PD fton publikisht mazhorancën të nënshkruajë paktin për largimin e të inkriminuarve nga listat

463
Në kuadër të kërkesës së vazhdueshme nga ana e SHBA dhe faktorit ndërkombëtar për të pastruar listat e kandidatëve nga elementët e inkriminuar, PD sot ka kërkuar zyrtarisht bashkpunimin e mazhorancës për të çuar më tej këtë kërkesë. Ishte deputeti demokrat Bylykbashi i cili nëpërmjet një deklarate për shtyp ftoi mazhorancën të nënshkruaj një pakt për të larguar elementët e inkriminuar nga listat për zgjedhjet lokale të 21 qershorit. 

Më poshtë deklarata e plotë e deputetit Bylykbashi
Jam sot para jush që të informoj opinionin publik se prej dy javësh, Partia Demokratike i ka propozuar mazhorancës ‎nënshkrimin e një pakti mes partive politike për verifikimin e kandidatëve që garojnë për zgjedhjet e 21 qershorit në kuadër të dekriminalizimit dhe largimin menjëherë nga gara të atyre kandidatëve që kanë rekorde kriminale.
Prej dy javësh mazhoranca e ka lënë në heshtje dhe pa përgjigje këtë propozim të Partisë Demokratike.
Jam sot para jush për të bërë transparencë të plotë të këtij propozimi.
Partia Demokratike propozon nënshkrimin e një pakti që do mundësojë:
1- Verifikimin për pasjen ose jo të rekordeve të rënda kriminale, për cilindo nga kandidatët e regjistruar për zgjedhjet e 21 qershorit, nëse një nga subjektet politike nënshkruese të paktit e kërkon këtë;
2- Përdorimin e gjurmëve të gishtërinjve për çdo rast të kërkuar, me qëllim verifikimin e plotë e të saktë të rekordeve kriminale;
3- Tërheqjen e menjëhershme nga gara të kandidatëve që rezultojnë me rekorde të rënda kriminale ose refuzojnë verifikimin e të dhënave të tyre.
4- Partia Demokratike është e bindur se dekriminalizimi është mbi të gjitha vullnet politik dhe se nuk jemi kurrë vonë për ta fituar këtë betejë.
Partia Demokratike i bën thirrje Kryeministrit Rama dhe mazhorancës të tregojnë vullnetin e tyre politik për të larguar personat me rekorde kriminale nga listat e kandidimit ne zgjedhjet e 21 qershorit, duke nënshkruar pa vonesë këtë pakt politik mes partive dhe duke hapur rrugën për zbatimin e menjëhershëm të tij.
Sigal