“Opozita po luan me zjarrin”, Rama akuza Bashës në konferencën e fundvitit

684
Kryeministri Edi Rama mblodhi mesditën e djeshme gazetarët dhe foli me ta për problemet që aktualisht e mundojnë vendin. E nisi me reformën në drejtësi, të cilën e konsideroj si një nga pikat kyçe dhe që sipas tij askush nuk mund ta pengojë. Në konferencën e cila zgjati më shumë se një orë, kryeministri u pyet për çështje të ndryshme. Një nga këto kishte të bënte me integrimin e vendit, proces që sipas Ramës duhet të jetë vendimtar në gjatë muajt e ardhshëm. Por në këtë konferencë, Rama duhej patjetër që t’i përgjigjej edhe opozitës, kryesisht, Lulzim Bashës, i cili së bashku me Monika Kryemadhin, kanë paralajmëruar nisjen e një vale protestash në fillim të janarit. Njësoj siç bënte Berisha me të kur ishte në opozitë, ashtu edhe kryeministri Rama akuzoi Lulzim Bashën se po pengon integrimin e vendit me qëndrimet e saj. “Opozita po luan me zjarrin, simbolikisht e them këtë, për të dhënë një mesazh të fortë të qartë për këtë element kyç të së ardhmes. Negociatat nuk çelen me qeverinë dhe as me Partinë Socialiste. Konvulsionet opozitare për Reformën në Drejtësi, duke penguar reformën para zgjedhjeve dhe duke transformuar një zgjedhje të ligjshme të Prokurores së Përgjithshme në një moment krize artificiale janë në dëm të integrimit të vendit” u shpreh Rama, që kur vetë ishte në opozitë ka marrë pa fund akuza të tilla se po pengonte integrimin e vendit.

Kryeministri Edi Rama, komentoi edhe letrën që Presidenti Ilir Meta i drejtoi Donald Trump, pas votës së Shqipërisë në OKB, ku vendi ynë doli kundër propozimit të Presidentit amerikan, për të njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit. Duke folur në konferencën përmbyllëse të vitit, ai tha se nuk e kishte parashikuar një letër të tillë. “Nëse do ta dija se e kishe për Presidentin pyetjen për katundin dhe kazanin do kisha qenë më i ashpër me katundin. Unë se kam takuar disa herë, në zyrë jemi takuar një herë. Shqipëria e ka shumë të qartë kushtetueshmërisht natyrën e Republikës së saj dhe politika e jashtme është ekskluzivitet i qeverisë. Nuk e di për çfarë do konsultohesha me Presidentin, për një qëndrim konform OKB. Presidenti e di këtë se ka qenë më parë aty ku është sot, ministër i Jashtëm”, u shpreh Rama. Ai ka ironizuar duke thënë se nuk mund të kishte parashikuar dot letrën e Presidentit Meta “siç nuk parashikova dot këpucën e Monikës. Fuqia ime e parashikimeve nuk shkon më shumë se kaq”. I pyetur në lidhje me votimin e Shqipërisë në OKB, që doli kundër SHBA-s, Rama habiti me deklaratat e tij, duke thënë se si Shqipëria votuan edhe Britania e Madhe, Japonia apo edhe vende të tjera të mëdha. Në këtë konferencë ka folur edhe për një çështje tepër të atakuar prej tij. Duke thënë se këtë vit është numri më i vogël i vrasjeve në vend, Rama ka sulmuar mediat që raportojnë për ngjarjet që ndodhin në vend. Kryeministri i Shqipërisë ka shkuar deri aty sa ka dhënë edhe këshilla se me çfarë lajmesh duhet të merren mediat.
Sigal