Pasfushata e Edi Ramës dhe përpjekja për të bindur qytetarët se ka program

494
“Shqipëria që duam”. Me anë të kësaj platforme, kryeministri Edi Rama kërkon të bëjë aleancë me qytetarët. Thotë se në këtë 4-vjeçar do të bashkëqeverisë me ta
Një muaj fushatë në të gjithë vendin dhe platforma është “Shqipëria që duam”. Me anë të kësaj fushate, të nisur pas 25 qershorit, kryeministri Edi Rama kërkon nga qytetarët të mësojë se kush janë prioritetet e tyre dhe se si mund të qeverisin së bashku. Janë shpërndarë në të gjithë vendin, deputetët dhe me urdhër të liderit të tyre duhet të bindin qytetarët për t’iu bashkuar platformës. Sipas Ramës kjo është një platformë e hapur komunikimi e ndërveprimi me qytetarët që do të shërbejë për t’i dëgjuar në kohë reale për çështje të aktualitetit politik e qeverisës, për të diskutuar rreth reformave e masave të rëndësishme dhe mundësuar ndikimin mbi politikat qeverisëse në çdo sektor e mbi punën e çdo ministrie apo institucioni të varësisë. Një tjetër pikë për të cilën flet kryeministri në platformën e tij është edhe kërkesa që u bënë qytetarëve që së bashku me ta të luftojë korrupsionin dhe për të evidentuar tepsixhinjtë apo parazitët e çdo niveli. Po kështu Rama u kërkon shqiptarëve që së bashku të zgjidhin problemet komunitare dhe personale të gjithkujt. E ndërsa flet për këto alternativa kryeministri i mandatar për të qeverisur edhe një katërvjeçar, duket qartë që fushatën e nisur në të gjitha qytetet e bënë vetëm për të identifikuar punonjësit e administratës, të cilët do t’i shkarkojë. Kjo ishte edhe kauza e tij gjatë fushatës. Nuk shpalosi asnjë pjesë programi, foli vetëm për tepsixhinj dhe për largimin e tyre menjëherë sapo të vinte në pushtet. Rama e thotë hapur se nuk do të bëjë koalicion me asnjë parti tjetër. Por do të diskutojë çdo gjë me qytetarët. Në këtë mënyrë, ai e konsideron veten mbi të gjithë dhe nuk dëshiron të dijë nëse përballë tij ndodhet edhe opozita, e cila pritet të ketë pas një pjesë të qytetarëve, të cilët i dhanë votës. “Qeveria e re do të jetë në një koalicion real me njerëzit e zakonshëm që së bashku të rrëzojmë sa të mundim, muret qorre e shurdhe të godinave të shtetit, që nga bulevardi i Tiranës deri në çdo skaj të vendit”, u thotë Rama qytetarëve. Ai flet për një qeverisje mbi të majtën dhe të djathtën. Pra u thotë qytetarëve se shteti që kërkon të ndërtojë duhet t’u përkasë qytetarëve dhe jo pushtetarëve. “Sfidat e Shqipërisë sot, nuk janë sfida socialiste apo sfida demokrate, por janë sfida shqiptare. Të vetëdijshëm për barrën e madhe të përgjegjësisë që na u besua, qeveria e re do të bashkëqeverisë me njerëzit e zakonshëm të këtij vendi në një përpjekje shqiptare, të përbashkët, për ta bërë Shqipërinë më të mirë”, shkruan Rama. Ndërkohë ditën e djeshme edhe kryesuesi i listës së deputetëve në Korçë, Niko Peleshi tha se Partia Socialiste, në këtë mandat do të jetë në koalicion me qytetaret dhe kjo do të bëhet duke prekur problematikat e tyre që do të vendosin edhe prioritetet e investimeve. Në një takim me banorët e njësisë administrative Bulgarec, ai tha se gjatë këtij mandati do të zbatohen projekte që janë emergjente dhe u shërbejnë pjesës më të madhe të banorëve. “Deputetëve turistë që vinin një herë në katër vite për të marrë vota u erdhi fundi”, u shpreh ai. Shqetësimeve të banorëve, për zgjidhje për sistemin e vaditjes, kanalizimet dhe ujin e pijshëm, ai tha se do të jenë në prioritetet e qeverisë në katërvjeçarin e ardhshëm.
Sigal