deputetja Oriola Pampuri tha se “Edi Rama i ka gënjyer shqiptarët për pasurinë e tij që ditën e parë, kur u ul në karrigen e kryeministrit të vendit. Kreu i qeverisë së Shqipërisë nuk justifikon të paktën 300 milionë lekë, me të cilat thotë se ka ndërtuar shtëpinë. Kjo është një vepër që të çon në burg. Edi Rama, – vërejti Pampuri, – nuk mund t’i gënjejë dot më shqiptarët se shtëpinë në Surrel që sipas ekspertëve të ndërtimit është një banesë që kushton jo më pak se 2 milionë euro, e ka bërë me kursimet e gruas. Faktet janë e zeza mbi të bardhë në deklaratën e tij të pasurisë. Çifti kryeministror nuk ka deklaruar aq të ardhura, sa të justifikojnë ndërtimin e një shtëpie superluksoze me vlerë 400 milionë lekë. Në vitin 2011, përpara nisjes së ndërtimit të shtëpisë, Edi dhe Linda Rama kanë deklaruar se, të dy bashkë, zotërojnë rreth 80 milionë lekë. Në vitin 2012, Edi Rama ndërton shtëpinë e tij në Surrel dhe, kur mori detyrën e kryeministrit një vit më vonë, deklaron se ka shpenzuar plot 400 milion lekë për ndërtimin e saj, pra plot 5 herë më shumë sesa kursimet që kishte gjendje çifti Rama. Sipas deklaratës së pasurisë që vetë kanë dorëzuar në 2013-n, rezulton se, pasi kanë deklaruar shtëpinë 400 milionë lekë, pra, pasi kanë shpenzuar kursimet e jetës, 80 milionë lekë, Edi dhe Linda Rama, jo vetëm nuk kanë deklaruar borxh, por pasuria e tyre është shtuar, duke deklaruar se kanë gjendje plot 92 milion lekë. Dokumentet zyrtarë faktojnë se të ardhurat e Edi Ramës më 2013-n nuk e justifikojnë dot vlerën 400 milionë lekë të shtepisë superluksoze në Surrel. Për Kryeministrin e Shqipërisë ka sot vetëm një pyetje: Ku i gjeti Edi Rama 400 milionë lekë për ndërtimin e shtëpisë superluksoze më Surrel, kur, bashkë me gruan, kishte deklaruar vetëm 80 milionë lekë kursime? Ka ardhur koha që Edi Rama i oxhakut 18 mijë euro të përgjigjet dhe të mos fshihet më pas fustanit të gruas,” përfundoi deputetja e PD-së.