PD gati kallëzimin kundër kryebashkiakut Erjon Veliaj, mbledhja e këshillit “nul”

493
Këshilltarët e PD unanimisht e bojkotuan mbledhjen e së mërkurës të Këshillit Bashkiak ku u miratua propozimi i kryebashkiakut për rritjen e çmimit të ujit të pijshëm. Ata e konsideruan “nul”, këtë mbledhje duke dhënë edhe argumentet. Juristi i PD-së Fabian Topollaj, deklaroi për gazetën “Telegraf” se janë duke përgatitur kallëzimin penal kundër kryebashkiakut Erjon Veliaj dhe dorëzimin e saj në Gjykatën Administrativë. Ai u shpreh se të gjitha argumentet çojnë në faktin se të mërkurën u zhvillua një mbledhje farsë dhe e gjitha kjo vetëm për të plotësuar tekat e një njeriu që bënë çdo gjë për përfitime personale dhe klienteliste. Por cilat janë argumentet sipas Topollaj. Ai deklaroi se që Këshilli Bashkiak të nis punën, pra të mblidhet, duhet patjetër të ketë kuorumin e nevojshëm. “Paraprakisht, që të nis mbledhja në sallë duhet të jenë më shumë se gjysma e anëtarëve. Organi kolegjial ka 61 anëtarë dhe që të plotësohet kuorumi duhet medoemos që në sallë të jenë 31 anëtarë”, shton ai. Topollaj shpjegon edhe faktin në sallë në momentin e nisjes së mbledhjes kanë qenë 31 individë, por jo 31 anëtarë. Sipas tij Veliaj ka shfrytëzuar si anëtarë edhe ata që erdhën për herë të parë në këshill dhe nuk kishin bërë ende betimin. 

“Ishin tre –katër anëtarë të rinj të këshillit dhe mbledhja e 26 korrikut ishte e para për ta. Në këtë mbledhje do të bëhej zëvendësimi i anëtarëve që ishin zgjedhur deputetë. Ata bëhen anëtarë vetëm pasi të kalonte vendimi i parë, pra ai i emërimit të tyre. Para këtij momenti ata nuk mund të konsiderohen anëtarë. Dhe në këto kushte mbledhja nuk mund të zhvillohej sepse nuk kishte kuorumin e nevojshëm. Anëtarët e rinj kanë votuar edhe për veten e tyre. Ata kanë vazhduar me të tëra pikat e rendit të ditës në këto kushte. Ata skanë të drejtë vote”, deklaroi Topollaj.
Sigal