Padia për shpifje, Paloka paraqet 12 prova për akuzat ndaj Ramës

26
TIRANE- Seanca e sotme gjyqësore mes kreut të qeverisë, Edi Rama dhe të paditurit prej tij për shpifje Edi Paloka, kreu i grupit të PD-së, që akuzoi shefin e qeverisë për lidhje me bandat e krimit ka vijuar me paraqitjen e provave.
Mbrojtja e Rames, sikundër edhe në seancat e shkuara deklaroi se nuk ka asnjë provë konkrete për akuzat e bëra në adresë të kryeministrit. Ndërkohë që Paloka ka paraqitur një listë te gjatë me 12 prova, që sipas tij faktojnë akuzat e bëra ndaj Ramës, për lidhje me bandat dhe krimin.

Seancën e sotme, vjen pas dështimit të pajtimit mes tyre në seancën e shkuar. Ndërkohë qe Gjykata pasi ka marrë provat ka vendosur se do të shprehet lidhur me to në datën 10 prill.

Rama duke shkuar në këmbë në gjykatë, seancën e shkuar

 PROVAT E PALOKES:

– CD me thëniet e Ramës kur ishte lider i opozitës, kur pretendonte persona të inkriminuar në Policinë e Shtetit dhe zyrtarë të lartë të Policisë të lidhur me kupolën e krimit.
– Fotoja e një prej personave të pranishëm në përplasjen me armë te Rruga e Kavajës, që del nga selia e PS.
– Thëniet e Erzen Breçanit në lidhje me arrestimin disa herë të Shullazit dhe një nga rastet, ai i vitit 2011, ku ka shkaktuar një incident gjatë një aktiviteti të PS. (“Breçani ka pohuar se e ka parë Shullazin në atë kohë të hipë në makinën e ministrit aktual të Brendshëm. Ky fakt nuk është përgënjeshtruar nga askush”, thanë avokatët).
– Deklarata e Ambasadës Amerikane, 2 mars 2015, ku përshëndet përjashtimin e Tom Doshit nga Grupi i PS.
– Një botim i gazetës “55” në vitin 2012 në lidhje me disa përgjime të kryera nga drejtësia italiane ku dy anëtarë për llogari të “bandës së Lushnjës”, përmendin se Rama është i lidhur me krimin.
– Deklaratat e ish-deputetit Dritan Prifti, që etiketon Ramën si person që konsumon lëndë narkotike. Ne e marrim të mirëqenë këtë fakt, pasi nuk është përgënjeshtruar dhe as akuzuar Prifti.
– Deklaratat e PD për denoncimin e dënimeve të dhëna në Itali ndaj deputetit Arben Ndoka.
– Vendimi i Gjykatës Administrative të Shullazit kundër Ministrisë së Financave për shpërblim burgimit të padrejtë, i cili nuk është ankimuar nga Ministria.
– Denoncimi i Tom Doshit për një tentativë vrasjeje ndaj tij. Edhe pse ka qenë në dijeni, Rama nuk ka kallëzuar.
– Deklarata e Tahirit, 4 mars 2015, për hetimin, sipas tij, të farsës, ku pranon të jetë takuar me persona të inkriminuar, të cilët nuk i ka kallëzuar, apo referuar.
– Dokumenti policor sekret i publikuar në media, që një deputet i rëndësishëm i maxhorancës ka fshehur në automjetin e tij nga kontrolli policor një person të dyshuar si trafikant të lëndëve narkotike.
– Rezoluta e nënshkruar në dhjetor 2014 në lidhje me dekriminalizimin e Kuvendit.

Paloka: Gjykata të marrë tabulatet e bisedave të Kryeministrit me bandat 

Seancën e shkuar kreu i qeverisë, Edi Rama e ka quajtur të turpshme kërkesën e PD-së për pushimin e çështjes me deputetet Ristani e Paloka, të pandehur për shpifje, ndërkohë që deputeti demokrat Paloka ka theksuar se nga paditës, shefi i qeverisë do të jetë shumë shpejt i akuzuari.

Në deklaraten e tij në mbyllje të seancës së shkuar gjyqësore, Paloka ka thënë për mediat se seancën e radhës do t’i kërkohet Gjykatës të kërkojë tabulatet e bisedave telefonike të Ramës me individe të caktuar, pjesë e bandave kriminale. 
“Siç e shihni, kemi një kryeministër që bredh nga Prokuroria në Gjykatë, jo thjesht sepse nuk ka punë si kryeministër, por sepse po përpiqet me çdo kusht për dy gjëra. Së pari, të legjitimojë inkriminimin e administratës shtetërore, duke filluar nga Parlamenti dhe së dyti, t’u mbyllë gojën jo vetëm mediave por edhe opozitës. E gjithë çfarë po ndodh në sy të opinionit publik, synon vetëm kaq. Tashmë besoj se gjithë qytetarët shqiptarë janë të vetëdijshëm për lidhjet që kjo qeveri ka me krimin. Çdo ditë e më shumë janë faktet publike që e vërtetojnë këtë. Kryeministri është koka e kësaj qeverie, është koka e lidhjes të kësaj qeverie me krimin. Absolutisht duke filluar që nga afera më e fundit, që duket qartazi se kemi të bëjmë me një kupolë mafioze dhe jo me një kupolë të një shteti normal, flas për çështjen e quajtur tashmë “Doshi”. Duket se të gjitha përpjekjet e kësaj qeverie, të këtij kryeministri shkojnë vetëm për mbulimin, për mbylljen e çështjes, ashtu siç është bërë për 6 muaj me rradhë dhe në vazhdim. Pra, edhe njëherë e përsëris, kemi të bëjmë tashmë me një fakt të njohur botërisht që kjo qeveri është e lidhur me krimin dhe absolutisht nuk mund ta ndryshojë këtë asnjë vendim apo asnjë qendrim të kujtdo tjetër”, tha Paloka.

Dështimi i seancës pajtuese 

Me datën 2 mars dështoi seanca e pajtimit mes kreut të qeverisë, Edi Rama dhe të paditurit për shpifje Edi Paloka, kreu i grupit të PD-së, që akuzoi kryeministrin për lidhje me bandat e krimit.

Ne ate seance gjyqesore, pas daljes nga Gjykata e Lartë, Rama ka thënë për mediat se nuk ka asgjë për t’u pajtuar, pasi nuk ka asgje personale me te paditurin, nderkohe qe e ka konsideruar procesin një domosdoshmëri për publikun, i cili duhet të dijë të vërtetën për kryeministrin e tij.

“Kjo ishte nje seancë pajtimi mes dy personave që janë përballë, për mua nuk ka asgjë për tu pajtuar se kjo nuk është personave, nuk është akuzë që është ngritur për një mosmarrëveshje mes një personi e një tjetri, por domosdoshmëri për publikun për të ditur të vërtetën vetëm të vertetën e asgjë tjetër. Nëse pala që me ka detyruar të drejtohem në dyert e gjykatës do të provojë çfarëdo qoftë nga ato që ka thënë publiku duhet ta di se bëhet fjalë për Kryeministrin, por publiku duhet të dijë gjithashtu nëse pala e akuzuar i ka ngritur akuzat për të cenuar integritetin e institucionit të KM”- tha Rama.

Sipas tij, është koha t’i jepet fund politikës së shantazhit, të baltës, e talljes së përgjithshme me opinionin publik dhe është koha që gjykatat të marrin rolin e arbitrit të paanshëm e të pavarur për t’i shërbyer opinionit publik me gjykimin mbi cfarëdo akuze.

Pyetur se cfarë do të paraqesë si provë në këtë proces, Rama u përgjigj: “Qytetërimi ynë e ka zgjidhur që në kohën e romakëve cështjen e provës, barra e provës i takon atij që akuzon. Unë do ta ndjek deri në fund dhe do të jem i pranishëm në cdo seance, se ia detyroj këtë gjithë shqiptarëve që turbullohen përditë nga helmi që prodhon bari i SHQUP”.

Padia 
Padia erdhi pas akuzuave te bera nga Paloka, në adresë të kreut të qeverisë, Rama, si i lidhur me krimin dhe bandat kriminale.
”I kallëzuari dhe i padituri Edi Paloka, duhet të japë prova për çka ka thënë sot dhe qoftë edhe përballë një prove të vetme, Kryeministri Edi Rama është i gatshëm të lërë detyrën. Në të kundërt Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, një shpifës profesionist i nivelit më të ulët edhe në llogoren e politikës së vjetër të baltës, duhet të përgjigjet përpara ligjit.”, ishte reagimi i Kryeministrise. 
Sipas Kryeministrit kjo është një histori, e cila duhet të marrë fund përballë orgabeve të drejtësisë. Në deklaratë theksohet gjtihashtu se kjo histori e shëmtuar marrjeje zvarrë e opinionit publik nëpër labirinthin e baltës së shpifjeve e fyerjeve, me moton “Shpif e shpif se diçka do mbetet!”, nuk mund të vazhdojë më tutje pa ballafaqimet e nevojshme përballë organeve të drejtësisë.

Kryetari i grupit parlamentar të PD-së akuzoi kryeministrin Rama dhe Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri për lidhje me bandat kriminale.